Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se ligji që ndryshon Ligjin për Gjykatën Speciale është hartuar në mënyrën më të përshtatshme dhe, sipas tij, nuk bie ndesh as me Kushtetutën dhe as me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
None found
Gruda pranoi se mbetet e hapur çështja nëse Gjykata Speciale do ta zbatojë këtë ligj, duke theksuar se ekziston shqetësimi se institucioni mund të tentojë ta interpretojë ndryshe.
“Është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse Gjykata Speciale do ta zbatojë ligjin e ri.
Deri tani, ajo ka dëshmuar se është e gatshme t’i interpretojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës sipas këndvështrimit të saj. Për këtë arsye, pres që të ketë pengesa edhe në zbatimin e këtij ligji.
Megjithatë, pyetja kryesore është nëse Kosova, si shtet, ka mundësi ta detyrojë Gjykatën Speciale ta zbatojë atë.
Përgjigjja është po, absolutisht po.
Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta bërë Gjykatën Speciale të zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë nevojitet vendosmëri nga shteti, institucionet dhe shoqëria. Dhe do t’ia dalim.
Ky ligj mund ta çojë Kosovën në një përballje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse një situatë e tillë krijohet, Kosova duhet ta mbrojë me forcë ligjin e saj. Besoj se në fund Gjykata Speciale do të jetë e detyruar ta zbatojë”, shkroi Gruda në Facebook.
Deputeti vijoi duke paraqitur argumentet e tij kushtetuese për ligjin.
“A është hartuar ligji në përputhje me kërkesat juridike? Po.
A e ndalon ky ligj Dhomën Kushtetuese në Hagë që ta shfuqizojë atë? Po.
A bie ligji ndesh me Kushtetutën? Jo.
Këtë e përcakton vetë Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës.
Neni 162, paragrafi 1, thotë se ‘organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar rregullohen me këtë nen dhe me ligj të veçantë’.
Po ashtu, paragrafi 3 përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ‘në përputhje me ligjin e veçantë’.
Pikërisht shprehja ‘në përputhje me ligjin e veçantë’ është thelbësore.
Kjo do të thotë se Kushtetuta e lidh juridiksionin e kësaj Dhome me ligjin e veçantë.
Çfarë kemi bërë ne? Nuk kemi ndërhyrë në Kushtetutë, por kemi ndryshuar ligjin në fushën që Kushtetuta e lë për t’u rregulluar dhe specifikuar përmes një ligji të veçantë.
Neni 23 tashmë përcakton qartë se Dhoma e Specializuar Kushtetuese merr vendime ‘ekskluzivisht dhe vetëm’ për referimet që kundërshtojnë vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Pra, kompetenca e Dhomës Kushtetuese nuk është eliminuar. Ajo vijon të shqyrtojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e institucioneve të Speciales.
Ndryshimi qëndron te kufizimi i përcaktuar nga ligji: ‘Dhoma e Specializuar Kushtetuese nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt, konkret, incidental dhe asnjë formë tjetër të kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053.’
Për ta bërë edhe më të qartë këtë çështje, paragrafi 2 i nenit 23 saktëson: ‘Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.’
Ndërkaq, paragrafi 3 përcakton: ‘Asnjë palë e autorizuar nga neni 113 dhe Amendamenti 24 i Kushtetutës nuk mund të kërkojë kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji në Dhomën Kushtetuese në Hagë, por vetëm në Gjykatën Kushtetuese në Prishtinë.’
Sipas Grudës, përfundimi juridik është i qartë: Kushtetuta e përcakton se juridiksioni ushtrohet ‘në përputhje me ligjin e veçantë’, ndërsa ky ligj ndan kompetencat mes Dhomës Kushtetuese në Hagë dhe Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.
Për këtë arsye, ai argumenton se ligji nuk e ka ndryshuar Kushtetutën, por ka përcaktuar më hollësisht juridiksionin, ashtu siç lejohet nga vetë Kushtetuta.
Një vendim, urdhër ose aktgjykim i Dhomave të Specializuara do të vazhdojë të kontrollohet nga Dhoma Kushtetuese në Hagë. Në të kundërt, kushtetutshmëria e këtij ligji të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 23, shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
“Ky është ndryshimi thelbësor.
Prandaj, ligji duhet të mbrohet në aspektin juridik, institucional dhe publik. Ne do të jemi këtu për ta mbrojtur dhe për të parë efektet e tij”, përfundoi deputeti Gruda.
Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka cilësuar zgjedhjen e…
Taulant Balla është përballur me pyetjet e Blendi Fevziut lidhur me pretendimet për përgjime të figurave të politikës nga Shërbimi…
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka replikuar në Kuvend me Elisa Spiropalin në lidhje me reformën territoriale. Berisha tha…
Mediumi i madh gjerman “Kicker” raporton se mbrojtësi Albian Hajdari ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe ka gjasa të mungojë…
Deputeti socialist Erion Braçe në një lidhje live për emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania është përgjigjur nëse ka…
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së vlerësoi se reagimet e ditëve të fundit ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat…