Categories: kosovë

Gjashtë ditë nga afati kushtetues, Kurti kërkon kompromis për presidentin – ekspertët analizojnë mundësitë

Kosova ka hyrë në ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, ndërsa kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje partive politike të arrijnë një marrëveshje të re. Afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi skadon më 6 tetor.

Të lidhura

None found

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, periudha 60-ditore për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht. Në rast se Kuvendi nuk e zgjedh kreun e shtetit brenda këtij afati, Kushtetuta përcakton shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Kurti ka deklaruar se partitë duhet të rikthehen në tryezën e dialogut për të gjetur një zgjidhje brenda Kuvendit, duke shmangur kështu një tjetër proces zgjedhor për një çështje që, sipas tij, mund të zgjidhet përmes marrëveshjes politike.

“Para nesh, përpos sot, kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re”, tha kryeministri.

Ai vlerësoi se ende ekziston mundësia për arritjen e një dakordimi dhe zgjedhjen e presidentit, çka do të evitonte zgjedhjet e reja.

“Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e përsëritura, të panevojshme e të kushtueshme, gjithsesi janë të shmangshme”, deklaroi Kurti.

Kreu i qeverisë u ka kërkuar subjekteve politike të ulen së bashku dhe të diskutojnë për një zgjidhje të përbashkët.

“Andaj, le të ulemi bashkë, sepse zgjedhjet e reja sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveç se pa Kuvend, edhe njëherë këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit, e Qeveria do të mbetej në detyrë”, tha ai.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse opozita do t’i përgjigjet kësaj ftese, nëse palët mund të gjejnë kompromis brenda pak ditësh dhe cilat kushte do të ishin të mjaftueshme për sigurimin e votave të nevojshme.

Për “Bota sot”, situatën e kanë komentuar profesori Nijazi Halili dhe anëtari i Guxo-s, Agim Rexhepi.

Nijazi Halili: Marrëveshja duhet të garantojë funksionimin e institucioneve

Profesori Nijazi Halili e konsideron situatën një pikë të rëndësishme për institucionet e Kosovës. Sipas tij, përcaktimi i 6 tetorit si afat kushtetues ka ngushtuar ndjeshëm hapësirën për kalkulime politike.

Halili thotë se kërkesa për një marrëveshje të re duhet të merret seriozisht nga të gjitha partitë parlamentare. Megjithatë, ai thekson se një ujdi mes liderëve nuk do të mjaftonte nëse nuk do të prodhonte konsensus në Kuvend dhe nëse nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën.

“Kosova ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm institucional. Pas përcaktimit të 6 tetorit si afat kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, hapësira për kalkulime politike është ngushtuar ndjeshëm.

Kërkesa për një marrëveshje të re politike është një mundësi që duhet të trajtohet seriozisht nga të gjitha subjektet parlamentare. Megjithatë, një marrëveshje e qëndrueshme nuk mund të jetë thjesht një ujdi ndërmjet liderëve partiakë; ajo duhet të prodhojë konsensus të mjaftueshëm në Kuvend dhe të respektojë plotësisht Kushtetutën”, deklaroi Halili për “Bota sot”.

Ai vlerëson se koha e mbetur është e shkurtër, por jo domosdoshmërisht e pamjaftueshme për një marrëveshje, nëse ekziston vullneti politik.

“Në këto rrethana, gjashtë ditë janë pak, por nuk janë domosdoshmërisht të pamjaftueshme. Nëse ekziston vullneti politik, dialogu intensiv mund të prodhojë një kompromis. Pengesa kryesore nuk është vetëm gjetja e një emri për Presidentin, por sigurimi i votave dhe ndërtimi i një mirëkuptimi që të mos mbetet peng i mospajtimeve brenda apo ndërmjet subjekteve politike. Përvoja e marrëveshjes së mëparshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut e dëshmon këtë problem”, u shpreh ai.

Sipas Halilit, çdo marrëveshje e re duhet të mbështetet në respektimin e Kushtetutës, transparencën politike dhe garantimin e funksionimit të institucioneve.

“Një marrëveshje e re duhet të përmbajë tri elemente themelore, respektimin e Kushtetutës, transparencën politike dhe garancinë për funksionalitetin e institucioneve. Kandidati për President duhet të jetë në gjendje të sigurojë mbështetje përtej një grupimi të vetëm politik dhe të shihet si përfaqësues i institucionit të shtetit, jo vetëm i një force politike”, theksoi profesori.

Ai u ka bërë thirrje liderëve dhe deputetëve që të nisin menjëherë dialogun dhe të shmangin kërkesat që e bëjnë të pamundur kompromisin.

“Apeli im është i drejtpërdrejtë: të gjitha subjektet politike duhet të ulen menjëherë në tryezën e dialogut, pa kushte që e bëjnë kompromisin të pamundur. Në këtë fazë, përgjegjësia nuk i takon vetëm shumicës apo vetëm opozitës, por të gjithë deputetëve dhe liderëve politikë. Kuvendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake”, deklaroi Halili.

Profesori beson se zgjedhjet e reja mund të evitohen nëse arrihet një marrëveshje kushtetuese dhe sigurohen votat e nevojshme në Kuvend.

“Nëse palët arrijnë një kompromis kushtetues dhe sigurojnë votat e nevojshme, zgjedhjet e reja mund të shmangen. Në të kundërtën, moszgjedhja e Presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta krijon pasojat institucionale të parashikuara prej saj, përfshirë shpërndarjen e Kuvendit dhe procesin e ri zgjedhor”, tha ai.

Halili e përmbyll qëndrimin e tij me vlerësimin se partitë duhet të përqendrohen te zgjidhja dhe jo te përplasjet politike.

“Prandaj, sot nuk është koha për të kërkuar fajtorë të rinj, por për të kërkuar zgjidhje institucionale. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe kompromis. Institucionet e Republikës nuk duhet të mbahen peng nga përplasjet partiake. Nëse ekziston vullneti politik, zgjidhja ende është e mundshme; nëse mungon ai vullnet, kostoja do të jetë një tjetër cikël pasigurie institucionale”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.

Agim Rexhepi: Tani nevojitet përgjegjësi dhe jo një tjetër palë zgjedhjesh

Anëtari i Guxo-s, Agim Rexhepi, e përshkruan situatën si një tjetër moment vendimtar për Kosovën. Sipas tij, tejkalimi i ngërçit është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë.

“Kosova është përsëri përballë një momenti vendimtar. Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor dhe, nëse Kuvendi dështon ta përmbushë këtë përgjegjësi, vendi mund të hyjë në një tjetër proces zgjedhor”, tha Rexhepi në një prononcim për “Bota sot”.

Ai vlerëson se propozimi i Kurtit për një marrëveshje të re duhet parë si përpjekje për të parandaluar një krizë tjetër institucionale dhe jo si kërkesë për përfitim partiak.

“Në këtë situatë, thirrja e Albin Kurtit për një marrëveshje të re politike nuk duhet të interpretohet si kërkesë për privilegj partiak, por si kërkesë për ta zhbllokuar një situatë që po kërcënon të prodhojë edhe një tjetër krizë institucionale”, u shpreh ai.

Rexhepi kujtoi se edhe dakordimi i mëparshëm për kandidaturën e Bekim Sejdiut dështoi të merrte mbështetjen e nevojshme në Kuvend. Sipas tij, gjashtë deputetë të LDK-së kishin deklaruar se nuk do ta votonin atë kandidaturë.

“Pyetja sot nuk është se kush fiton politikisht nga zgjedhjet e reja. Pyetja është: kush merr përgjegjësi për pasojat e tyre? Kurti dhe LDK-ja tashmë kishin arritur një marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, por ajo nuk u realizua pasi gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesnin. Kjo e la marrëveshjen pa numrin e nevojshëm të votave”, deklaroi Rexhepi.

Ai thekson se sfida kryesore e një marrëveshjeje të re do të jetë sigurimi i votave dhe jo vetëm dakordimi politik për emrin e kandidatit.

“Një marrëveshje e re nuk mund të jetë marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe as marrëveshje për interesa të ngushta partiake. Ajo duhet të jetë marrëveshje për funksionimin e shtetit: një kandidat që mund të sigurojë votat e nevojshme, respektim të procedurave kushtetuese dhe një zotim politik që Kosova të mos hidhet përsëri në një cikël bllokadash dhe zgjedhjesh”, theksoi ai.

Rexhepi vuri në dukje se institucionet kryesore tashmë janë krijuar dhe se zgjedhja e presidentit është çështja e fundit që duhet të përfundojë. Qeveria e re, e drejtuar nga Albin Kurti, u zgjodh më 13 shtator me 62 vota.

“Sepse qytetarët kanë votuar tashmë. Kuvendi është formuar. Qeveria është zgjedhur më 13 shtator me 62 vota. Tani institucioni që ka mbetur për t’u zgjedhur është Presidenti i Republikës”, tha Rexhepi.

Sipas tij, marrëveshja e kaluar dëshmoi se dakordimi mes liderëve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me vota konkrete në Kuvend.

“Marrëveshja e kaluar tregoi pikërisht këtë problem: edhe kur drejtuesit politikë arrijnë një mirëkuptim, ai nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në vota reale në Kuvend. Prandaj, në këto ditë të fundit, përgjegjësia është mbi të gjithë deputetët.

Nuk është koha për kushte të pafundme. Nuk është koha për kalkulime se kush del më mirë në zgjedhjet e ardhshme. Është koha për ta pyetur veten se çfarë i duhet Kosovës sot. Nëse ka një kandidat që mund të marrë mbështetjen e nevojshme, nëse ka një formulë që garanton funksionalitet institucional dhe nëse ka vullnet politik për kompromis, atëherë marrëveshja duhet të bëhet”, u shpreh ai.

Rexhepi tha se gjashtë ditët e fundit duhet të shfrytëzohen për bisedime dhe përpjekje konkrete drejt kompromisit.

“Albin Kurti ka bërë thirrje që partitë të ulen përsëri në tavolinë. Tani topi është te të gjithë aktorët politikë.

Prandaj, gjashtë ditët e fundit nuk duhet të përdoren për akuza, por për zgjidhje. Kosova ka nevojë për institucione, jo për një tjetër cikël bllokade. Ka nevojë për përgjegjësi, jo për kalkulime. Dhe nëse ekziston një mundësi për marrëveshje, ajo duhet të shfrytëzohet. Sepse shteti duhet të jetë më i madh se interesi i çdo partie politike”, përfundoi Agim Rexhepi për “Bota sot”.

të fundit

Italy, life imprisonment for 59-year-old man who killed his wife and son and seriously injured his daughter

Salvatore Ocone është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij dhe djalit 15-vjeçar në Paupisi, në…

43 seconds ago

Xhuana Nikolli’s suicide attempt, ex-husband Eraldo Fizi turns himself in to police

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim për vdekjen e…

1 minute ago

VIDEO/ Student protests escalate in France, with arrests and clashes, 76 injured

Protestat studentore që kanë përfshirë Francën prej ditësh kanë vijuar edhe këtë të mërkurë, ndërsa në disa qytete janë shënuar…

2 minutes ago

SHISH scandal, Dashamir Shehi: If this had happened in Austria or Germany, the prime minister would have left immediately! Rama’s state does not work

Ish-deputeti Dashamir Shehi ka komentuar çështjen që lidhet me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, duke kërkuar që përgjegjësia të mos…

2 minutes ago

Guardiola i del në krah Manchester Cityt pas vendimit të Komisionit të pavarur

Pep Guardiola ka reaguar pas vendimit të Komisionit të pavarur lidhur me çështjen financiare të Manchester Cityt, duke shprehur mbështetjen…

5 minutes ago

Itali, burgim i përjetshëm për 59-vjeçarin që vrau gruan dhe djalin, si dhe plagosi rëndë vajzën

Salvatore Ocone është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij dhe djalit 15-vjeçar në Paupisi, në…

11 minutes ago