Çmimet e derivateve në Kosovë nuk pritet të shënojnë ulje të shpejtë. Përkundrazi, gjatë muajve të ardhshëm nuk përjashtohet mundësia e një rritjeje të re, vlerëson kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Zekim Istogu.
None found
Në një deklaratë për kp, Istogu tha se zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, mungesa e rezervave strategjike dhe varësia e plotë e Kosovës nga importi po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve.
Meqë Kosova siguron 100 për qind të naftës dhe benzinës përmes importit, çdo ndryshim në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë edhe në tregun vendas.
Istogu theksoi se mungesa e rezervave të mëdha brenda vendit e bën të pamundur që Kosova të përfitojë nga një ulje e menjëhershme e çmimeve ndërkombëtare. Sipas tij, tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar rritjen e çmimit të naftës gjatë ditëve dhe muajve të fundit, ndërsa situata në atë rajon nuk po jep sinjale përmirësimi.
Për këtë arsye, ai nuk pret një rënie të madhe ose të shpejtë të çmimeve të derivateve.
Kriza e javëve të fundit, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, është përshkallëzuar dhe nuk duket se do të përfundojë shpejt. Në të njëjtën kohë, rezervat në vendet perëndimore, veçanërisht në Azi dhe Evropë, janë në nivele të ulëta, ndërsa kërkesa vazhdon të jetë më e lartë se prodhimi.
Edhe në rast të stabilizimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, Istogu parashikon që çmimet të qëndrojnë për një periudhë mbi nivelet e janarit ose shkurtit të këtij viti. Ai tha se brenda një viti çmimi mund të ulet me 20-30 dollarë, por nuk pritet të kthehet në nivelin e mëparshëm.
Sipas tij, 2026-ta mbetet krejtësisht e paparashikueshme për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjeve të arritura mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës për shfrytëzimin e rezervave të naftës në Venezuelë. Këto marrëveshje mund të ndikojnë në uljen e çmimit, por vetëm pasi të stabilizohet situata politike në Lindjen e Mesme.
Istogu nuk e përjashton një rritje edhe më të madhe të çmimeve gjatë muajve të ardhshëm. Ai pret që në fund të vitit të nisë një ulje graduale, e cila mund të vazhdojë deri në janar, ndërsa më pas ecuria do të varet nga marrëveshja finale.
Një tjetër problem i rëndësishëm i tregut kosovar është mungesa e rezervave shtetërore të karburanteve.
Istogu bëri të ditur se rezervat e kompanive të derivateve zakonisht mjaftojnë për rreth pesë ditë, ndërsa në varësi të sezonit mund të arrijnë deri në 10 ditë. Këto produkte janë blerë me kosto të mëparshme dhe ndryshimi i çmimeve në pikat e shitjes bëhet gradualisht, në përputhje me koston mesatare të stokut.
Ai sqaroi se kompanitë nuk e ulin çmimin menjëherë kur tregjet ndërkombëtare shënojnë rënie të jashtëzakonshme, njësoj siç nuk e rrisin menjëherë atë në rast të rritjeve ekstreme. Sipas tij, çmimi përshtatet në mënyrë graduale si në rënie, ashtu edhe në rritje.
Problemi kryesor, tha Istogu, lidhet me faktin se Kosova nuk ka rezerva strategjike dhe nuk disponon rezerva shtetërore. Ai vlerësoi se rezervat e shtetit janë praktikisht për rreth pesë ditë, ndërsa operatorët kanë sasi të mjaftueshme për afërsisht pesë ditë funksionimi.
Për sa i përket konsumit, Kosova importon mbi 900 milionë litra naftë dhe benzinë në vit. Kjo sasi përkthehet në rreth 2 deri në 3 milionë litra në ditë, në varësi të sezonit, ndërsa gjatë verës konsumi mund të dyfishohet ose të trefishohet.
Istogu tha se nafta dhe benzina janë produkte të standardizuara në të gjithë Evropën. Për naftën përdoret standardi EN 590, i cili përcakton cilësinë përmes më shumë se 10 parametrave. Sipas tij, Kosova është një treg i vogël dhe nuk ka mundësi të importojë naftë jashtë këtij standardi.
Statistikat e doganës, sipas Istogut, tregojnë se në muajt e parë ka pasur rritje të importit, ndërsa gjatë muajve të verës, pas nisjes së luftës, është vërejtur stagnim dhe në disa muaj edhe rënie krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa 2025-a dhe 2024-a shënuan rritje solide, 2026-ta nuk ka sjellë rritje të importit, gjë që ai e lidh me uljen e konsumit nga qytetarët për shkak të çmimeve të larta.
Një ulje e pjesshme e akcizës nga ana e Qeverisë, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, do të mund të lehtësonte menjëherë barrën e konsumatorëve.
Akciza për naftën është 36 centë, ndërsa për benzinën 38.5 centë. Përveç saj, në çmim përfshihet edhe TVSH-ja, e cila llogaritet në përqindje mbi vlerën e mallit, akcizën dhe kostot e tjera. Istogu tha se rritja e çmimeve ka bërë që shteti të arkëtojë mesatarisht 7 deri në 8 centë më shumë për litër krahasuar me periudhën para fillimit të luftës.
Ai vlerësoi se një ndërhyrje e pjesshme në akcizë do të kishte efekt pozitiv dhe do të ulte koston për qytetarët dhe konsumatorët përfundimtarë.
Istogu e mirëpriti vendimin për heqjen e përcaktimit të çmimit maksimal të shitjes nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Megjithatë, ai tha se marzha e kompanive nuk ka ndryshuar ndjeshëm dhe aktualisht është rreth 10 centë për litër.
Sipas tij, nafta po blihet me 1.70 ose 1.73 euro dhe po shitet me 1.82 euro. Në këtë diferencë përfshihen pagat e punëtorëve, mirëmbajtja, licencimi, sigurimi, energjia elektrike dhe kostot e tjera operative. Për këtë arsye, 10 deri në 12 centët e parashikuara nga vendimi nuk përbëjnë fitim neto, por fitim bruto.
Ai shtoi se, përballë kostove të larta, kompanitë detyrohen të reduktojnë stafin, shpenzimet operative, mirëmbajtjen dhe investimet.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve e mohoi se mungesa e konkurrencës është shkaku i çmimeve të larta në Kosovë. Ai tha se tregu është shumë konkurrues, pasi mbi 50 kompani kanë licencë për import, ndërsa 7 ose 8 prej tyre mbulojnë rreth 70 për qind të importeve.
Asnjë kompani, sipas Istogut, nuk zotëron më shumë se 15-16 për qind të tregut. Për këtë arsye, ai vlerëson se konkurrenca e ul çmimin në maksimumin e mundshëm dhe se aktualisht nuk ka hapësirë për ulje të mëtejshme për shkak të kostove operative.
Rritja e çmimit të derivateve ka ndikuar edhe në të hyrat e buxhetit të shtetit. Istogu tha se qytetarët dhe konsumatorët e Kosovës kanë paguar rreth 217 milionë më shumë jashtë vendit që nga fillimi i luftës, krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, në buxhetin e shtetit janë paguar rreth 33 milionë më shumë për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas tij, kjo përbën rreth 7 deri në 8 centë më shumë për litër në raport me kushtet normale.
Çmimi i naftës në tregun e Kosovës ka arritur dje dhe sot deri në 1.83 euro-centë.
Deri pak ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përcaktonte çmimin maksimal të karburanteve në Kosovë. Më 4 shtator, kjo ministri ndaloi përcaktimin e çmimit maksimal për derivatet, duke rikthyer çmimet e tregut në pikat e shitjes.
Vendimi u mor pas një periudhe të gjatë rregullimi të çmimeve, të vendosur pas luftës në Lindjen e Mesme, gjatë së cilës MINT-i caktonte çmimet maksimale të derivateve në vend.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se baza ligjore lejon përcaktimin e çmimit maksimal për një periudhë deri në 90 ditë, ndërsa ministria e kishte zgjatur këtë afat në 150 ditë.
Sipas saj, operatorët ekonomikë nuk kanë pasur domosdoshmërisht fitime të larta gjatë kohës së rregullimit të çmimeve. Në disa periudha, ata kanë punuar me marzha minimale ose edhe pa fitim.
Pas konfliktit që nisi më 28 shkurt në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Kosovë kishte arritur deri në 1.91 euro-centë për litër.
Lufta nisi më 28 shkurt me sulmet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin. Më pas, Irani sulmoi Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, ndërsa Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kryesore për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, u mbyll efektivisht.
Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat lidhur me Reformën Territoriale është shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra mes…
Kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça, po ndjek nga afër hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në…
Arabia Saudite i kërkoi ndihmë Shteteve të Bashkuara për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të organizatës Houthi, por Donald Trump tha “jo”.…
Disa ditë pasi një studiues i ri dha dorëheqjen nga Anthropic , vjen një paralajmërim i ri. Këtë herë nga…
Në podcast-in “Flasim”, kryeministri i vendit Edi Rama, u shpreh se Shqipëria është drejt një marrëveshjeje me një rrjet universitar…
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka thirrur sot seancë të jashtëzakonshme plenare, në të cilën pritet të votohet për zgjedhjen…