Categories: kosovë

KFOR për hapjen e Urës së Ibrit: Vendimi duhet të marrë parasysh të gjitha komunitetet

KFOR-i ka bërë të ditur se çdo vendim për rihapjen e mundshme të Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë në konsideratë nevojat e të gjitha komuniteteve. Misioni i NATO-s në Kosovë deklaroi gjithashtu se po mbështet përpjekjet diplomatike të Bashkimit Europian, ndërsa për statusin e urës i referoi palët te BE-ja dhe institucionet e Kosovës.

Të lidhura

None found

Në një përgjigje për mediat pas takimit të komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, me përfaqësuesen europiane në Kosovë, Eva Palatova, një zyrtar i NATO-s tha se misioni po i ofron Bashkimit Europian mbështetjen e nevojshme në aspektin e sigurisë për avancimin e procesit diplomatik.

“KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme në fushën e sigurisë, në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të avancojnë”.

Për çdo qëndrim lidhur me statusin e Urës së Ibrit, KFOR-i udhëzoi që pyetjet t’u drejtohen Bashkimit Europian dhe institucioneve të Kosovës.

“Për çdo koment të mëtejshëm lidhur me statusin e urës, ju referoj te BE-ja dhe institucionet e Kosovës”.

KFOR-i ka nisur një tërheqje graduale të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër. Sipas misionit të NATO-s, ky proces lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe me optimizimin e pozicionimit të trupave.

Ky zhvillim u bë publik në një kohë kur Bashkimi Europian deklaroi se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës edhe për automjetet. KFOR-i sqaroi se tranzicioni do të zhvillohet hap pas hapi, në varësi të situatës në terren, dhe mund të kthehet pas nëse rrethanat e sigurisë e kërkojnë.

“Procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

Sipas KFOR-it, aktorët lokalë janë informuar dhe përfshirë rregullisht në këtë proces. Në mesin e tyre është edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë.

Komandanti Ozkan Ulutash është takuar për herë të fundit me përfaqësuesit e kësaj partie më 11 gusht. Përveç Listës Serbe, ai vijon komunikimin edhe me aktorë të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

“Sa i përket procesit të përgjithshëm të optimizimit, gjeneralmajori Ulutaş, komandanti i misionit të KFOR-it, vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”.

Megjithëse prania e përhershme mbi urë po pëson tranzicion, KFOR-i theksoi se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës, si dhe në veri të Kosovës.

“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të përcaktuar nga OKB-ja. KFOR-i do të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, dhe do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet”.

Misioni i NATO-s përsëriti se po ndjek nga afër situatën në terren dhe se mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij, të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. Ky mandat synon garantimin e një mjedisi të sigurt e të qetë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Pas nisjes së tranzicionit të pranisë së KFOR-it mbi Urën e Ibrit, në zonë u vu re prania e Policisë së Kosovës, e cila pritet të marrë tashmë përgjegjësinë për garantimin e sigurisë në këtë pjesë.

Komisioni Europian i drejtoi një mesazh këtij institucioni. Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, tha në një konferencë për media se Bashkimi Europian e ka të qartë qëndrimin e tij: kushtet për rihapjen e urës për automjete janë plotësuar.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”.

BE-ja deklaroi gjithashtu se pret nga institucionet e Kosovës koordinim me të gjitha komunitetet.

“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper.

Ndërkohë, nga Beogradi u paralajmërua një ankesë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do t’i dërgojë një letër zyrtare Mark Ruttes lidhur me hapjen e Urës së Ibrit dhe shprehu pakënaqësi ndaj komandantit të KFOR-it.

“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutes dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet. Për mua, ky është një turp i madh dhe një zhgënjim. Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre, nuk dinë se si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur”.

Ura mbi lumin Ibër, e cila lejonte kalimin e këmbësorëve, por jo të automjeteve, është konsideruar prej vitesh simbol i ndarjes së Mitrovicës.

Gjatë vitit 2024, nismat e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj u kundërshtuan nga serbët lokalë. Bashkimi Europian u kishte kërkuar autoriteteve kosovare që të bashkërendonin veprimet përpara ndërmarrjes së një hapi të tillë. Më vonë, Qeveria ndërtoi dy ura paralele me urën kryesore si rrugë alternative.

të fundit

Flick tregon si pritet ta transformojë Barcelona ardhja e Rodrit

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur kënaqësinë e madhe pas transferimit të Rodrit, duke e përshkruar mesfushorin si një…

6 minutes ago

Detet po ngrohen dhe meduzat po shtohen, Mesdheu kërcënohet edhe nga specie “aliene

Kandilët e detit mbeten makthi i pushuesve gjatë verës. [...]Read More...

18 minutes ago

Kaos në Portin e Vlorës, mungesa e energjisë pengon imbarkimin e qindra pasagjerëve

Mungesa e energjisë elektrike, ka krijuar kaos në Portin e Vlorës, ku është penguar procesi i imbarkimit të qindra pasagjerëve…

19 minutes ago

Bajrami: Kurti po vonon krijimin e institucioneve dhe po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja

Deputetja  nga radhet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të…

23 minutes ago

ASH: Fëmijëve shqiptarë në Idrizovë ende u mohohet arsimi në gjuhën amtare

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me nxënësit shqiptarë në Idrizovë, të cilëve nuk u mundësohet mësimi në gjuhën…

27 minutes ago

Besiktasi shqyrton largimin e Milot Rashicës

Milot Rashica mund t’i japë fund aventurës te Besiktasi, pavarësisht se kontrata e tij me klubin turk është ende aktive.Sipas…

29 minutes ago