Analisti dhe publicisti Nehat Hyseni vlerëson se Kosova nuk po përballet vetëm me vështirësi politike për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja. Sipas tij, vendi ndodhet përballë një krize më të gjerë që lidhet me interpretimin, respektimin dhe zbatimin e Kushtetutës.
None found
Hyseni thotë se çdo vendim i zyrtarëve që ushtrojnë funksione kushtetuese duhet të vlerësohet jo vetëm nga synimi politik, por veçanërisht nga mbështetja kushtetuese që e legjitimon atë.
“Republika e Kosovës ndodhet tashmë përballë një prej situatave më të ndërlikuara institucionale të periudhës së pasluftës”, deklaron Hyseni për ‘Bota sot’.
Ai e konsideron dialogun ndërmjet partive politike të domosdoshëm, por ngre dilema për statusin dhe kapacitetin institucional mbi bazën e të cilit ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë opozitare në takim.
Sipas tij, thelbi i problemit qëndron te pozita institucionale e personit që ka bërë ftesën, te kompetencat juridike me të cilat vepron dhe te mënyra institucionale e komunikimit.
“Çështja kryesore është të përcaktohet në çfarë cilësie Albulena Haxhiu i ka ftuar partitë politike”, shprehet Hyseni.
Ai sqaron se një ftesë e bërë në cilësinë e deputetes së një partie do të përbënte nismë politike partiake. Në rast se ftesa është bërë si ushtruese e detyrës së Presidentes, atëherë, sipas tij, kërkohet një nivel shumë më i lartë i neutralitetit institucional.
Hyseni thekson se në një republikë kushtetuese, funksioni përcakton kompetencën dhe kjo e fundit vendos kufijtë e veprimit.
“Nuk mund të pranohet logjika se, meqë qëllimi është i mirë, çdo mjet është i lejueshëm. Pikërisht këtë lloj arsyetimi Kushtetuta synon ta ndalojë”, deklaron ai.
Një tjetër çështje që kërkon sqarim, sipas Hysenit, është marrëdhënia mes statusit të deputetes së Kuvendit dhe ushtrimit të përkohshëm të funksionit presidencial.
Duke iu referuar neneve 72 dhe 90 të Kushtetutës, ai thotë se në këtë rast ekziston një “tension i dukshëm normativ”, i cili duhet të analizohet në mënyrë sistemike.
Hyseni nënvizon se kjo situatë nuk nënkupton automatikisht shkelje kushtetuese, por mund të tregojë ekzistencën e një përjashtimi ose mekanizmi të posaçëm kushtetues që duhet interpretuar në tërësi.
Sipas tij, këtë çështje duhet ta shqyrtojë edhe Gjykata Kushtetuese.
“Pyetja nuk duhet të kufizohet vetëm te fakti nëse një veprim lejohet apo jo. Duhet të përcaktohet se cilat kompetenca mund t’i ushtrojë një deputet që përkohësisht mban edhe funksionin presidencial dhe cilat prej tyre kërkojnë neutralitet të plotë institucional”, thotë ai.
Rolin e Albulena Haxhiut në rrethanat aktuale, Hyseni e përshkruan si një “paradoks politik”.
“Ushtruesja e detyrës së Presidentes duhet të përfaqësojë institucionin e shtetit dhe jo të shërbejë si instrument i një partie politike”, thekson Hyseni.
Ai kërkon që, nëse ftesa për partitë është bërë në emër të institucionit të Presidentit, të bëhet e qartë se cila është baza kushtetuese e kësaj nisme.
Hyseni pyet nëse, duke përdorur autoritetin e ushtrueses së detyrës së Presidentes për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes partive, Albulena Haxhiu po vepron si arbitre institucionale apo si aktore politike.
“Në një republikë normale, Presidenti duhet të kontribuojë në zgjidhjen e krizës, por nuk mund të jetë pjesë e njërës palë të krizës”, shprehet ai.
Duke folur për afatin kushtetues të konstituimit të Kuvendit, Hyseni rikujton se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor përfundoi më 7 gusht.
“Ky është fakt juridik”, thekson ai.
Megjithatë, Hyseni kundërshton interpretimin se përfundimi i këtij afati nënkupton automatikisht shpërbërjen e Kuvendit ose humbjen e mandateve nga deputetët.
“Kushtetuta nuk përcakton një përfundim të tillë”, thotë ai.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një përgjigje autoritative për statusin juridik të deputetëve pas skadimit të afatit 30-ditor, vazhdimin e seancës konstituive, kompetencën për thirrjen e saj dhe mundësinë e zgjedhjes së organeve të Kuvendit.
“Këto janë çështje të interpretimit kushtetues dhe jo tema për debate televizive”, deklaron Hyseni.
Sa i përket kërkesës që seanca konstituive të zhvillohet në intervale të shpeshta, përfshirë çdo 48 orë, ai thotë se kjo çështje duhet parë përtej përplasjes politike.
“Mbajtja e seancës çdo 48 orë nuk përbën zgjidhje më vete”, shprehet Hyseni.
Ai sqaron se kushtetutshmëria nuk lidhet vetëm me faktin që Kuvendi mblidhet, por edhe me atë nëse mbledhja thirret nga organi kompetent, në kohën dhe mënyrën e parashikuar dhe në pajtim me rregullat kushtetuese.
“Përsëritja e seancave nuk mund ta zëvendësojë kompetencën kushtetuese. Një seancë e paligjshme nuk bëhet e ligjshme vetëm sepse zhvillohet disa herë”, thekson ai.
Hyseni sjell si shembull Belgjikën, e cila pas zgjedhjeve të vitit 2010 qëndroi për një periudhë të gjatë pa një qeveri të re të plotë, por vazhdimësia institucionale nuk u ndërpre.
“Përplasja politike nuk duhet të shndërrohet në krizë të vazhdimësisë shtetërore”, thotë ai.
Edhe në rastin e Holandës, sipas Hysenit, qeveritë kujdestare janë përdorur si mekanizëm për të garantuar funksionalitetin e shtetit.
“Partitë mund të jenë në konflikt, por institucionet duhet të vazhdojnë punën. Edhe nëse partitë nuk arrijnë të krijojnë koalicion, shteti nuk mund të mbetet pa mekanizma funksionalë”, deklaron ai.
Duke iu referuar Spanjës dhe Italisë, Hyseni argumenton se krizat politike duhet të kapërcehen përmes procedurave kushtetuese dhe jo përmes improvizimeve.
Ai paralajmëron gjithashtu kundër personalizimit të Kushtetutës dhe përdorimit të saj në varësi të interesave të aktorëve politikë.
“Kushtetuta nuk është pronë e Kurtit, Haxhiut, Abdixhikut, Krasniqit, Haradinajt apo e ndonjë lideri tjetër. Ajo qëndron mbi të gjithë”, shprehet Hyseni.
Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të kthehet në një “arenë të luftës partiake”, ndërsa interpretimi i Kushtetutës nuk mund të ndryshojë në varësi të pozicionit politik të atyre që e interpretojnë.
Hyseni përsërit se seancat çdo 48 orë nuk janë zgjidhje në vetvete dhe shton se procedura nuk mund ta zëvendësojë marrëveshjen politike.
Si rrugëdalje, ai propozon një “pakt institucional” që do të përfshinte interpretim urgjent kushtetues, ndarje të qartë të funksioneve, dialog ndërpartiak, konsultime për një president konsensual, zbutje të retorikës konfliktuoze dhe reformë kushtetuese pas përfundimit të krizës.
“PDK, LDK, AAK dhe LVV duhet të ulen në dialog. Ky dialog duhet të ketë një rend të qartë: konstituimi i Kuvendit, formimi i institucioneve dhe më pas funksionimi normal i shtetit”, thotë Hyseni.
Ai vlerëson se edhe çështja e presidentit duhet të diskutohet që tani, në mënyrë që të mos shndërrohet në burimin e ardhshëm të bllokadës.
“Nëse zgjedhja e Presidentit rrezikon të bëhet nyja e re e krizës, partitë duhet të nisin paraprakisht konsultimet për një kandidat që gëzon besim më të gjerë”, deklaron ai.
Në përmbyllje, Hyseni thotë se asnjë palë nuk mund të shpallet fituese nëse përplasja politike sjell dëmtimin e institucioneve shtetërore.
“Kosovës nuk i duhet një fitues i krizës, por përfundimi i vetë krizës”, thekson ai.
Sipas tij, dobësimi i Kushtetutës nuk mund të paraqitet si sukses politik.
“Nëse një lider e mban pushtetin, por në këtë proces dëmtohet Kushtetuta, nuk kemi të bëjmë me fitore shtetërore. Po ashtu, nëse opozita e bllokon shumicën dhe si pasojë dëmtohet funksionimi i Republikës, kjo nuk përbën fitore demokratike”, deklaron Hyseni.
Ai vlerëson se ftesa e Albulena Haxhiut për dialog mund të shërbejë si mundësi për zgjidhjen e krizës, por vetëm nëse mbështetet mbi parime të qarta institucionale.
“Nëse dialogu përdoret për të anashkaluar paqartësitë kushtetuese, atëherë mund të krijohet një paradoks i ri: shteti do të tentohej të zhbllokohej duke u thelluar pasiguria kushtetuese”, përfundon Hyseni.
Mesazhi i tij përmbyllës është se mandati për të qeverisur nuk përbën licencë për bllokim, mandati për të përfaqësuar nuk është autorizim për kapjen e institucioneve dhe fitorja në zgjedhje nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë partinë mbi Kushtetutën.
Sezoni i ri i Ligës Premier nis këtë javë me përballjen mes Arsenalit dhe Coventryt të premten, ndërsa organizatorët kanë…
FC Thun dhe Sturm Graz kanë nisur zyrtarisht negociatat për transferimin e mesfushorit ofensiv kosovar, Valmir Matoshi.Klubi austriak tashmë ka…
Aleanca ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërras seancën konstituive të Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit.…
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj K.Xh., se ka kanosur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sipas…
Komunikata e plotë e VLEN Në BDI tashmë nuk mund ta fshehin nervozizmin. Madje edhe njerëz nga radhët e tyre…
Situata nga zjarret në Lurë vijon të jetë nën monitorim, ndërsa vatrat e zjarrit po shkojnë drejt izolimit. Në terren…