Categories: kosovë

Kuçi hedh poshtë pretendimet e Serbisë: Rreth 170 objekte ortodokse mbrohen nga Policia e Kosovës

Gurakuç Kuçi, profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”, ka kundërshtuar pretendimet se serbët ortodoksë përballen me persekutim në Kosovë.

Të lidhura

None found

Sipas tij, Policia e Kosovës kujdeset vazhdimisht për sigurinë e rreth 170 objekteve ortodokse, duke zhvilluar patrullime të rregullta, duke mbikëqyrur objektet dhe varrezat, si dhe duke shtuar praninë policore kur shfaqet ndonjë rrezik i mundshëm apo informacion për kërcënime.

Kuçi bëri të ditur se 24 kisha dhe manastire ortodokse ruhen përmes pranisë fizike të policisë, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Ai shtoi se më shumë se 40 objekte të Kishës Ortodokse, së bashku me hapësirat përreth tyre, kanë statusin e Zonave të Veçanta të Mbrojtura.

Në këto zona, ndërtimet, industria, rrugët dhe veprimtaritë që mund të cenojnë qetësinë, funksionimin ose karakterin historik të objekteve u nënshtrohen kufizimeve apo kontrollit. Zbatimi i këtyre masave ndiqet edhe nga Këshilli për Zbatim dhe Monitorim, ku marrin pjesë institucionet e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe dhe partnerët ndërkombëtarë.

Rast i vetëm përjashtues, sipas Kuçit, është Manastiri i Deçanit, ku përgjegjësinë e reagimit të parë për sigurinë e ka KFOR-i.

Ai theksoi gjithashtu se, prej marsit të vitit 2013, është funksionale Njësia për Sigurimin e Objekteve dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF). Kjo njësi është krijuar posaçërisht për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, me vëmendje të veçantë ndaj trashëgimisë ortodokse.

Çdo sulm, vjedhje, dëmtim i kishave, përdhosje e varrezave apo shkrim me përmbajtje kërcënuese procedohet si vepër penale. Kur konstatohet motiv fetar ose etnik, rasti trajtohet edhe si krim i urrejtjes. Në secilin stacion policor, sipas Kuçit, janë caktuar koordinatorë dhe hetues që evidentojnë dhe procedojnë raste të tilla në bashkëpunim me Prokurorinë.

Për festat dhe pelegrinazhet e ndryshme ortodokse, Policia e Kosovës përgatit plane të posaçme operative. Ato përfshijnë sigurimin e objekteve dhe të pjesëmarrësve, menaxhimin e qarkullimit rrugor, kontrollin në kufi, parandalimin e incidenteve dhe përfshirjen e njësive hetimore.

Kuçi i përshkroi këto masa si një model sui generis, të veçantë dhe të paofruar në këtë formë nga askush tjetër në Evropë. Megjithatë, ai tha se propaganda serbe vijon të përdorë pretendime për persekutim, me synimin për të arsyetuar veprime që përgatisin terrenin për përshkallëzimin e krizave.

Duke folur për ngjarjen e 26 korrikut 2026 në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë pranë Prizrenit, ai deklaroi se Policia e Kosovës garantoi që “Liturgjia Hyjnore” të zhvillohej pa asnjë incident. Sipas tij, policia u kujdes gjithashtu që liturgjia të mos keqpërdorej për qëllime të tjera nga asnjëra palë.

Kuçi pretendoi se masat e ndërmarra për sigurinë u paraqitën nga propaganda serbe si presion dhe dhunë kundër të krishterëve ortodoksë. Ai tha se për përhapjen e këtij interpretimi u përdorën rrjetet sociale, mediat dhe video të kamufluara.

Sipas tij, kjo mënyrë veprimi përbën një operacion informativ dhe psikologjik që e transformon realitetin. Pamjet autentike shkëputen nga konteksti dhe marrin një kuptim tjetër, duke e portretizuar kontrollin e sigurisë si presion, praninë e policisë si rrethim dhe çdo masë mbrojtëse si persekutim.

Ai e cilësoi këtë si inversion semantik, përmes të cilit realiteti paraqitet në të kundërtën e tij. Kuçi tha se synimi është delegjitimimi i Kosovës dhe i forcave ligjore e demokratike që sigurojnë mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore.

Sipas tij, kjo qasje nuk synon vetëm opinionin vendor, por edhe publikun ndërkombëtar, deri në nxitjen e urrejtjes ndaj Kosovës.

Në përfundim, Kuçi vlerësoi se siguria operative duhet të shoqërohet me komunikim strategjik, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për manipulim. Ai theksoi se, në kushtet e luftës hibride, boshllëku informativ nuk qëndron i paplotësuar, por shfrytëzohet nga kundërshtari, i cili zakonisht e ka përgatitur paraprakisht skenarin e veprimit.

të fundit

Dita e 58-të e qëndresës kundër Edi Ramës, aktivistët shfaqin dokumentarin për Teatrin dhe marshojnë nëpër Tiranë

Ka nisur marshimi edhe për ditën e sotme në rrugët e Tiranës nën thirrjet “Rama në burg Berisha në burg…

3 minutes ago

Interi finalizon transferimin e John Stones, anglezi nis aventurën në Serie A

John Stones do të jetë futbollisti më i ri i Interit. Mbrojtësi anglez ka arritur marrëveshje përfundimtare me klubin zikaltër…

5 minutes ago

Nga një i panjohur çdo ditë për një javë, zbulimi në fund e befasoi

Një eksperiment i thjeshtë tregoi se edhe bisedat e shkurtra me njerëz që nuk i njohim mund të ndikojnë në…

6 minutes ago

Tre gra plagosen me thikë në Paris, i dyshuari: Allahu më urdhëroi ta bëj

Tre gra, njëra prej tyre shtatzënë, u sulmuan me thikë pranë një stacioni tramvaji, në veri të Parisit. [...]Read More...

6 minutes ago

Kuvendi nxorri videon e këshilltares teksa rrëzohet nga shkallët/ Bardhi: Veprim denigrues ndaj dinjitetit të punonjëses

Kreu i Grupit Parlamentar, Gazmend Bardhi ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga Kuvendi ku punonjësja u rrëzua nga shkallët…

11 minutes ago

Llukarevska: Qeveria po ul standardin e jetesës ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten

Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska ka reaguar ndaj ribalancimit të buxhetit, i cili u miratua sot në Kuvend, si një…

20 minutes ago