Categories: kosovë

Dimitrievski paralajmëron largimin e ZNAM-it nga Qeveria për provimin në shqip; analistët: kërkohet barazi, jo privilegj

Maksim Dimitrievski, kreu i Lëvizjes ZNAM dhe partner në koalicionin qeverisës të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar se partia e tij mund të largohet nga Qeveria nëse miratohet lejimi i provimit të jurisprudencës edhe në shqip.

“Nëse Qeveria vendos ndryshe, partia është e gatshme të dalë nga koalicioni qeverisës”, tha Dimitrievski më 6 nëntor, në një intervistë për televizionin “Sitel”.

Të lidhura

None found

Ai riafirmoi kundërshtimin e ZNAM-it ndaj zhvillimit të provimit në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes dhe njoftoi se do të kërkojë bisedime me partnerët qeveritarë.

Kreu i ZNAM-it tha se, në takimin e ardhshëm me kryeministrin, do të kërkojë mbledhjen e liderëve të koalicionit. Sipas tij, kjo temë nuk është trajtuar më parë hapur me partnerët në Qeveri dhe duhet të përcaktohen “vijat e kuqe”, si dhe pasojat që çështja mund të ketë në të ardhmen për shtetin dhe sistemin e drejtësisë.

Në një deklaratë të mëparshme për “Fokus”, Dimitrievski ishte shprehur se zgjidhja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, duke shtuar se çështja nuk duhet të kthehet në objekt të presionit të përditshëm politik.

Diskutimi për mundësinë e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip ka vijuar prej muajsh, por institucionet ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar për kërkesën e studentëve shqiptarë.

Në prill të këtij viti, 385 studentë shqiptarë iu drejtuan institucioneve për të kërkuar që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Ministria e Drejtësisë e hodhi poshtë kërkesën, pas së cilës studentët protestuan para ministrisë, duke kërkuar njohjen e të drejtave të tyre gjuhësore.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë deklarata të ndryshme për këtë çështje. Në fillim u shpreh se studentëve duhet t’u jepet mundësia ta japin provimin në shqip, por më pas ndryshoi qëndrim dhe tha se ligji në fuqi nuk e lejon këtë.

Akademiku Vllado Kambovski ka sqaruar se rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhen me zhvillimin e procedurave gjyqësore, jo me gjuhën e provimit të jurisprudencës. Sipas tij, provimi mund të jepet edhe në shqip, por kandidatët duhet të zotërojnë mirë maqedonishten dhe terminologjinë juridike.

Për “Bota sot”, profesori i gjuhës shqipe Sulejman Mehazi dhe analisti politik Vesel Makolli kanë kundërshtuar qëndrimin e ZNAM-it dhe kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.

Mehazi: Gjuha shqipe po përdoret nga Dimitrievski si mjet presioni politik

Profesori Sulejman Mehazi ka kritikuar ashpër Maksim Dimitrievskin, duke e krahasuar qëndrimin e tij me atë të Listës Serbe në Kosovë.

Mehazi vlerëson se kërcënimi për largim nga Qeveria shërben si presion politik. Ai thotë se kundërshtimi për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në shqip tregon se shqiptarët dhe gjuha e tyre vazhdojnë të shihen si problem në vend.

Profesori ka vënë në pikëpyetje edhe bashkëpunimin politik të Dimitrievskit me përfaqësues të tjerë, të cilët, sipas tij, mbajnë qëndrime nacionaliste ndaj shqiptarëve.

“Lëvizja ZNAM e Dimitrievskit është një partner i vogël në Qeverinë e Mickoskit dhe ndikimi i saj politik është simbolik. Ajo nuk ka forcë t’u vendosë ‘vija të kuqe’ përdorimit të shqipes. Dimitrievski vetëm paraqitet si mbrojtës i maqedonishtes dhe i Kushtetutës së RMV-së përpara elektoratit maqedonas. Paralajmërimi për largim nga Qeveria nuk është më shumë se një mjet presioni mes partive në pushtet”, deklaroi Mehazi.

Ai u ka kërkuar partive shqiptare, si atyre qeverisëse, ashtu edhe opozitës, të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët dhe të qartë për zbatimin e të drejtave gjuhësore.

“Kërcënimi i Dimitrievskit për t’u larguar nga Qeveria tregon se në RMV shqiptarët dhe gjuha shqipe trajtohen si problem, e jo si vlerë e një shteti multietnik”, u shpreh Mehazi.

Ai shtoi se partitë shqiptare duhet t’i qartësojnë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre për zbatimin e garancive kushtetuese dhe ligjore që lidhen me përdorimin e shqipes.

Makolli: Maqedonia e Veriut mund të marrë Kosovën si shembull

Edhe analisti politik Vesel Makolli ka reaguar ndaj kundërshtimit të Dimitrievskit për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Makolli tha për “Bota sot” se debati ka aspekte juridike, kushtetuese, politike dhe ndëretnike. Ai kujtoi se, sipas regjistrimit të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind të popullsisë rezidente të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shqipja gëzon status bashkëzyrtar sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Sipas analistit, çështja nuk kufizohet te statusi formal i gjuhës shqipe, por ka të bëjë edhe me zbatimin real të të drejtave gjuhësore në institucionet shtetërore.

Si shembull, Makolli solli Kosovën, ku serbishtja është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin, pavarësisht përqindjes së komunitetit serb.

“Pse Maqedonia e Veriut të mos ndjekë shembullin e Kosovës, ku serbishtja, gjuhë e një komuniteti që përbën një pjesë shumë më të vogël të popullsisë dhe nuk kalon 3 për qind, ka status zyrtar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës?”, tha Makolli.

Ai nënvizoi se barazia kushtetuese dhe të drejtat gjuhësore duhet të reflektohen në punën e përditshme të institucioneve, e jo të mbeten vetëm parime të shkruara.

Makolli kundërshtoi edhe mënyrën se si, sipas tij, ZNAM-i interpreton rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ai theksoi se rekomandimet rreth përdorimit të gjuhëve në proceset gjyqësore nuk përcaktojnë që provimi i jurisprudencës duhet të zhvillohet vetëm në maqedonisht.

“Komisioni i Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, ka shprehur shqetësimin se detyrimi për dygjuhësi në procedurat gjyqësore mund të sjellë vonesa në punën e gjykatave. Por bëhet fjalë për dy çështje juridikisht të ndryshme: Komisioni ka shqyrtuar përdorimin e gjuhëve në procedura gjyqësore, ndërsa provimi i jurisprudencës është një provim profesional që organizohet nga Ministria e Drejtësisë. Nuk është e saktë të pretendohet se Komisioni i Venecias ka rekomanduar shprehimisht që provimi të mbahet vetëm në maqedonisht”, tha ai.

Në përfundim, Makolli kërkoi që partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut të bashkërendojnë veprimet e tyre dhe që institucionet e Kosovës e Shqipërisë të angazhohen për këtë çështje.

Sipas tij, diplomacia dhe bashkëpunimi me përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet të përdoren për të kërkuar zbatimin e plotë të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk po kërkohet privilegj i posaçëm, por trajtim i barabartë, respekt për identitetin kombëtar dhe zbatim i garancive kushtetuese. Nevojitet një qëndrim i përbashkët, i vendosur dhe, mbi të gjitha, institucional nga faktori politik shqiptar. Përmes koordinimit të brendshëm dhe angazhimit të diplomacisë shqiptare mund të kërkohet që barazia dhe të drejtat gjuhësore të zbatohen plotësisht edhe në praktikë”, përfundoi Makolli për “Bota sot”.

të fundit

Gjobat ndaj protestuesve/ Fatos Lubonja: Regjimi dobësohet kur njerëzit nuk tremben!

Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në emisionin Minuta e parë në News24 komentoi faktin që SPAK ka nisur hetimet…

5 minutes ago

VLEN: Musa Xhaferi po bllokon ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Shqipërinë

Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar hyrje-hyrje ka ngecur në…

15 minutes ago

ZYRTARE: Renault Clio, vetura më e shitur në Kosovë gjatë tetë muajve të parë të 2026

Një numër mjafton për ta treguar historinë: 206. Pikërisht kaq Renault Clio të rinj janë homologuar në Kosovë nga janari…

18 minutes ago

Videoja e pastrimit të një Ford Mustang të vitit 1965 tërheq vëmendje në internet

Një krijues përmbajtjesh nga Pensilvania ka realizuar një pastrim jashtëzakonisht të kënaqshëm të një Ford Mustang klasik të vitit 1965,…

18 minutes ago

Filipçe accuses Mickoski over Alta Banka’s entry into Macedonia and ties to Vučić

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se e ka futur Maqedoninë…

19 minutes ago

Investigators face pressure and threats / SPAK requests psychologists for BKH: investments also for furniture and paper shredders

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ka kërkuar psikologu institucional për të mbështetur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për…

19 minutes ago