Ftesës për takim që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua ka dërguar liderëve politikë, i janë përgjigjur pozitivisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Aleanca e ka refuzuar.
None found
Njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Deda, e konsideron hap pozitiv dërgimin e këtyre ftesave, por thekson se përgjegjësia tani bie mbi Albin Kurtin, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së që, sa më shpejt, t’i sigurojnë vendit stabilitet institucional.
Sipas tij, nuk duhet lejuar që procesi të zvarritet me takime të shumta e të shkurtra pa rezultat.
“I përket tre individëve që kanë peshë politike që të gjejnë zgjidhje dhe të mos të hyjmë në cikël të takimeve të shpeshta, të shkurtra, të cilat nuk japin rezultat. Unë besoj që është kohë e fundit që me një apo dy takime maksimum, të japin përgjigje për krijim të institucioneve”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.
Ai e quan të gabuar vendimin e kreut të Aleancës, Ardian Gjini, për të mos marrë pjesë në takim me Kurtin, ndonëse vlerëson se gjashtë kushtet që kjo parti ka paraqitur në këmbim të mbështetjes për themelimin e institucioneve janë korrekte dhe të mira.
“Në demokraci politike, liderët politikë komunikojnë njëri me tjetrin përtej rivalitetit politik”, thotë ai, duke shtuar se edhe pa Gjinin, tre liderët duhet të tregojnë nëse janë “të aftë që së bashku të vijnë deri te një marrëveshje e cila do t’i jepte fund kësaj krize institucionale në vendin tonë”.
Deda thotë se nuk dihet nëse Kurti i ka thirrur takimet vetëm për çështjen e presidentit apo edhe për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, por vlerëson se pas përfundimit të tyre, liderët duhet të sqarojnë publikisht cilat ishin kërkesat, nëse janë pranuar dhe nëse vendi do të krijojë institucionet.
“Unë mendoj që zgjedhjet e reja do të ishin shumë të dëmshme dhe që Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”, shprehet Deda.
Për mënyrën e zhvillimit të këtyre takimeve, ai rikujton se modeli i mëparshëm i takimeve kokë më kokë mes liderëve nuk solli rezultat, prandaj mendon se formati 2+2 kësaj here “ndoshta do të jetë më rezultativ”.
Deda mbështet edhe idenë që në krye të shtetit të vijë një president “politik, por jo partiak”, duke shtuar se në Kosovë ka figura të tilla që “do të ishin shumë pozitiv” për vendin.
LVV-ja kërkon që presidenti të jetë figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërsa LDK-ja në zgjedhje garoi me emrin e ish-presidentes Vjosa Osmani për këtë post.
Edhe ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do ta shqyrtonte emrin e tij nëse do të propozohej si kandidat i përbashkët i opozitës për president, por kjo ide është kundërshtuar nga partia e Kurtit.
Disa muaj më parë, LVV-ja e Kurtit kishte propozuar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën nga shoqëria civile për postin e presidentit, por mungesa e marrëveshjes me partitë opozitare bëri që këto kandidatura të mos i siguronin votat e nevojshme.
Vendi shkoi në zgjedhje në qershor, pasi muaj më parë partitë nuk arritën pajtim për kandidatin e presidentit të ri.
Çfarë thanë Hamza, Abdixhiku e Gjini?
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi më herët gjatë ditës se i ka propozuar Kurtit që takimi të mbahet të premten në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Mëngjesin e 9 korrikut, Kurti, si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, u dërgoi ftesa për takim Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjinit të Aleancës.
Kjo letër u dërgua një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.
Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Hamza tha se në letrën e Kurtit ishte propozuar që takimi të mbahej sot në orën 17:00 ose nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00.
“Unë ja ktheva shkresën që PDK është e gatshme të takohet nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit”, tha Hamza.
Ai u shpreh se vendi ndodhet përballë një vakumi institucional dhe se të gjithë duhet të sillen me përgjegjësi.
“Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat, e kam thënë dhe po e përsëris, janë tepër të rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.
Në një komunikatë, PDK theksoi se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për krijimin e institucioneve i takon LVV-së si partia fituese e zgjedhjeve.
“Për këtë arsye, presim që Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme”, u tha në njoftim.
Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, duke nënvizuar se ky ishte komunikimi i parë mes LVV-së dhe LDK-së.
“Besoj që kohën e takimeve do ta aranzhojnë ekipet tona. Por, ky le të jetë një takim i parë. Do të provoj të takohem edhe me liderët e partive politike”, tha Abdixhiku, duke shtuar se kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për krijimin e të gjitha institucioneve.
Ai bëri të ditur se takimi me Kurtin ishte propozuar në formatin 1+1, por se preferon që ai të mbahet 2+2.
I pyetur nëse LDK-ja do të kërkojë postin e presidentit, duke qenë se partia garoi me ish-presidenten Vjosa Osmani për atë pozitë, Abdixhiku u përgjigj:
“Në këtë fazë nuk do të flasim për emra. Do të dëgjojmë edhe palën tjetër”, duke shtuar se është me rëndësi të provohet shmangia e zgjedhjeve të reja.
Nga ana tjetër, kreu i Aleancës, Ardian Gjini, përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se e ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin, duke kujtuar se qëndrimin e partisë e ka bërë publik më 26 qershor, kur prezantoi gjashtë kushtet në këmbim të mbështetjes për krijimin e institucioneve.
“Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në shkresën që Gjini i ka dërguar Kurtit.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, hapi i radhës pritet të jetë konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.
Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.
Duke qenë se LVV-ja duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të përballen me pengesa, pasi për të dyja nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse. Për këto dy procese, Kurti llogarit në votat e partive pakicë joserbe, që kanë dhjetë mandate.
Megjithatë, për emrin e presidentit ende nuk ka marrëveshje apo konsensus.
Cilat janë qëndrimet e partive?
Zyrtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë disa ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se partia në pushtet i ka siguruar votat për krijimin e Qeverisë së re dhe se për zgjedhjen e presidentit do të kërkojë konsensus me partitë e tjera.
PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë shprehur kushte të caktuara për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në e Kurtit.
Hamza ka deklaruar se, para se të flitet për një bashkëpunim të mundshëm qeverisës, duhet të diskutohen tema si pagat dhe pensionet, kapacitetet energjetike, gazi amerikan dhe anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, të cilat, sipas tij, duhet të trajtohen me partinë fituese.
Abdixhiku ka thënë se orientimi strategjik i Kosovës, përfshirë gazin amerikan, “janë parakushti i ekzistencës politike” të LDK-së.
Ndërsa Gjini ka paraqitur gjashtë kushte për mbështetjen e krijimit të institucioneve të reja. Mes tyre janë pranimi i projektit të gazit amerikan, ndërtimi i një termocentrali me thëngjill dhe kushte të tjera që lidhen me ekonominë.
Qeveria në detyrë e Kurtit po përballet me thirrje nga Ambasada amerikane, partitë opozitare dhe odat ekonomike që të përfshihet në nismat rajonale të rrjetit të gazit të lëngshëm natyror (LNG), të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
Deda vlerëson se të gjitha kërkesat e partive opozitare janë në interes të Kosovës dhe se, sipas tij, ato synojnë rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe thellimin e “partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.
“Këtu nuk ka asgjë të keqe. Edhe tek e fundit, për një projekt strategjik siç është gazi amerikan, asnjë parti politike e vetme nuk mund të marrë përgjigje në emër të shtetit të Kosovës. Kjo duhet të jetë pjesë e diskutimit të marrëveshjes së të gjitha partive politike. Kështu veprohet në vendet e tjera, të cilat e kanë, sidomos ato të cilat e kanë të qarta çfarë të ardhme duan të ndërtojnë”, thotë ai.
Më 8 korrik, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e përsëriti thirrjen që Kosova të furnizohet me LNG-në amerikane “për të siguruar investime amerikane në të ardhmen”.
Megjithatë, deri tani, nga ekzekutivi nuk janë dhënë sinjale se ka gatishmëri për t’u bërë pjesë e këtyre nismave, ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kurti kanë përmendur idenë e gazifikimit të thëngjillit vendas.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, në mënyrë që votimi në dy rundet e para të jetë i vlefshëm.
Pa një marrëveshje politike, kjo mbetet e pamundur për secilën parti parlamentare.
Kushtetuta përcakton se presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025. / REL
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se…
Ditën e sotme, në ditën e 40-të të qëndresës qytetare përpara Kryeministrisë, eksperti i IT-së dhe aktivisti Genti Progni ka…
TIRANË – Protestuesit vijojnë marshimin në akset kryesore të kryeqytetit, duke vijuar tubimin e tyre në ditën e 40-të të…
Mbledhja e sotme në Strasburg e Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asocim Shqipëri-Bashkimi Evropian nuk prodhoi një rezolutë të përbashkët. Shkak u…
Pas përfundimit të fjalimeve të fuqishme dhe plot mesazhe simbolike nga ana e aktivistëve dhe qytetarëve përpara godinës së Kryeministrisë,…
Dy vjet pas vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga, Prokuroria pranë Gjykatës së Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për…