Lëvizja për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga udhëheqja e LDK-së e ka detyruar atë të pezullojë përfshirjen në formimin e institucioneve, duke thelluar kështu paqartësitë rreth zgjidhjes së krizës politike në Kosovë.
None found
Bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje u ndërprenë në një moment kur komunikimi paraprak mes palëve kishte ushqyer shpresat për një marrëveshje dhe përshpejtim të procesit institucional.
Këto zhvillime kanë hapur dilema nëse dialogu mes LVV-së dhe LDK-së do të mund të rinisë dhe sa do të ndikojë kriza e brendshme në procesin e institucionalizimit. Njohësit e çështjeve politike theksojnë se situata në LDK po reflektohet drejtpërdrejt në rrjedhën e bisedimeve, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tyre, paqëndrueshmëria e brendshme e kufizon partinë në marrjen e vendimeve strategjike, ndërsa vonesa në formimin e institucioneve po bëhet gjithnjë e më alarmante. Megjithatë, ata nuk përjashtojnë mundësinë që bisedimet të rifillojnë pasi të qartësohet gjendja në LDK dhe të krijohet një konsensus i brendshëm.
Analistët paralajmërojnë se nëse kriza vazhdon, efektet mund të kalojnë përtej këtij subjekti politik, duke ndikuar në ritmin e krijimit të institucioneve dhe në stabilitetin e përgjithshëm politik të vendit.
“Bota sot” ka kërkuar qëndrimet e deputetëve dhe zyrtarëve nga të dyja partitë, por ata nuk e kanë komentuar këtë çështje.
Në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i zhvillimeve politike Nijazi Halili vlerëson se kriza e brendshme në LDK po ndikon formimin e institucioneve, por negociatat me LVV-në mund të rifillojnë pasi partia të ketë një qëndrim të unifikuar.
Ai e konsideron pezullimin e angazhimeve nga Abdixhiku si një veprim që ndikon menjëherë në dinamikën politike, sidomos në një kohë kur shenjat e mëparshme tregonin afrim të qëndrimeve. Sipas tij, kjo sjell pasiguri dhe ngadalëson ngritjen e institucioneve.
Halili thekson se një lider që përballet me sfida të brendshme për legjitimitetin e tij e ka të vështirë të marrë vendime strategjike. Çdo marrëveshje eventuale me një subjekt tjetër do të duhej të mbështetej nga strukturat partiake dhe të gëzonte konsensus të gjerë, andaj pezullimi i bisedimeve mund të shihet si përpjekje për të shmangur vendimmarrje të rëndësishme në rrethana të paqarta brenda LDK-së.
Megjithatë, ai nuk mendon se kjo do të thotë fundi i mundësisë për bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së. Politika, nënvizon ai, është dinamike dhe kur ka interes për stabilitet institucional, palët zakonisht kthehen në tryezë. Nëse LDK arrin të kapërcejë krizën dhe të dalë me një qëndrim të unifikuar, negociatat mund të rifillojnë mbi baza më të qarta.
Duke folur për pasojat e mundshme, Halili paralajmëron se zgjatja e krizës mund të ketë efekte që kapërcejnë partinë, duke prekur të gjithë procesin institucional në vend dhe duke ndikuar në rikonfigurimin e raporteve politike, shtyrjen e afateve dhe shfaqjen e skenarëve të rinj.
Në fund, ai u bën thirrje partive parlamentare të orientohen drejt dialogut dhe kompromisit, duke vënë interesin shtetëror mbi gjithçka, sepse qytetarët presin institucione funksionale dhe jo zgjatje të krizave. Sipas tij, zhvillimet në LDK do të jenë vendimtare si për të ardhmen e kësaj partie, ashtu edhe për ritmin e krijimit të institucioneve dhe stabilitetin politik të Kosovës në muajt e ardhshëm.
Ndërkaq, profesori dhe analisti politik Nexhat Bexheti, gjithashtu në një deklaratë për “Bota sot”, thekson se mungesa e seriozitetit mes subjekteve politike po pengon formimin e institucioneve dhe se kriza në LDK mund ta thellojë më tej bllokadën.
Ai vlerëson se vonesa në krijimin e institucioneve në Kosovë nuk është një dukuri e re; përkundrazi, ajo tashmë ka marrë formën e një “Odiseje” dhe po shfaqet si një sëmundje kronike e politikës kosovare. Bexheti kujton se në të kaluarën ndërhyrja dhe trysnia e faktorit ndërkombëtar sollën rezultate, por tashmë duket se ky faktor ua ka lënë zgjidhjen në dorë partive, dhe pasojat e kësaj qasjeje janë të dukshme.
Sipas tij, përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatarit Albin Kurti. Ai ka nisur takimet me partitë parlamentare, por Bexheti këshillon kujdes, sepse mungon serioziteti brenda subjekteve për të arritur një marrëveshje.
Pezullimi i bisedimeve nga LDK-ja, thekson ai, tregoi se problemet e brendshme të kësaj partie po ndikojnë drejtpërdrejt në proces. Nga takimet e para u krijua përshtypja se mund të gjendej një zgjidhje, por ajo nuk zgjati. Abdixhiku i ndërpreu kontaktet pas shfaqjes së kundërshtimeve të brendshme dhe vënies në pikëpyetje të legjitimitetit të tij, çka nënkupton se Kurtit i duhet një raund i ri negociatash.
Bexheti vlerëson se preferenca e Kurtit për LDK-në mund të shpjegohet me perceptimin se aty mund të gjejë kuadro më pak të ekspozuar ndaj aferave korruptive, gjë që do të ndihmonte në formimin e një qeverie me imazh të pastër.
Ai shton se dialogu duhet të zgjerohet përtej partive shqiptare, duke përfshirë edhe Listën Serbe, me qëllim shmangien e pakënaqësive të komunitetit serb dhe forcimin e përfshirjes së tyre në institucionet e Kosovës. Paralelisht, komunikimi duhet të mbetet i hapur me të gjitha subjektet e tjera parlamentare.
Në fund, Bexheti paralajmëron se LDK-ja rrezikon të ndahet në dy fraksione, për shkak të qëndrimeve të kundërta ndaj politikës së Abdixhikut. Përplasjet dhe mosmarrëveshjet në kryesi, sipas tij, mund ta dëmtojnë më tej partinë dhe ta ulin mbështetjen, e cila tashmë ndodhet në një pikë kritike.
Një 25-vjeçar nga Haraçina është arrestuar pasi policia gjeti dhe sekuestroi mbi dy kilogramë marihuanë gjatë një bastisjeje të kryer…
Në fillim të muajit korrik, presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joan Pons Sampietro, bëri të ditur se Serbia kishte…
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mundësojë zgjedhjen e…
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar dëshminë e një gruaje të moshuar, e cila…
Një i ri nga Kosova është ndaluar të shtunën nga policia serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë…
Interi shpreson që Tottenham Hotspur do ta ulë çmimin prej 50 milionë eurosh për Cristian Romeron, por mund të përmbushë…