Profesori universitar, Prof. Dr. Enver Bytyçi, deklaron se shqetësimi i ambasadorit amerikan William Walker dhe ish-kongresmenit me origjinë shqiptare, Joseph Dioguardi, për mungesën e një marrëveshjeje politike në Kosovë duhet marrë seriozisht. Sipas tij, të dy kanë shprehur shqetësim për pamundësinë e partive që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
None found
Walker, i njohur si denoncues i masakrës së Reçakut dhe mik i madh i shqiptarëve, prej kohësh ka kërkuar që subjektet politike kosovare të bashkëpunojnë për të kapërcyer ngërçin institucional. Dioguardi, i cili ndodhej gjithashtu në Kosovë, e ka artikuluar të njëjtin shqetësim, por me një dozë të dukshme pesimizmi lidhur me pasojat e dështimit për formimin e institucioneve.
Dy personalitetet amerikane kanë paraqitur edhe një emër konkret si mundësi për postin e presidentit: Faton Bislimin, të cilin e konsiderojnë kandidat të përshtatshëm për drejtimin e shtetit.
“Shqetësimi i Walker dhe Dioguardit, si edhe i miqve të tjerë europianë e amerikanë, është legjitim. U zhvilluan tri palë zgjedhje, sepse klasa politike nuk arriti të gjente gjuhën e përbashkët. Në rastin e parë nuk u krijuan kryesia dhe qeveria, ndërsa në dy rastet e fundit nuk u zgjodh kreu i shtetit”, shprehet Bytyçi.
Ai vlerëson se për të ardhmen duhet shqyrtuar mënyra se si mund të zhbëhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas tij, përcakton në mënyrë jokushtetuese praninë e 2/3 të deputetëve në sallën e parlamentit gjatë raundit të fundit të zgjedhjes së presidentit.
“Nëse në këtë raund presidenti zgjidhet me shumicë absolute, 50 + 1, përse duhet të jenë të pranishëm në sallë edhe deputetët që kundërshtojnë kandidaturën? Ky është një absurditet i parashikuar në platformat serbe për destabilizimin politik të Kosovës dhe duhet zgjidhur. Ndoshta kjo çështje vlen për të ardhmen”, deklaron ai.
Sipas Bytyçit, zgjidhja e menjëhershme do të ishte arritja e një marrëveshjeje, nëse është e mundur mes të gjitha fraksioneve politike, për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“Kjo do t’i jepte Kosovës një kryetar shteti që do të varej vetëm nga Kushtetuta dhe ligji. Një president konsensual, sipas vlerësimit tim, do të ishte i lidhur me Kushtetutën e vendit dhe jo me një parti të caktuar politike”, thotë ai.
Profesori shpjegon se opozita në Kosovë e mbështet qëndrimin se “Kurti dëshiron t’i kapë të gjitha pushtetet”. Për këtë arsye, shton ai, opozitarët refuzojnë të mbështesin një kandidat që nuk vjen nga radhët e partisë së tyre për postin e presidentit.
“Ata thonë se nuk do të mbështesin një kandidaturë që nuk i përket partisë së tyre për funksionin e kreut të Republikës. Madje, disa prej tyre shfaqin kënaqësi dhe thonë: ‘Hajt, do ta shohësh ti, Albin Kurti, a do t’ia dalësh apo jo’, duke u gëzuar kur shteti mbetet jofunksional për shkak të këtij ngërçi”, shprehet Bytyçi.
Ai nënvizon se Kosova po hyn në vitin e dytë ku zhvillon kryesisht procese zgjedhore, ndërsa zgjidhja e krizës institucionale ende nuk është gjetur.
“Tashmë po tentohet të shkohet përsëri në zgjedhje, me shpresën se qytetarët do të lodhen, gjë që mund të ndodhë. Në këtë mënyrë, opozitarët shpresojnë se Albin Kurti nuk do të votohet për kryeministër. Edhe Kurti, në zgjedhjet e dyta, mund të ketë besuar se do ta fitonte i vetëm, por tani e pranon se nuk mund ta zgjedhë presidentin pa mbështetje, pavarësisht numrit të raundeve zgjedhore”, deklaron ai.
Ndërkohë, Bytyçi thotë se PDK dhe AAK ushqejnë një tjetër bindje lidhur me zhvillimet politike.
“Ato besojnë se më 16 shtator Hashim Thaçi do të kthehet drejtpërdrejt nga Haga në karrigen e presidentit të Kosovës, e cila ka mbetur bosh. Në Kosovë qarkullojnë shumë absurditete dhe ëndrra të politikanëve të caktuar, ndërsa vendi po vuan mungesën e institucioneve dhe të vendimmarrjes”, shprehet ai.
Bytyçi fajëson Aleksandër Vuçiqin dhe Edi Ramën për krizën që po kalon Kosova.
“E kam thënë edhe më parë: autori kryesor i kësaj krize artificiale është Aleksandër Vuçiqi, sepse sponsorizoi vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese. Përgjegjës është edhe Edi Rama, pasi u jep urdhra dhe direktiva atyre që bllokojnë vendimmarrjen për zgjedhjen e një presidenti konsensual”, thotë ai.
Sipas profesorit, të dy synojnë skualifikimin e shtetit të Kosovës dhe dobësimin e përpjekjeve të tij për shtetformim. Ai shton se Rama kërkon gjithashtu të fajësojë Albin Kurtin, pasi modeli politik i këtij të fundit e ka sfiduar dhe e ka etiketuar dukshëm kryeministrin shqiptar si tradhtar të çështjes shqiptare në Ballkan dhe si politikan arrogant në raport me Kosovën dhe qytetarët e Shqipërisë.
“Pasojat e deformimit të institucioneve, veçanërisht të institucionit të presidentit, janë defunksionalizimi i shtetit të Kosovës dhe krijimi i kushteve të favorshme për Serbinë. Kjo i lehtëson asaj lobimin kundër Kosovës, e cila ende nuk ka një vend në OKB”, deklaron Bytyçi.
“Pikërisht për këtë arsye janë të shqetësuar dy miqtë tanë amerikanë, Walker dhe Dioguardi. Ndoshta duhet marrë seriozisht në konsideratë edhe propozimi i tyre që Faton Bislimi të jetë në krye të shtetit të Kosovës”, vijon ai.
Bytyçi tregon se vetë e ka propozuar më herët Faton Bislimin për drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Çështjet partiake nuk zgjidhen përmes rekomandimeve nga jashtë. Megjithatë, unë e shoh Bislimin si një person të përshtatshëm, me cilësi dhe virtyte të vlefshme për atë funksion. Pavarësisht mendimit tim, më e rëndësishmja është që LDK-ja dhe Kurti të arrijnë marrëveshje dhe të përcaktojnë sa më shpejt se kush duhet të zgjidhet president i vendit”, shprehet ai.
Profesori thotë se ka dëgjuar se disa deputetë të LDK-së nuk dëshirojnë të votojnë asnjë kandidaturë që mund të dalë nga një marrëveshje e përbashkët.
“Kreu i LDK-së u tregua objektiv dhe i zgjuar kur hoqi dorë nga një koalicion qeverisës, të cilin shumë persona brenda Lidhjes Demokratike nuk e dëshironin. Kjo mund të ketë qenë një lëvizje shumë e zgjuar për të eliminuar alibitë lidhur me votimin e kreut të shtetit”, thotë Bytyçi.
Në këtë situatë, ai argumenton se çdo deputet i LDK-së që do të refuzonte të votonte një president të pranueshëm për të dyja partitë do të linte të kuptohej se kishte marrë urdhër nga jashtë subjektit politik për të penguar krijimin e institucioneve.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë arsye tjetër që një deputet i VV-së ose i LDK-së të refuzojë një kandidaturë konsensuale për kreun e shtetit. Hava që vjen do të jetë vendimtare për këtë.”
Një konflikt me lopata dhe mjete të tjera të forta ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në lagjen nr.…
SPB Tetovë ka njoftuar për tre raste të sulmeve fizike dhe një rast të kërcënimit me armë gjatë 24 orëve…
Sot shënohet dita e 91 e protestës. Qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” nga ku protestuesit më pas…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me takimin që pati me deputetët e PS-së në Qarkun e Tiranës,…
Situatë kritike në fshatin Vajkal të Bulqizës, ku një zjarr i përmasave të mëdha po përhapet me shpejtësi dhe po…
Galatasaray ka kërkuar informacione nga Milani për mesfushorin francez Youssouf Fofana, gjatë negociatave që klubet po zhvillojnë për transferimin e…