Categories: kosovë

KEK: Kontrata 73,2-milionëshe për qymyrin nuk lidhet me importin e energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj kritikave dhe krahasimeve të bëra lidhur me marrëveshjen për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, duke sqaruar se kjo kontratë dhe importi i energjisë elektrike përfaqësojnë dy procese të ndara.

Të lidhura

None found

Bëhet fjalë për marrëveshjen trevjeçare të lidhur me Elektranat e Maqedonisë së Veriut, JSC ESM, vlera e së cilës mund të shkojë deri në 73,2 milionë euro.

KEK-u ka theksuar se nuk është institucioni që përcakton kohën dhe sasinë e energjisë elektrike që importohet për furnizimin e konsumatorëve.

“KEK-u nuk është kompania që vendos se kur dhe sa energji elektrike importohet për furnizimin e konsumatorëve. Për këtë arsye, krahasimi i vlerës së kontratës prej deri në 73,2 milionë euro me shpenzimet për import të energjisë nuk paraqet analizë të profitabilitetit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në reagimin e Korporatës.

Sipas KEK-ut, veprimtaritë e tij kryesore janë nxjerrja e qymyrit dhe prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve i takon kompanisë së licencuar për këtë funksion.

Korporata ka bërë të ditur se energjia për furnizimin universal ofrohet me çmim rreth 29,5 euro për megavat-orë. Për të prodhuar një megavat-orë, termocentrali Kosova A përdor afërsisht 1,5 ton qymyr, ndërsa Kosova B rreth 1,3 ton.

Megjithatë, KEK-u ka nënvizuar se ky çmim nuk mund të vendoset në krahasim të drejtpërdrejtë me çmimin e energjisë në treg apo me vlerën e shitjes së qymyrit.

Kontrata e re përcakton që ESM-ja do ta blejë qymyrin me 24,4 euro për ton, pa TVSH, ndërsa ky çmim do të mbetet i pandryshuar për 36 muaj.

KEK-u ka kujtuar se në periudhat e mëparshme qymyri ishte shitur përmes kompanive private ndërmjetësuese, shpesh me çmime shumë më të ulëta. Në disa raste, çmimi kishte qenë rreth tetë euro për ton, edhe pse përfituesi përfundimtar ishte ESM-ja.

“Me marrëveshjen aktuale, KEK-u shet drejtpërdrejt te JSC ESM, pa ndërmjetësues dhe me çmim prej 24,4 eurosh për ton, duke bërë që përfitimi financiar nga kjo marrëdhënie komerciale të mbetet drejtpërdrejt te KEK-u”, është bërë e ditur në reagim.

Sipas Korporatës, eksporti i qymyrit nuk do të ndikojë në furnizimin e termocentraleve dhe as në prodhimin vendor të energjisë. Për ekskavimin, transportin dhe proceset e tjera logjistike do të kujdeset blerësi.

Ndërkohë, KEK-u po zbaton një plan investimesh me vlerë rreth 500 milionë eurosh. Ky plan përfshin rehabilitimin e njësive gjeneruese, modernizimin e kapaciteteve minerare, si dhe rritjen e performancës mjedisore dhe të sigurisë.

Korporata vlerëson se të hyrat që mund të sigurohen nga marrëveshja do të kontribuojnë në stabilitetin e saj financiar dhe do të rrisin mundësitë për investime.

“Kritika është legjitime dhe transparenca është e domosdoshme për çdo ndërmarrje publike. Por debati duhet të mbështetet në fakte, përgjegjësi institucionale dhe analizë të kushteve konkrete të kontratës”, ka deklaruar KEK-u.

Marrëveshja ka nxitur reagime edhe në skenën politike. Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar politikën energjetike të qeverisë në detyrë dhe anulimin e projekteve që synonin prodhimin e energjisë në Kosovë.

Gjini ka deklaruar se Aleanca ishte e vetmja parti që reagoi fuqishëm pas anulimit të projektit energjetik “Kosova C”, ndërsa të tjerët, sipas tij, qëndruan në heshtje.

“Kur u prish projekti energjetik me ContourGlobal, përsëri reagoi vetëm Aleanca”, ka thënë Gjini.

Ai ka akuzuar qeverisjen aktuale se ka përdorur, siç është shprehur, arsyetime “nga më bizaret” për të mos prodhuar energji në Kosovë.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se KEK-u do të eksportojë thëngjill në Maqedoninë e Veriut, me vlerë deri në 73,2 milionë euro përgjatë tre vjetëve.

Rizvanolli ka theksuar se kjo është hera e parë që një kontratë e tillë nënshkruhet drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe Elektranave të Maqedonisë së Veriut, ESM-së.

të fundit

I kërkohet Avokatit të Popullit ta dërgojë Ligjin për Specialen në Kushtetuese

Një numër përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik si dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,…

1 minute ago

Gjimshiti: Synojmë kreun e grupit, ndaj Bjellorusisë duhet të japim maksimumin

Berat GjimshitiKapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ka dalë në zonën e prononcimeve, ndërsa i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, në…

3 minutes ago

Pse Uellsi e bën qëllimisht të çrregullt fotografinë e ekipit para çdo ndeshjeje

Për më shumë se një dekadë, Kombëtarja e Uellsit ka bërë diçka të pazakontë para çdo ndeshjeje: fotografia e skuadrës…

8 minutes ago

Mbërrin në Shqipëri ambasadori i ri i SHBA, Eric Wendt i dorëzon nesër letrat kredenciale Presidentit Begaj

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur në Tiranë, ndërsa nesër pritet të zhvillojë…

9 minutes ago

Ndihmësi i Artetës: Vinicius Junior ishte në listën e Arsenalit

Arsenali kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të Vinicius Junior gjatë afatit të fundit kalimtar, ka konfirmuar Miguel Molina, një nga…

15 minutes ago

Gërvalla: Projektligji për Byronë i është dërguar Zyrës së Kryeministrit

Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit. Kështu ka deklaruar Ministja e Drejtësisë, Donika Gërvalla përmes një…

24 minutes ago