Categories: kosovë

Kreu i departamentit në “Ibër-Lepenc”: Sulmi në kanal shkaktoi mbi 376 mijë euro dëm, ndërhyrja shmangu humbje milionëshe

Ernes Kërqeli, drejtor i Departamentit të Ujë-Rigjenerimit në “Ibër-Lepenc”, dëshmoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, të ndodhur në natën kritike të 24 nëntorit 2024.

Të lidhura

None found

Para trupit gjykues, ai deklaroi se dëmi në kanal e ka kaluar vlerën prej 376 mijë eurosh. Sipas tij, ndërhyrja e menjëhershme ishte vendimtare, pasi në të kundërt pasojat për Kosovën do të arrinin në miliona euro.

Kërqeli tregoi se punëtorët e kishin njoftuar për sulmin rreth orës 19:00. Menjëherë pas marrjes së informacionit, ai kishte lajmëruar ekipet dhe kryeshefin ekzekutiv, Faruk Mujka, ndonëse në atë moment nuk diheshin ende vendndodhja e saktë dhe përmasat e dëmit. Më pas, ndërmarrja ishte informuar edhe nga Policia e Kosovës dhe të gjitha ekipet ishin nisur drejt zonës.

Ai tha se kishte mbërritur nga Gjilani në vendngjarje së bashku me kolegë, ku kishin konstatuar se dëmtimi ishte jashtëzakonisht i madh dhe se ndërmarrja nuk ishte përballur më parë me një situatë të tillë. Në atë kohë, ekipe të pajisura me makineri të rënda po kryenin punime në komunën e Zubin Potokut, ndaj ato ishin thirrur për të ndihmuar në sanimin e kanalit dhe për të parandaluar ndërprerjen e ujit në pjesën e poshtme të tij.

Punimet, sipas Kërqelit, nisën vetëm pasi u dha leja nga Policia dhe organet kompetente. Në segmentin e dëmtuar u realizua një zgjidhje e përkohshme, por për shkak të përmasave të dëmit ajo nuk ishte plotësisht funksionale. Atë natë u vendosën gjashtë gypa, me qëllim që rrjedha e ujit të vazhdonte dhe furnizimi për Kosovën B të mos ndërpritej.

Në natën e sulmit, ekipi i ndërmarrjes arriti të rikthente vetëm 75 për qind të furnizimit të rregullt. Kërqeli shpjegoi se zgjidhja e parë ishte funksionalizuar rreth orës 02:00, por ajo nuk kishte funksionuar siç duhej për shkak të dëmtimit në pjesën fundore, ndaj ekipet kishin kaluar në një alternativë tjetër.

Furnizimi për ujësjellësit qëndroi i ndërprerë për 3-4 ditë. Edhe pas pesë ditësh, ujësjellësit nuk mundën që në fillim ta merrnin furnizimin me kapacitet të plotë.

Dëmi prej mbi 376 mijë eurosh u riparua përmes një projekti që financohej nga Banka Botërore. Kërqeli sqaroi se bëhej fjalë për një projekt të nisur më herët, të mbështetur nga një kredi e Bankës Botërore dhe të fokusuar në rehabilitimin e kanalit.

Ai bëri të ditur se raporti për dëmin ishte hartuar nga konsulenca dhe kompanitë e angazhuara për mbikëqyrjen e projektit, si dhe nga Banka Botërore. Në bazë të këtij vlerësimi, kostoja e dëmit të shkaktuar nga sulmi rezultoi mbi 376 mijë euro.

Përfaqësuesi i “Ibër-Lepencit” deklaroi gjithashtu se nuk i kishte takuar asnjëherë personat e akuzuar. I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, për të pranishmit në vendngjarje, ai tha se aty ndodheshin pjesëtarë të Policisë, KFOR-it dhe punëtorë të ndërmarrjes, të cilët kishin mbërritur para tij.

Sipas Kërqelit, sanimi nuk kishte filluar pa miratimin e hetuesisë, pasi fillimisht po merreshin mostra dhe në vendngjarje kishin mbërritur edhe ekspertë të tjerë. Ai shtoi se nuk kishte vërejtur ndonjë gjurmë njeriu.

Duke folur për pasojat që do të sillte mungesa e ndërhyrjes atë natë, Kërqeli tha se dëmet për qytetarët e Kosovës do të ishin shumë të mëdha. Sipas tij, vendi mund të mbetej pa energji elektrike dhe linja telefonike, ndërsa qytetarët e Prishtinës do të humbnin edhe një pjesë të shërbimeve të Termokosit dhe nuk do të mund të furnizoheshin me ngrohje.

Ai theksoi se QKUK-ja do të mbetej pa energji, ngrohje dhe furnizim me ujë, i cili është element thelbësor për higjienën. Ndalja e menjëhershme e Termocentralit Kosova B, sipas tij, do të shkaktonte pasoja të rënda edhe në infrastrukturën e KEK-ut. Kërqeli vlerësoi se humbjet do të ishin milionëshe që në ditën e parë dhe se për çdo ditë vonesë dëmi do të shtohej me miliona.

të fundit

Five Climbers Die After Storm Hits Mount Elbrus

Pesë alpinistë kanë humbur jetën në malin Elbrus, maja më e lartë e Evropës, pasi u përfshinë nga një stuhi…

4 seconds ago

Europe in the Grip of Wildfires: Over 300,000 Evacuated as France and Spain Battle Flames and Flooding

Zjarret masive vijojnë të përfshijnë Francën dhe Spanjën, duke detyruar qindra mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre. [...] Read…

24 seconds ago

Gadi Eisenkot Takes on Netanyahu, Former Army Chief Seen as Main Challenger in Israeli Election

Ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, është shndërruar në sfidantin kryesor të Benjamin Netanyahut për zgjedhjet e përgjithshme që do…

48 seconds ago

Largest Wave of Protests in the Country / Spanish Newspaper Reports on Citizens’ Revolt: Albanians Demand Rama’s Resignation, Prime Minister “Turns a Deaf Ear” to EU Warnings

Gazeta spanjolle “el correo” i ka kushtuar një artikull protestës kundër kryeministrit Edi Rama, e cila tashmë mbahet prej 58…

1 minute ago

Trial Over Terrorist Attack on Ibër Lepenc Halted as Expert Presents New DNA Evidence

Në një fitil kabllondezës, nga 24 lokuse të gjeneve të ADN-së, 20 prej tyre janë gjetur mostra të ADN-së që…

3 minutes ago

Rexhepi Backs the Government: Enforcing the Law Is Not a Matter for Negotiation

Ditë më parë janë rrënuar njëmbëdhjetë shtëpi në bregun e Liqenit të Ujmanit, të cilat ishin ndërtuar pa leje në…

3 minutes ago