Categories: kosovë

Dikur e quante turist, sot e propozon president” – Bekteshi analizon nismën e Haradinajt për Thaçin

Nisma e deputetit të Aleancës, Ramush Haradinaj, për rikthimin e ish-presidentit Hashim Thaçi në krye të shtetit ka shkaktuar debat të ri në politikën kosovare.

Të lidhura

None found

Haradinaj e ka përshkruar këtë propozim si një “nder” që legjislatura e 11-të do t’ia bënte Thaçit. Megjithatë, iniciativa vjen në një moment të veçantë, pasi Thaçi vijon të mbahet në paraburgim në Hagë dhe më 16 shtator pritet vendimi për çështjen ndaj tij dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së.

Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Ramazan Bekteshi, e ka komentuar këtë zhvillim në një prononcim për “Bota sot”, duke vënë në pikëpyetje arsyet e propozimit dhe kohën kur ai është bërë.

“Fakti që propozimi vjen para vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale krijon kureshtje, por edhe dilema për skenarë apo mesazhe të paparashikuara. Deri tani, një ide e tillë nuk është artikuluar as nga PDK-ja, partia e Thaçit, dhe as nga qarqet akademike. Nga jashtë, i vetmi që ka bërë zhurmë është Grenell, i cili në vitin 2020 shkaktoi grusht shtet në Kosovë dhe instaloi PDK-LDK-në në një pushtet jetëshkurtër, me Hotin kryeministër. Edhe pse Grenell është një lobist serb pa ndikim në administratën e Trumpit, ai vazhdon të mbajë lidhje, përveçse me Vuçiqin, edhe me politikanë opozitarë të Kosovës”, deklaroi Bekteshi.

Ai solli në vëmendje edhe qëndrimet e Richard Grenellit ndaj Thaçit, duke i cilësuar ato më shumë si deklarata publike sesa si veprime konkrete politike.

“Paradoksi i parë lidhet me faktin se deklaratat e Grenellit dëshmojnë mbështetjen e tij politike për Thaçin, por ai ka bërë më shumë zhurmë sesa ka vepruar. Më 31 korrik 2022, Grenell shkroi publikisht: ‘E lironi Thaçin!’ dhe e cilësoi Kurtin si problemin. Në tetor 2023, ai deklaroi se gjatë kohës kur Thaçi ishte president, Kosova dhe Serbia ‘ishin në rrugë të mirë për të arritur një marrëveshje’, ndërsa shtoi se Thaçi, ndryshe nga Kurti, do t’i zbatonte marrëveshjet e mëparshme.

Në gusht 2026, gjatë një interviste të fundit, Grenell shkoi edhe më tej. Sipas raportimit, ai tha se Perëndimi e dëshiron Thaçin të lirë dhe në Kosovë, në mënyrë që të ndihmojë në drejtimin e saj, ndërsa përgjegjësinë për krizën politike ia atribuoi Kurtit. Sa herë ka dashur të sulmojë Kurtin, Grenell ka përmendur Thaçin, por në të vërtetë nuk e ndihmoi kurrë HTH-në në mënyrën që premtonte. Administrata nuk shqiptoi as edhe një fjali në mbrojtje të HTH-së, pavarësisht premtimeve. Për këtë arsye, Grenell mbetet një mashtrues i madh kur bëhet fjalë për premtimet dhe retorikën e tij për HTH”, u shpreh Bekteshi.

Më pas, veprimtari shqiptar në SHBA u ndal te raporti politik mes Haradinajt dhe Thaçit. Sipas tij, përbën një paradoks fakti që Haradinaj, i cili dikur e kishte sulmuar ashpër Thaçin, sot kërkon rikthimin e tij në postin e presidentit.

“Paradoksi i dytë është se Ramush Haradinaj ka pasur përplasje të forta politike me H. Thaçin ndër vite, edhe pse në periudha të ndryshme kanë bashkëpunuar. Në vitet 2012–2013, ata nisën bashkëpunimin për dialogun Kosovë–Serbi, ndërsa në vitin 2017 Haradinaj u bë kryeministër në një qeveri ku Thaçi mbante postin e presidentit. Një nga konfliktet më të mëdha mes tyre ndodhi në vitin 2018, kur Thaçi mbështeti idenë e ‘korrigjimit të kufirit’ me Serbinë, ndërsa Haradinaj e kundërshtoi kategorikisht ndryshimin e kufijve të Kosovës. Pra, marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë gjithmonë armiqësore; ajo ka kaluar nga rivaliteti i ashpër në opozitë, më pas në bashkëpunim dhe sërish në përplasje”, tha Bekteshi.

Ai vuri në dukje ndryshimin mes deklaratave të mëparshme të Haradinajt dhe qëndrimit të tij aktual.

“Kontrasti mes Haradinajt të djeshëm dhe atij të sotëm është i madh. Më 22 gusht 2026, ai propozoi pikërisht Hashim Thaçin për president dhe deklaroi se do të ishte nder i legjislaturës që t’ia vazhdonte mandatin. Por më herët, Ramushi e kishte sulmuar në mënyrë ‘brutale’ HTH-në, duke thënë: ‘Z. Thaçi turist është, ai ka qëndru në Drenicë, në Rogner, ka qëndru diku tjetër.’

Me këto deklarata, ai e kishte ulur rolin e HTH-së në luftë në atë të një turisti. Po ashtu, Haradinaj kishte thënë: ‘Nëse ka dikush bjeshkë me i dhonë, le ta japë pronën e vet dhe jo bjeshkët e Kosovës.’ Ai kishte deklaruar edhe: ‘Zoti Thaçi dhe Qeveria i kanë dhënë një tokë Malit të Zi’, ‘Kufijtë me i lëvizë i interesojnë vetëm Putinit’ dhe ‘Ndarja e Kosovës është luftë…’”, theksoi ai.

Bekteshi nënvizoi se ky transformim në qëndrimin e Haradinajt e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se çfarë e ka shtyrë atë të propozojë Thaçin pikërisht tani.

“Duhet kujtuar se në vitin 2018 Haradinaj nuk ia njihte Thaçit të drejtën për të negociuar territorin. Ai kishte sqaruar se mbështetja e tij për presidentin në dialog lidhej me synimin për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe jo me tezën e korrigjimit të kufirit. Në debatin për ndarjen e Kosovës, Haradinaj e kundërshtoi edhe treshen Rama–Thaçi–Vuçiç dhe e bëri të qartë se nuk do ta pranonte atë projekt.

Përballë këtij qëndrimi të mëparshëm, sot shtrohet pyetja: Përse Haradinaj e propozoi HTH-në për president në këtë kohë pa kohë? A është kjo një ide e tij apo një shtysë që vjen nga jashtë? A e konsideron Haradinaj HTH-në si një mundësi për t’u rikthyer në pushtet? Apo kemi të bëjmë thjesht me një lojë politike rreth një presidenti që të gjithë e duan për vete, për shkak të rolit të tij në dekretime e më gjerë?”, u shpreh Bekteshi.

Ai komentoi edhe hipotezën se propozimi mund të jetë një përpjekje për t’i bërë presion Gjykatës Speciale, por e cilësoi këtë mundësi të pabazuar.

“Ka edhe nga ata që mendojnë se iniciativa e Haradinajt mund të synojë presionin ndaj gjykatës, njësoj si deklaratat se Kosova do të digjej nëse luftëtarët e lirisë dënoheshin. Por këto hamendësime nuk qëndrojnë, sepse gjykata nuk mund të ndikohet nga kërcënime të tilla të pamenduara. Nuk ka mundësi që çlirimtari ta djegë vendin e tij, për të cilin hyri në luftë dhe ishte i gatshëm të sakrifikohej për lirinë e atdheut; këtë mund ta bëjnë vetëm shërbëtorët e armikut.

Unë e konsideroj propozimin e Haradinajt surreal. Zgjidhje reale do të ishte zgjedhja e një presidenti apolitik e konsensual, krijimi i institucioneve shtetërore dhe lënia mënjanë e inateve dhe ambicieve të sëmura që po e çojnë vendin drejt kaosit. Për çlirimtarët do të mjaftonte shpallja e pafajësisë, pasi për mënyrën se si qeverisin, tashmë i kemi parë”, përfundoi Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

të fundit

Dosja “Sheholli”: Dokumenti “Top sekret 2” dhe skenari për paraqitjen e Kosovës si shtet radikal

Një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës e përshkruan si material me përmbajtje të…

6 minutes ago

AKU njofton kriteret e përditësuara për importin e mishit brazilian

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar ndryshimin e rregullave për importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, në…

8 minutes ago

Ferit Hoxha nga Pogradeci: Reforma e Shërbimit të Jashtëm, në qendër të diplomacisë europiane të Shqipërisë

Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, thellimi i bashkëpunimit në rajon dhe reforma e Shërbimit të Jashtëm janë ndër drejtimet…

9 minutes ago

Australia përjashton nga listat zyrtare këngët e krijuara kryesisht nga inteligjenca artificiale

Australia ka ndaluar këngët e gjeneruara kryesisht ose tërësisht nga inteligjenca artificiale nga listat e saj zyrtare muzikore, duke kërkuar…

18 minutes ago

Rugova pret së shpejti një kandidat konsensual për president: Ka emra më të përgatitur se unë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova, ka deklaruar se së shpejti do të ketë një emër të një…

18 minutes ago

Chelsea vlerëson transferimin e Marcus Rashfordit nga Manchester United

Chelsea thuhet se po shqyrton një transferim të Marcus Rashford para se të mbyllet afati kalimtar, me klubin londinez që…

18 minutes ago