Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Milan Radoiçiq, i cili ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023 dhe për të cilin është lëshuar një “Red Notice” nga Interpol, nuk po përballet me ndjekje penale për ndonjë vepër kriminale.
None found
Siç u shpreh Vuçiq, procedurat që lidhen me të nuk burojnë nga akuza të caktuara penale, por nga rrethanat politike dhe tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ai deklaroi në një konferencë për media: “S’keni thënë pse Milan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”.
Këto deklarata vijnë në një moment kur rasti i Banjskës mbetet ndër çështjet më delikate të sigurisë në rajon, duke nxitur reagime të shumta si nga institucionet në Kosovë, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Njohësi i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, i kundërshtoi deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se ato kanë për qëllim të zbehin përgjegjësinë e Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë.
Berisha tha: “Sigurisht që këtë deklaratë të presidentit Vuçiq e shoh si vazhdimësi të një qasjeje që synon ta relativizojë përgjegjësinë e Milan Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë. Pretendimi se ai nuk po ndiqet për krim, por vetëm “për shkak të Kosovës”, bie ndesh me faktin se Radoiçiq ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ndaj tij ekziston një njoftim i kuq i Interpolit në bazë të procedurave penale të zhvilluara nga autoritetet e Kosovës”.
Sipas tij, një qasje e tillë nga Serbia përcjell një sinjal shqetësues, pasi lë përshtypjen se po ofrohet mbrojtje politike për një person të akuzuar për sulmin në Banjskë.
Ai theksoi se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe me respektimin e sundimit të ligjit dhe me bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.
“Mendoj se kjo qasje dërgon një mesazh shqetësues, sepse krijon përshtypjen e mbrojtjes politike për një person të akuzuar për një sulm të rëndë të armatosur. Kjo nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, por edhe e respektimit të parimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.
Konsideroj se partnerët ndërkombëtarë duhet ta marrin seriozisht këtë retorikë dhe të kërkojnë bashkëpunim të plotë nga Serbia me mekanizmat e drejtësisë. Nëse një person i kërkuar për një sulm të tillë mbetet i mbrojtur politikisht dhe nuk përballet me drejtësinë, kjo rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e angazhimeve të Serbisë ndaj sundimit të ligjit dhe stabilitetit rajonal”, nënvizoi ai për “Bota sot”.
Edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vlerësoi se deklaratat e Aleksandar Vuçiqit për Milan Radoiçiqin përbëjnë sfidë ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe tentojnë ta zhvendosin një rast penal të lidhur me sulmin në Banjskë në një kornizë politike.
Sipas Elezit, kjo reflekton mungesë vullneti nga Serbia për të bashkëpunuar në ndjekjen e përgjegjësisë penale.
Ai u shpreh: “Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Milan Radoiçiqin nuk përbëjnë më thjesht një qëndrim politik, por një sfidë të hapur ndaj parimeve themelore të drejtësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit juridik mes shteteve.
Pretendimi se Radoiçiq “nuk kërkohet për krim, por për shkak të Kosovës” është një përpjekje e qartë për të zhvendosur një çështje penale të rëndë në një narrativë politike. Kjo narrativë bie ndesh me faktin se rasti lidhet me sulmin e armatosur në Banjskë të vitit 2023, një incident që ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Në vend të distancimit institucional nga një individ që ka marrë publikisht përgjegjësinë për një akt të tillë, diskursi politik nga Beogradi ka shkuar në drejtim të relativizimit dhe mbrojtjes indirekte. Kjo qasje krijon një perceptim serioz në opinionin ndërkombëtar se ekziston një mungesë e vullnetit politik për bashkëpunim në ndjekjen e përgjegjësisë penale, sidomos kur ajo prek struktura të ndërlidhura me interesat shtetërore”.
Elezi shtoi se rasti i Banjskës nuk duhet parë si një ngjarje e shkëputur, por si një rast që kërkon hetim edhe për strukturat mbështetëse dhe për përgjegjësinë politike. Sipas tij, mungesa e një aktakuze gjithëpërfshirëse hap rrugë për mohim politik dhe shtrembërim të fakteve.
“Rasti Banjska nuk mund të trajtohet si episod i izoluar kriminal. Ai përfaqëson një model të organizimit të dhunës së strukturuar, ku pyetjet kryesore nuk lidhen vetëm me ekzekutorët, por me zinxhirin e mundshëm të komandës, mbështetjes logjistike dhe politike. Pikërisht këtu lind edhe dimensioni më i ndjeshëm: përgjegjësia shtetërore dhe politike, e cila nuk mund të fshihet pas narrativave deklarative.
Në këtë kontekst, mungesa e një aktakuze gjithëpërfshirëse që të adresojë jo vetëm autorët e drejtpërdrejtë, por edhe strukturat mbështetëse dhe dimensionin ndër-shtetëror të mundshëm, përbën një boshllëk serioz në trajtimin juridik të rastit. Ky vakum institucional i jep hapësirë mohimit politik dhe deformimit të fakteve.
Prandaj, deklaratat e Vuçiqit nuk janë thjesht koment politik, por pjesë e një diskursi që rrezikon të normalizojë mos-ndëshkueshmërinë për aktet e dhunës së organizuar. Nëse figura të tilla mbrohen politikisht në vend që të distancohen juridikisht, atëherë vihet në pikëpyetje jo vetëm sundimi i ligjit në Serbi, por edhe serioziteti i angazhimeve të saj ndërkombëtare”.
Në fund, Elezi theksoi se çështja e Banjskës tashmë është një provë për drejtësinë ndërkombëtare dhe se përgjegjësia penale nuk duhet të zëvendësohet me narrativa politike.
“Ky rast tashmë e tejkalon kornizën Kosovë–Serbi. Ai është test për Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë: nëse parimi i përgjegjësisë penale zbatohet pa standarde të dyfishta, apo nëse lejohet që narrativat politike të zëvendësojnë përgjegjësinë juridike.
Në fund, Banjska mbetet një pikë ndarëse mes dy botëve: asaj të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj, dhe asaj të politikës së forcës, ku përgjegjësia relativizohet dhe dhuna trajtohet si instrument i justifikueshëm politik” – përfundon ai për “Bota sot”.
Dua Lipa është fotografuar në rrugët e New York-ut, duke nxitur spekulime se mund të jetë mes të ftuarve në…
Barcelona nuk dëshiron që çështja e Julian Alvarez të shndërrohet në një sagë të pafund gjatë gjithë afatit kalimtar të…
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prag të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara…
Reshjet e dendura të shiut por edhe breshrit në disa vende që përfshinë rajonin e Shkupit dhe qytete tjera të…
Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Koçan dhe ka të bëjë me S. Sh. S. (53) nga…
Gjykata e Lartë në Serbi i caktoi 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i arrestuar më 1 korrik…