Dhjetë ditë kanë kaluar që nga njoftimi i KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për nisjen e një “tranzicioni gradual të pranisë së tij të përhershme” në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
None found
Ndryshimi vjen pasi përgjegjësia për sigurinë dhe administrimin e urës i është transferuar Policisë së Kosovës, ndërsa njësitë e KFOR-it po e pakësojnë hap pas hapi praninë e tyre të përhershme në këtë pikë.
Ky zhvillim po shihet si një mundësi për afrimin e dy pjesëve të Mitrovicës nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë të qytetit.
Betim Osmani, nga Iniciativa Qytetare në Mitrovicën e Veriut, e konsideron kalimin e përgjegjësive nga KFOR-i te institucionet vendore një hap të rëndësishëm drejt bashkimit më të madh mes veriut dhe jugut.
Osmani thotë se ky vendim është dashur të merrej edhe më herët, ndërsa vlerëson se veriu ka nevojë për investime pas mungesës së tyre për 27 vite. Sipas tij, nevojiten ndërhyrje për rikthimin e qytetarëve, veçanërisht të komunitetit shqiptar, si dhe për rindërtimin dhe integrimin e arsimit e shëndetësisë, shërbime cilësore nga të cilat, sipas tij, banorët e veriut kanë vuajtur për 27 vjet.
Për Osmanin, largimi gradual i KFOR-it është shenjë se përgjegjësia për sigurinë në urë po i afrohet gjithnjë e më shumë institucioneve të Kosovës.
Ai beson se procesi mund të çojë deri në fund të vitit edhe në rikthimin e qarkullimit të automjeteve. Sipas tij, kjo është një lëvizje graduale dhe fakti që tenda e përdorur më herët nga karabinierët është hequr tregon për ndryshimin e situatës. Osmani shton se, pas përfundimit të sezonit të verës, deri në fund të vitit mund të nisë lëvizja e veturave mbi urë.
Ai thekson se gjatë viteve të fundit nuk ka pasur tensione të rëndësishme në këtë zonë. Për këtë arsye, sipas tij, prania e vazhdueshme e forcave në urë nuk është e nevojshme, ndërsa do të mjaftonte rritja e numrit të policëve ose patrullave në veri, së bashku me praninë e KFOR-it.
Osmani kujton se në afërsi të lumit Ibër ndodhen edhe katër ura të tjera që lidhin veriun me jugun dhe thotë se nuk ka pasur probleme në përdorimin e tyre.
Ndryshe nga më parë, Skender Sadiku, po ashtu nga Iniciativa Qytetare në Mitrovicë të Veriut, shpreson që procesi të mos ndalet për shkak të presioneve apo interesave politike.
Sipas Sadikut, lëvizja e lirë është një e drejtë themelore dhe institucionet duhet t’ua garantojnë atë të gjithë qytetarëve. Ai shprehet se urat janë ndërtuar për të lidhur njerëz dhe kultura, ndaj të gjitha rrethanat duhet të çojnë në hapjen e tyre.
Sadiku nënvizon se në veri të Mitrovicës ekzistojnë probleme më urgjente se çështja e urës, veçanërisht në shërbimet shëndetësore dhe në infrastrukturë.
Ndërkohë, qytetarët që e përdorin urën kanë vërejtur ndryshime në siguri dhe në mënyrën e qarkullimit gjatë periudhës së fundit.
Sadri Imeri e cilëson urën si lidhjen kryesore mes dy pjesëve të qytetit dhe shpreson që së shpejti të lejohet edhe qarkullimi i veturave. Ai thotë se kalimi është bërë më i lehtë dhe më i lirshëm, por thekson se urat e tjera nuk e kryejnë të njëjtin funksion si ura në qendër të qytetit.
Imeri kujton se më herët kalimi në këtë pjesë ishte shumë i vështirë për shkak të bandave serbe, pengesave dhe mungesës së sigurisë. Sipas tij, sot situata është normalizuar dhe ai pret që brenda dy-tri javësh qarkullimi të lirohet.
Sylejman Curri e lidh ndryshimin e situatës me praninë dhe kontrollin e Policisë së Kosovës. Ai thotë se kjo ka bërë që qytetarët të lëvizin shumë më lirshëm dhe pa frikë, duke e konsideruar lehtësimin e qarkullimit 100 për qind.
Curri tregon se në të kaluarën persona të armatosur dilnin në zonën përreth furrës dhe policisë, ndërsa banorët nuk guxonin të kalonin në atë anë. Sot, sipas tij, një situatë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi ajo pjesë kontrollohet nga Policia e Kosovës.
Më 20 gusht, një ditë para raportimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të mos e vazhdojë zvogëlimin gradual të pranisë në urën kryesore mbi Ibër.
Vuçiq deklaroi se tërheqja e KFOR-it në këtë moment mund të krijojë, siç u shpreh ai, “kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.
NATO ka bërë të ditur se çdo vendim për hapjen e mundshme të urës për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë, në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të ecin përpara.
Aktualisht, ura kryesore mbi lumin Ibër përdoret vetëm nga këmbësorët. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 se ura do të hapej edhe për automjetet, por kjo nismë shkaktoi tensione dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar.
Me propozim të këshilltarëve të opozitës dhe përfaqësuesve të partive të vogla, Këshilli Bashkiak i Memaliajt zhvilloi një mbledhje të…
Një ngjarje e rëndë ka tronditur aeroportin e Antalias në Turqi, ku një ish-polic dyshohet se ka vrarë me armë…
Trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka konfirmuar se klubi do të bëjë përforcime të mëtejshme para se të mbyllet afati…
Juventusi ka qenë shumë aktiv në afatin kalimtar të verës, por ata ende po kërkojnë të shtojnë deri në tre…
Këtë të premte, në Gjykatën e Sarandës, po zhvillohet seanca për caktimin e masave të sigurisë për 11 personat e…
Nga partia maqedonase në pushtet OBRM-PDUKM, thonë se "pesë vite pas formimit të lëndës, Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit…