Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për përgjegjësi të institucioneve në mbrojtjen e grave, duke nënvizuar se një grua që denoncon dhunën nuk duhet të mbajë mbi supe edhe barrën e koordinimit institucional.
Gjatë ceremonisë së hapjes së fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila këtë vit zhvillohet me moton “Raporto dhunën”, Gërvalla prezantoi të dhënat për periudhën janar–tetor 2026. Në Kosovë, gjatë këtyre dhjetë muajve, janë vrarë tetë gra dhe janë regjistruar 2 303 raste të dhunës në familje. Në total janë shënuar 2 361 viktima, përfshirë 1 797 gra dhe vajza.
None found
Sipas ministres, denoncimi shënon vetëm fillimin e procesit. Pas tij, institucionet kanë përgjegjësinë të sigurojnë mbrojtjen e viktimave dhe qasjen e tyre në drejtësi.
Gërvalla tha se gratë që raportojnë dhunën shpesh kanë jetuar gjatë me frikë e pasiguri dhe u është dashur të shqetësohen për fëmijët, strehimin dhe të ardhmen.
“Po i kërkojmë thjesht të na besojë. T’i besojë Qendrës për Punë Sociale, policisë, Mbrojtësit të viktimave, prokurorisë, gjykatës dhe të gjitha instancave tjera. T’i besojë se shteti do ta mbrojë. Dhe këtë besim, zonja dhe zotërinj, duhet ta meritojmë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar rastit të Arlinda Zekajt, ministrja tha se duhet të jepen shpjegime të plota për veprimet e institucioneve dhe nëse janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për t’ia mbrojtur jetën.
Ajo kërkoi shqyrtim të çdo vendimi dhe mosveprimi që mund të ketë ndikuar në mbrojtjen e viktimës, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet me seriozitet dhe paanshmëri.
“Familja e saj meriton përgjigje, djali i saj meriton përgjigje. Gratë që sot jetojnë në rrezik kanë nevojë që nga këto përgjigje të dalin ndryshimet e nevojshme”, u shpreh Gërvalla.
Ministrja theksoi se mbrojtja efektive e grave kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes Policisë, prokurorisë, gjykatave, shërbimeve sociale, mbrojtësve të viktimave dhe strehimoreve. Në rastet me rrezik të lartë, paralajmëroi ajo, çdo vonesë mund të sjellë pasoja serioze. Për këtë arsye, vlerësimi i rrezikut, ndarja e informacionit dhe zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë pjesë e punës së përditshme.
Gërvalla foli edhe për Strategjinë e re Kombëtare 2027–2031, e cila synon të trajtojë probleme konkrete, mes tyre reagimin e vonuar të institucioneve, mungesën e shërbimeve dhe paqartësitë rreth përgjegjësive.
Ajo nënvizoi se ndihma për viktimat duhet të vazhdojë edhe pas raportimit dhe të përfshijë strehim, përkrahje juridike e psikologjike, si dhe mundësi për pavarësi ekonomike.
Ministrja u bëri thirrje edhe burrave që të angazhohen në luftën kundër dhunës ndaj grave, duke theksuar se kjo çështje nuk u përket vetëm grave.
“Pa ju të nderuar vëllezër, pa ju të nderuar zotërinj, nuk do të mund ta fitojmë betejën kundër dhunës ndaj grave”, tha ajo.
Në përfundim, Gërvalla iu drejtua grave dhe vajzave që përjetojnë dhunë, duke u kujtuar se ato nuk kanë faj dhe se kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje.
Ajo falënderoi profesionistët dhe organizatat që u qëndrojnë pranë viktimave. Po ashtu, bëri të ditur se ushqimet, lulet dhe shallet portokalli të ceremonisë janë përgatitur nga gratë që vuajnë dënimin në burgjet e Lipjanit dhe Prishtinës, si shenjë solidariteti me Arlindën dhe me të gjitha gratë që përballen me dhunë.
“Thirrja jonë ‘Raporto dhunën’ na ngarkon edhe neve me një detyrim: ta meritojmë besimin që kërkojmë, duke vepruar në kohë. Kjo është puna jonë 16 ditë, por përtej tyre, çdo ditë të vitit”, përfundoi Gërvalla.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se është hapur zyrtarisht fushata “16 Ditët e Aktivizmit…
Manchester Unitedi nuk ka arritur të merr më shumë se një pikë në udhëtim te Sporting Lisbon.“Djajtë e Kuq” u…
Interi ka shënuar fitore 2-0 ndaj Stuttgartit, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e…
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka zbuluar emrin që PD ka përzgjedhur si kandidat të mundshëm për Bashkinë e…
Kryetari i LSDM-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në emisionin “Studio e Natës” në 4TV, deklaroi se është i…
Gjyqtarët në Izrael i kanë rekomanduar prokurorisë të shqyrtojë tërheqjen e akuzave për ryshfet ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një…