Categories: kosovë

KQZ vulos rezultatin e 7 qershorit, ja cilët janë hapat e ardhshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, afërsisht një muaj pasi ato u mbajtën.

Të lidhura

None found

Zgjedhjet e 7 qershorit ishin hera e tretë që Kosova organizoi votime parlamentare në më pak se një vit e gjysmë.

Nga ky proces zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar 53 mandate. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë ulëse.

Pas certifikimit të rezultateve, kryeparlamentarja dhe njëkohësisht ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, obligohet ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Kushtetuta përcakton që kjo seancë të zhvillohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Në seancën konstituive bëhet themelimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, e më pas hapet rruga për procedurat e krijimit të Qeverisë së re.

Pasi Kuvendi të konstituohet, Haxhiu e propozon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga zyra e Haxhiut të dijë kur pritet të thirret seanca konstituive, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Naim Jakajt, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), megjithëse ekziston afati kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi, seanca mund të mblidhet edhe dukshëm më herët.

“Duke qenë se rezultatet zgjedhore tashmë janë të njohura, nuk ka arsye objektive që procesi të zvarritet”, thotë ai.

Si shembull, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura muaj më parë, deputetët e zgjedhur e konstituuan Kuvendin dhe e votuan Qeverinë e re brenda të njëjtës ditë, në një seancë të vetme më 11 shkurt.

Kjo kishte ndodhur pasi përfaqësuesit e partive parlamentare dhe kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Dimal Basha, ishin dakorduar paraprakisht për rendin e ditës, përfshirë edhe votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit.

Procesi ishte lehtësuar edhe nga fitorja bindëse e partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Meqë partia në pushtet duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të përballen me pengesa.

Megjithatë, një tjetër çështje mund ta mbajë vendin në krizë politike dhe institucionale: zgjedhja e presidentit të ri.

Partia e Kurtit ka fituar 53 vende në Kuvendin me 120 sosh, ndërsa për Kuvendin dhe Qeverinë e re i duhen të paktën 61.

Duke marrë parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe, të cilat kanë 10 vende, votat për këtë proces nuk pritet të paraqesin problem.

Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, i pati thënë REL-it ditë më parë se partia në pushtet i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

Jakaj vlerëson se Kurti do të duhet të ulet me partitë opozitare për të arritur një marrëveshje politike, në mënyrë që vendi të ketë funksionim afatgjatë të institucioneve.

“Një parti që e vendos interesin e shtetit në plan të parë, duhet ta ketë parasysh se çdo vonesë në formimin e institucioneve prodhon kosto për vendin, qoftë në integrimin evropian, zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave apo në humbjen e mundësive të rëndësishme për qytetarët”, thotë Jakaj.

Për ta bërë të vlefshëm votimin për presidentin e Kosovës, nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende.

Nëse mungon një marrëveshje politike, kjo mbetet e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parashikon që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita kur konstituohet Kuvendi.

Nëse kjo nuk realizohet, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, thotë Jakaj.

Deri më tani, partitë politike nuk kanë zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme politike lidhur me presidentin.

Kurti është deklaruar i gatshëm për bisedime me partitë e tjera, ndërsa Nagavci i tha REL-it se partia e tyre “do të bëjë gjithçka” që është në mandatin e saj për t’i siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

PDK-ja ka bërë të ditur se do të ishte e hapur për bisedime me të gjitha partitë, pa e përjashtuar as LVV-në, ndërsa LDK-ja ka vendosur disa parakushte për një marrëveshje mbi krijimin e institucioneve të reja, përfshirë çështjen e gazit amerikan.

Jakaj thekson se deklarimet e deritanishme të partive “tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje nuk do të jetë e lehtë”.

“Kurti ka shprehur gatishmëri për dialog me partitë e tjera. Por, këtu do të duhej transparencë e plotë që të dihet se a është vullnet i vërtetë. Deklaratat publike nuk mjaftojnë. Nuk ka asnjë pengesë që partitë të nisin menjëherë diskutimet për një marrëveshje politike, sepse çdo vonesë rrit rrezikun e një krize të re institucionale dhe të përsëritjes së zgjedhjeve”, thekson Jakaj.

Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

të fundit

Audioincizim i ri i bisedës së Arlinda Zekajt me policin: I tha të kthehej në shtëpi, edhe pse personat për të cilët pyeste do të ishin aty

Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momentet kur ajo kërkonte të dinte nëse duhej të…

5 minutes ago

Në Konferencën e Sigurisë në Berlin, Hoxhaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në debatin e nivelit të lartë “Angazhimi i besueshëm në Jug”, në kuadër të…

5 minutes ago

Rama takohet me Mark Rutte në Bruksel, konfirmohet sërish Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku…

10 minutes ago

Maqedonci and Nawrat discuss defense capabilities and cooperation with the US in Berlin

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar me gjeneralmajorin Christian Nawrat, zëvendëskomandant për Integrim në Komandën e Ushtrisë…

16 minutes ago

Now I know where he rests”: Adem Ademi’s sister speaks after his remains are identified

Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, mbetjet mortore të të cilëve u…

17 minutes ago

Sveçla announces identification of remains of three Albanians known as the “Group of Intellectuals

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë identifikuar mbetjet mortore të tre qytetarëve shqiptarë,…

17 minutes ago