Categories: kosovë

Këshilla e SHBA-së për festat e fundvitit – a ka arsye për t’u shqetësuar Kosova? Specialistët kërkojnë vëmendje më të madhe

Njoftimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për sigurinë gjatë periudhës së festave nuk tregon ndonjë rrezik të veçantë për Kosovën, por u dedikohet shtetasve amerikanë që ndodhen në kontinentin evropian në tërësi.

Në komunikatën e shpërndarë më 16 nëntor, përfaqësia diplomatike amerikane ka tërhequr vëmendjen për rreziqe të mundshme në grumbullime masive, panaire festive, qendra tregtare, stacione transporti dhe vende kulti, duke përmendur edhe mundësinë e sulmeve të kryera nga individë që veprojnë pa mbështetje organizative.

Të lidhura

None found

“Tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të jenë objektiva potenciale për grupet terroriste dhe elementët kriminalë. Terroristët, përfshirë edhe vepruesit e vetmuar, mund të kryejnë sulme me shumë pak ose aspak paralajmërim”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Mesazhe me ton të ngjashëm janë lëshuar edhe nga ambasadat e SHBA-së në disa shtete të tjera të Evropës dhe rajonit të Ballkanit, si Shqipëria, Sllovenia, Mali i Zi dhe Bullgaria. Në këto njoftime, zona e përfshirë është Evropa, gjë që sugjeron se bëhet fjalë për një paralajmërim të përgjithshëm për sezonin festiv dhe jo për një kërcënim specifik që synon Kosovën.

Megjithatë, ky paralajmërim e ka kthyer fokusin te siguria brenda vendit dhe te niveli i përgatitjes së autoriteteve për t’iu kundërvënë rreziqeve eventuale.

Për të marrë një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë njoftim dhe masat e mundshme të sigurisë gjatë festave, kemi kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë, por deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Në deklaratat e dhëna për “Bota sot”, ekspertët e fushës së sigurisë vlerësojnë se paralajmërimi duhet trajtuar me seriozitet nga institucionet e Kosovës, por pa shkaktuar panik te popullsia. Sipas tyre, njoftimi duhet të shërbejë si nxitje për rritjen e vigjilencës, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe marrjen e masave parandaluese, në veçanti për mbrojtjen e hapësirave publike dhe infrastrukturës vitale.

Racaj: Njoftimi amerikan duhet marrë seriozisht, por pa shkaktuar panik

Profesori dhe gjeneralmajori Muhamet Racaj ka theksuar se paralajmërimi amerikan duhet parë si një sinjal për shtimin e vigjilencës institucionale dhe qytetare gjatë festave, pa krijuar shqetësim të panevojshëm te njerëzit.

Ai beson se njoftimi nuk konfirmon domosdoshmërisht ekzistencën e një kërcënimi konkret ndaj Kosovës, por as nuk duhet injoruar.

“Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë duhet kuptuar si një masë parandaluese dhe si një thirrje për rritjen e kujdesit institucional dhe qytetar gjatë sezonit të festave. Ky njoftim nuk tregon se ka një rrezik të konfirmuar, por as nuk duhet nënvlerësuar.

Gjatë vitit të kaluar kam theksuar vazhdimisht se organet e sigurisë, në bashkëpunim me qytetarët, duhet të punojnë për parandalimin e çdo surprize nga aktet terroriste, veçanërisht gjatë festave kur ka grumbullime të mëdha njerëzish në ambiente publike.

Fatkeqësisht, sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të kanalit Ibër-Lepenc, në zonën e Ujmanit, tregoi se kërcënimet ndaj sigurisë nuk janë thjesht teorike dhe se objektivat kritike kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Racaj ka nënvizuar se paralajmërimi amerikan lidhet me festat në Evropë dhe nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, institucionet vendase duhet të marrin masa paraprake pa pritur që një kërcënim të materializohet.

“Duhet theksuar se paralajmërimi amerikan nuk është i kufizuar vetëm për Kosovën, por ka të bëjë me sezonin e festave në mbarë Evropën. Sipas informacioneve të publikuara, nuk është identifikuar ndonjë rrezik konkret për Kosovën. Megjithatë, autoritetet tona nuk duhet të presin që kërcënimi të bëhet real për të vepruar.

Kosova ka arsye të tregohet e kujdesshme, veçanërisht duke marrë parasysh dobësinë e infrastrukturës kritike, përvojën e sulmit në Ibër-Lepenc dhe rreziqet që mund të vijnë nga individë ose grupe të organizuara”, ka theksuar Racaj.

Lidhur me veprimet konkrete, ai ka kërkuar bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, shkëmbim informacioni dhe shtim të kontrolleve në zonat ku priten grumbullime qytetarësh.

“Policia e Kosovës, AKI-ja dhe institucionet e tjera të sigurisë duhet të forcojnë bashkëpunimin, ndarjen e informacioneve dhe masat e sigurisë në qendrat tregtare, objektet fetare, sheshet dhe tubimet publike. Po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi me qytetarët, të cilët duhet të raportojnë çdo veprim ose dukuri të dyshimtë.

Në fund, siguria nuk arrihet me panik, por me profesionalizëm, inteligjencë dhe parandalim. Festat duhet t’i presim të qetë, por institucionet duhet të jenë në gatishmëri të shtuar. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet: duhet të jetojmë sikur lufta të mos ndodhë kurrë, por të përgatitemi sikur rreziqet mund të shfaqen nesër”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.

Elezi: Kosova s’ka nevojë për panik, por për vigjilencë dhe koordinim institucional

Edhe eksperti i sigurisë Bedri Elezi vlerëson se paralajmërimi amerikan duhet parë në kuadrin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare dhe të forcimit të masave parandaluese gjatë festave të fundvitit.

Sipas tij, ky njoftim nuk provon se ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë terrorist ndaj Kosovës, por duhet të shërbejë si shtysë për rritjen e gatishmërisë së institucioneve.

“Paralajmërimi amerikan për sigurinë nuk duhet nënvlerësuar, por as të interpretohet si dëshmi se Kosova përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë terrorist.

Paralajmërimet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë duhen analizuar në një kontekst më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara, në prag të festave të fundvitit, tradicionalisht rrisin masat e kujdesit dhe paralajmërojnë qytetarët e tyre për rreziqe të mundshme në hapësirat publike. Kjo praktikë lidhet edhe me përvojën e hidhur të sulmeve terroriste që kanë ndodhur në të kaluarën gjatë festave, panaireve festive dhe tubimeve masive në vende të ndryshme të Evropës”, ka theksuar ai.

Elezi ka tërhequr vëmendjen te rreziku që paraqesin individët që veprojnë pa lidhje me grupe, të cilët mund të radikalizohen përmes propagandës ekstremiste dhe komunikimit në internet, pa pasur domosdoshmërisht lidhje të drejtpërdrejta me organizata terroriste.

“Duhet kuptuar se festat e fundvitit krijojnë përqendrim të madh njerëzish në qendra tregtare, panaire festive, objekte fetare, aeroporte dhe hapësira publike. Për organizatat terroriste, por edhe për individët radikalë që veprojnë të vetëm, këto hapësira mund të shihen si objektiva të cenueshme, pikërisht për shkak të numrit të lartë të qytetarëve dhe vështirësisë për të parandaluar çdo veprim kriminal.

Në këtë rast, një element shumë i rëndësishëm është përmendja e mundësisë së sulmeve nga individë të vetëm, të ashtuquajturit Lone Actors. Këta persona mund të mos kenë domosdoshmërisht lidhje të drejtpërdrejta organizative me ndonjë grup terrorist, por mund të radikalizohen përmes propagandës ekstremiste, komunikimit online apo ndikimeve ideologjike. Pikërisht identifikimi dhe parandalimi i këtyre individëve para se të ndërmarrin veprime është një prej sfidave më të vështira për institucionet e sigurisë”, ka shpjeguar ai.

Duke folur për situatën në Kosovë, Elezi ka theksuar se paralajmërimi i publikuar më 16 nëntor 2026 u referohet qytetarëve amerikanë në Evropë në përgjithësi dhe nuk identifikon ndonjë kërcënim apo objektiv konkret në vend.

“Sa i përket Kosovës, është e rëndësishme të theksohet se paralajmërimi i publikuar më 16 nëntor 2026 i referohet sigurisë së qytetarëve amerikanë në Evropë në përgjithësi dhe, në vetvete, nuk identifikon ndonjë kërcënim konkret apo objektiv të caktuar në Kosovë. Prandaj, nuk do të ishte profesionale që ky njoftim të interpretohej si konfirmim i një plani konkret për sulm terrorist në vendin tonë.

Megjithatë, Kosova nuk mund ta konsiderojë veten të përjashtuar nga rreziqet e terrorizmit. Pozita jonë gjeografike, zhvillimet e sigurisë në rajon, ndikimet e ekstremizmit ndërkombëtar dhe dinamika e radikalizimit janë faktorë që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme institucionale.

Shqetësimi im kryesor nuk është vetë paralajmërimi amerikan, por mënyra se si institucionet tona e përkthejnë këtë paralajmërim në masa konkrete parandaluese”, ka potencuar Elezi.

Ai ka kërkuar koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, institucioneve të drejtësisë dhe mekanizmave të emergjencave. Sipas tij, prania policore në hapësirat publike duhet të shoqërohet me analiza të rrezikut, shkëmbim të inteligjencës dhe identifikim të hershëm të kërcënimeve.

“Policia e Kosovës, AKI-ja, institucionet e drejtësisë dhe mekanizmat e emergjencave duhet të kenë një koordinim të vazhdueshëm operacional, veçanërisht gjatë periudhave kur ka grumbullime të mëdha të qytetarëve. Nuk mjafton vetëm prania e policisë në sheshe apo qendra tregtare. Nevojitet analizë e rrezikut, shkëmbim i inteligjencës, identifikim i hershëm i sjelljeve të dyshimta, mbikëqyrje e hapësirave me frekuentim të lartë dhe gatishmëri për reagim të menjëhershëm.

Në këtë drejtim, duhet të kemi parasysh se parandalimi i terrorizmit nuk matet me numrin e policëve që shohim në rrugë, por me kapacitetin e institucioneve për të identifikuar, analizuar dhe neutralizuar një kërcënim para se ai të shndërrohet në tragjedi.

Do të ishte e papranueshme që institucionet tona të presin një alarm të dytë apo një ngjarje tragjike për të filluar koordinimin dhe aktivizimin e mekanizmave të sigurisë”, ka vlerësuar ai.

Në përfundim, Elezi ka thënë se paralajmërimi amerikan duhet të shfrytëzohet për të testuar gatishmërinë e institucioneve, për të rishikuar planet emergjente dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos krijojnë panik dhe të vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme, por të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë.

“Unë konsideroj se ky paralajmërim duhet të shërbejë si një mundësi për të testuar gatishmërinë institucionale, për të rishikuar planet e reagimit emergjent dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.

Qytetarët nuk duhet të krijojnë panik dhe as të heqin dorë nga aktivitetet e tyre të përditshme. Por duhet të jenë të vëmendshëm dhe të raportojnë çdo situatë realisht të dyshimtë tek institucionet kompetente.

Në fund, dua të theksoj një parim themelor të sigurisë:

Terrorizmi nuk paralajmëron gjithmonë se ku dhe kur do të godasë. Por shteti duhet të jetë gjithmonë i përgatitur që të mos lejojë që një paralajmërim të shndërrohet në një tragjedi.

Kosova nuk ka nevojë për panik, por ka nevojë për vigjilencë, inteligjencë profesionale, koordinim institucional dhe përgjegjësi të plotë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

të fundit

Sa i sigurt do të jetë furnizimi me energji elektrike në Kosovë gjatë këtij dimri?

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë aktualisht është stabil, ndërsa pjesa dërrmuese e kërkesës për konsumatorët me tarifa të rregulluara…

3 seconds ago

Plenkoviq i kujton Malit të Zi marrëveshjet e kufirit me Kosovën: Kroacia nuk tërhiqet nga territori i saj

Kroacia nuk kërkon territorin e askujt, por nuk heq dorë nga territori i saj, deklaroi të premten kryeministri Andrej Plenkoviq,…

22 seconds ago

Kryeministri Rama mbledh sot Asamblenë e PS-së në Tiranë, në fokus zgjedhjet vendore dhe gara për kryeqytetin

Këtë të shtunë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, kryeministri i vendit Edi Rama, do…

12 minutes ago

BIRN: youth revolt, protesting against corruption, inequality and unemployment!

Revoltat politike shpesh vijnë me valë. Ashtu si ideologjitë dhe besimet fetare, ato mund të përhapen nga një vend në…

13 minutes ago

Currency exchange, what is happening with foreign currencies? Here is how much dollar and euro are being bought and sold

Ditën e sotme një dollar amerikan, blihet për 81 lekë dhe shitet për 8217 lekë. Euro, blihet me 89.2 lekë…

13 minutes ago

Zelensky: For us, Putin is a murderer, not a friend; Trump is not applying enough pressure

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj deklaratave të homologut amerikan Donald Trump, i cili gjatë qëndrimit në Kinë…

14 minutes ago