Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi përshpejtimin e procedurës për shqyrtimin e projektligjit që ndryshon dhe plotëson ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
None found
Sipas kërkesës së tij, mocioni për shmangien e procedurave duhej të hidhej në votim deri në orën 16:30. Më pas, komisioni funksional do ta trajtonte projektligjin deri në orën 17:00, ndërsa seanca për votimin e tij do të mbahej në orën 17:30.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së kërkojmë që mocioni për shmangien e procedurës të votohet sot, deri në orën 16:30. Komisioni funksional duhet që deri në orën 17:00 ta sjellë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar, ndërsa votimi të zhvillohet në orën 17:30”, deklaroi Tahiri.
Ai u kërkoi të gjitha grupeve parlamentare ta mbështesin nismën, duke vënë në dukje se një mocion i tillë kishte marrë mbështetje edhe në leximin e parë të projektligjit.
“I ftoj të gjitha grupet parlamentare ta mbështesin këtë mocion, njësoj siç vepruam gjatë leximit të parë”, u shpreh shefi i grupit të PDK-së.
Kundër kësaj kërkese doli kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo tha se në këtë moment duhet t’i kushtohet vëmendje zgjedhjes së presidentit dhe u bëri thirrje partive që të dakordohen për veprimet e ardhshme.
“E kuptojmë rëndësinë e kësaj çështjeje, por dakordimi ishte që kjo të bëhej pas takimit të Kurtit me Hamzën, në prani të shefave të grupeve parlamentare. Nuk e kuptoj se si, vetëm pak orë më vonë, vini me këtë kërkesë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë përparësia kryesore dhe paralajmëroi se dështimi i këtij procesi mund ta çojë vendin në zgjedhje.
“Është shumë e rëndësishme ta zgjedhim presidentin. Takohuni, gjeni një marrëveshje dhe pastaj ejani në seancë. Nuk ka çështje më të rëndësishme se zgjedhja e presidentit. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje”, tha kryetarja e Kuvendit.
Haxhiu u bëri thirrje gjithashtu liderëve politikë që të takohen dhe të arrijnë një marrëveshje, ndërsa kritikoi përdorimin politik të çështjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk është e drejtë të luani me ndjenjat e protestuesve që ndodhen jashtë. UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja, sepse ajo është e të gjithëve. Nuk mund ta trajtoni UÇK-në si pronë të një partie”, deklaroi Haxhiu.
Debatit iu bashkua edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se zhvillimet po ndiqen me shqetësim si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit.
“Po e përcjellim me shqetësim situatën, si në Kuvend, ashtu edhe jashtë tij. Ajo që kemi dëgjuar është se ekziston një zotim që ky projektligj të miratohet në dy lexime”, deklaroi Besnik Tahiri.
Më pas, fjalën e mori sërish Arian Tahiri, por ndërhyrja e tij u ndërpre në mes.
Ai argumentoi se kërkesa e PDK-së lidhej me ndjeshmërinë e situatës dhe me praninë e protestuesve jashtë ndërtesës së Kuvendit.
“Kryetare, ndjeshmëria e kësaj çështjeje dhe prania e protestuesve janë të rëndësishme. Sot Kuvendi është rrethuar nga qytetarë që protestojnë për këtë çështje. Kërkojmë që mocioni të shqyrtohet me urgjencë dhe të marrë fuqi të plotë po me urgjencë. UÇK-ja qëndron mbi çdo parti politike”, tha Tahiri.
Prokuroria kundërshtoi konkluzionet e ekspertëve mbrojtës të Vlladimir Danillovskit mbi terapinë e pacientëve onkologjikë gjatë marrjes në pyetje të sotme…
Projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka kaluar leximin e parë në…
Shqipëria do e mbyllë këtë muaj me sfidën ndaj San Marinos. Kjo përballje është rezervuar më datë 6 tetor, pikërisht…
Njohësi i çështjeve ligjore nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, paralajmëron se Kuvendi mund ta shkelë Rregulloren e punës…
Policia ka larguar një grup protestuesish nga hyrja e Kryesisë së Kuvendit, ku ishin mbledhur në pritje të deputetëve. Protestuesit…
Jules Kounde po përballet me një situatë të vështirë te Barcelona, ndërsa rënia e minutave të tij në dispozicion ka…