Kosova mund të mbetet pa një pjesë të madhe të fondeve të parashikuara nga Bashkimi Evropian, nëse vazhdon ngërçi politik dhe institucionet shtetërore mbeten jofunksionale. Në kuadër të Planit të Rritjes, BE-ja ka ndarë afërsisht 170 milionë euro për Kosovën për gjysmën e dytë të vitit 2026, por përfitimi i këtyre mjeteve kushtëzohet me zbatimin e reformave të nevojshme.
None found
Mbi dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende. Seanca konstituive, e cila nisi më 6 gusht, është shtyrë dy herë pas kërkesës së Albin Kurtit, kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet. Kurti ka kërkuar kohë shtesë për konsultime me subjektet e tjera politike, me synim arritjen e një marrëveshjeje të gjerë që përfshin edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Mungesa e pajtimit pikërisht për këtë çështje e kishte çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme.
Komisioni Evropian paralajmëron se vonesat për ngritjen e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e reformave dhe në mundësinë e Kosovës për të marrë fondet e BE-së. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, rithekson kërkesën e vazhdueshme të Brukselit që aktorët politikë në Kosovë të garantojnë stabilitet institucional.
“Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe me procedurat e përcaktuara”, thotë Mercier për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Vonesat në formimin e institucioneve rrezikojnë të pengojnë reformat e rëndësishme dhe mund të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, shton ai.
Afati për realizimin e 27 hapave reformues nga Prishtina zyrtare, me vlerë të përgjithshme 165.9 milionë euro, përfundon në dhjetor të këtij viti. Zyrtarë të shumtë evropianë, me të cilët ka biseduar REL-i, tashmë përmendin mundësinë e humbjeve shumëmilionëshe për Kosovën për shkak të krizës institucionale.
“Ndërsa Komisioni Evropian është duke vlerësuar raportimin e Kosovës për këta hapa, situata politike në vend ka ndikuar në mënyrë të pashmangshme në ritmin e zbatimit dhe ka kufizuar përparimin në një numër reformash kyç, duke vënë në rrezik një pjesë të financimit në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje”, thotë për REL-in një zyrtar evropian, në kushte anonimiteti.
E para në hartimin e Agjendës së Reformave, e fundit në raportim
Në vitin 2024, Kosova ishte mes vendeve të para që dorëzoi Agjendën e Reformave, por raportin për shkallën e realizimit të saj e paraqiti e fundit. Kërkesa e parë e autoriteteve kosovare për disbursimin e fondeve u dorëzua më 15 korrik 2026, pak para përfundimit të afatit. Në këtë kërkesë u raportua për hapat e Agjendës së Reformave, të cilët fillimisht ishte planifikuar të përmbusheshin në dhjetor 2024, qershor 2025, dhjetor 2025 dhe qershor 2026.
“Për të ruajtur financimin në dispozicion, do të jetë thelbësore të sigurohet funksionimi efektiv i institucioneve dhe konsensusi politik i nevojshëm për të mbajtur fokusin e qëndrueshëm në zbatimin e agjendës së dakorduar të reformave”, nënvizon një burim evropian.
Zëdhënësi i KE-së, Mercier, vlerëson se arritja e shpejtë e një pajtimi mes partive për një kandidat unifikues për president është veçanërisht e rëndësishme. “Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një ndjenjë e përbashkët e qëllimit do t’i lejojë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të realizojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, thotë ai për REL-in.
Gjatë 18 muajve, Kosova ka zhvilluar tri procese zgjedhore: dy herë zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje lokale në dy runde. Zbatimi i hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së kërkon përfshirjen e Qeverisë dhe Kuvendit. Qeveria ka përgjegjësinë të hartojë, negociojë dhe zbatojë objektivat konkrete të politikave, ndërsa Kuvendi duhet të miratojë reformat përkatëse.
Dhjetori dhe rreziku për humbjen e përhershme të fondeve
Me fundin e vitit 2026 përmbyllet edhe periudha e tolerancës, e njohur në Bruksel si “periudha gri”, për hapat reformues që shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, duhej t’i realizonin fillimisht në dhjetor 2024 dhe dhjetor 2025. Komisioni Evropian e ka paraparë këtë periudhë si kohë shtesë pas skadimit të afatit, gjatë së cilës vonesat mund të korrigjohen ende pa prodhuar pasojat e mosrespektimit të afatit.
Sipas kësaj skeme, hapat reformues që kishin afat fillestar gjatë vitit 2024 mund të realizohen brenda një periudhe shtesë prej 24 muajsh.
Për reformat që duhej të përmbusheshin gjatë vitit 2025, periudha e tolerancës është 12 muaj. Për të gjitha reformat e planifikuara deri në dhjetor 2024, përkatësisht dhjetor 2025, afati përfundimtar bie në fund të vitit 2026. Pas kësaj periudhe, fondet mund të humben përgjithmonë. Në rast se vendet përfituese nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk zbatojnë reformat e parashikuara, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i mbajë mjetet e destinuara për këto hapa. Këto fonde mund t’u ndahen vendeve të tjera që tregojnë rezultate më të mira në procesin reformues.
Kosova, përfituesja më e madhe vetëm në teori
Paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor, e paraparë për periudhën 2024–2027, kap vlerën e 6 miliardë eurove dhe konsiderohet paketa financiare më ambicioze për rajonin. Fondet e Planit të Rritjes janë ndarë duke u bazuar në numrin e popullsisë dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro, duke e renditur atë si përfituesen më të madhe për kokë banori.
Në periudhat e mëparshme, Kosova nuk ishte kualifikuar për pranimin e mjeteve nga Plani i Rritjes, sepse marrëveshjet përkatëse për këtë pako evropiane nuk ishin miratuar, po ashtu për shkak të ngërçit politik.
Pasi Kuvendi i Kosovës ratifikoi në shkurt të këtij viti marrëveshjet e lidhura me Planin e Rritjes, Kosova fitoi të drejtën të përfitojë nga fondet evropiane. Deri tani, ajo ka marrë vetëm 61.8 milionë euro në formë parafinancimi, ose 7 për qind të shumës së përgjithshme të alokuar. Për pjesën tjetër të mjeteve, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e hapave reformues përmes dorëzimit të raportit mbi reformat e realizuara. Komisioni Evropian vendos dy herë në vit për shpërndarjen e fondeve, por vetëm pasi të ketë verifikuar se vendi ka përmbushur me sukses hapat dhe objektivat konkrete të përcaktuara në Agjendën e Reformave./REL
RB Leipzig është një klub modest gjerman i formuar në vitin 2009 kur Yan Diomande ishte ende tre vjeç. Sot,…
Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Milot-Rrëshen”. Drejtuesi i automjetit një 25-vjeçar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin…
Selin Bollati ka sjellë një tjetër paraqitje plot stil, duke zgjedhur një kombinim veror që bie në sy për elegancën,…
Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar se deklaratat e zyrtarëve serbë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, nuk kontribuojnë…
Sipas të dhënave të Eurostat, vendet anëtare të Bashkimit Evropian panë një rënie në përdorimin e duhanit dhe produkteve të…
Gjatë një konference të dhënë sot për media, VLEN ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së rreth Marrëveshjes së Ohri, transmeton…