Categories: kosovë

Bytyçi për seancën e 9 shtatorit: Opozita synon rrëzimin e Kurtit dhe uljen e VV-së nën 40 për qind

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet më 9 shtator, në përpjekje për të përmbyllur seancën konstituive dhe për t’i hapur rrugë funksionalizimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit. Seanca e papërfunduar shihet si një hap i rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit politik.

Të lidhura

None found

Avni Dehari, drejtuesi i seancës, ka bërë të ditur se deputetët do të mblidhen të mërkurën në orën 11:00. Në këtë takim pritet të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë së re të Kuvendit.

Megjithatë, mbetet e hapur çështja e zhvillimeve pas konstituimit të legjislativit. Ende nuk dihet nëse do të krijohet konsensus për zgjedhjen e presidentit dhe më pas të qeverisë, apo nëse përplasjet mes partive do ta çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

Për situatën politike dhe pritshmëritë për seancën e 9 shtatorit, për “Bota sot” ka dhënë komentet e tij profesori Enver Bytyçi.

Ai e cilëson thirrjen e seancës si një zhvillim me rëndësi, veçanërisht pas javësh përplasjesh politike. Sipas Bytyçit, opozita kishte kërkuar vazhdimisht mbledhjen dhe funksionalizimin e Kuvendit.

“Avni Dehari, si drejtues i seancës parlamentare në Kosovë, i ka njoftuar deputetët se më 9 shtator, në orën 11:00, duhet të mblidhen për konstituimin e institucioneve. Për një kohë të gjatë, në sallën e Kuvendit shihnim kryesisht deputetët e Partisë Demokratike dhe të AAK-së, të cilët protestonin kundër kryeministrit Kurti dhe e akuzonin se po pengonte mbledhjen e parlamentit për të përqendruar të gjitha pushtetet te vetja. Madje, pati edhe deklarata se Albin Kurti ishte e keqja më e madhe që i kishte ndodhur Kosovës që prej pasluftës”, deklaroi Bytyçi.

Profesori theksoi se deputetët tashmë kanë dhënë betimin dhe se mandatet e tyre janë të ligjshme, por ngriti pikëpyetje mbi praninë e opozitës në sallë gjatë procesit për zgjedhjen e presidentit.

“Do të shohim se kush do të jetë në sallë kur të votohet presidenti. A do të qëndrojnë aty deputetët opozitarë që për javë të tëra kërkonin me thirrje formimin e institucioneve? Kam përshtypjen se, sapo Kurti të paraqitet në parlament, ata mund të largohen. Kjo, sepse shqetësimi i tyre nuk lidhet me ekzistencën e institucioneve legjitime të Kosovës, por me krijimin e rrëmujës për ta larguar zotin Kurti nga drejtimi i qeverisë dhe për ta ulur përqindjen e votave që ai merr në zgjedhje”, u shpreh ai.

Sipas Bytyçit, objektivi i opozitës është që Vetëvendosje të zbresë nën 40 për qind, në mënyrë që tri partitë opozitare të mund të bashkohen dhe të formojnë qeverinë.

“Pra, synimi është që VV të bjerë nën 40 për qind. Vetëm në këtë rast tri partitë opozitare do të mund të bëheshin bashkë për krijimin e qeverisë”, deklaroi profesori.

Bytyçi e sheh këtë strategji si një përpjekje për ta delegjitimuar politikisht Kurtin, duke e akuzuar opozitën se nuk po fokusohet te zgjidhja e ngërçit institucional.

“Ata duan ta delegjitimojnë qeverisjen e Albin Kurtit me metoda bolshevike, staliniste ose naziste. Edhe nëse opozita do ta rrëzonte zotin Kurti nga pushteti përmes mjeteve jodemokratike, unë do të isha i qetë, sepse e di se Albin Kurti, si opozitar, ka qenë dhe do të jetë tmerr për ata që synojnë të marrin pushtetin me axhendën serbe të ofruar përmes Richard Grenell. Nuk e kuptojnë se çfarë ferri mund të përjetojnë nga opozitarizmi i tij. Për këtë arsye, i konsideroj naivë në ndjekjen e kësaj strategjie”, tha ai.

Duke folur për rendin e mundshëm të veprimeve pas 9 shtatorit, profesori tha se fillimisht pritet të zgjidhen drejtuesit e Kuvendit. Më pas, sipas tij, do të përcaktohet nëse vendi do të kalojë në zgjedhjen e presidentit apo në një tjetër proces zgjedhor.

“Më 9 shtator pritet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e re e parlamentit, së bashku me kryesinë. Ky proces mund të përfundojë brenda ditës dhe brenda pak orësh. Pas kësaj, punimet plenare nuk mund të vijojnë pa u arritur konsensus për zgjedhjen e presidentit të Republikës”, shpjegoi Bytyçi.

Ai shtoi se Kurti, Vetëvendosje dhe aleatët e tyre nuk do ta pranojnë votimin e qeverisë pa u zgjedhur më parë presidenti. Sipas tij, nuk do të kishte kuptim që një kabinet i ri të votohej dhe menjëherë të shndërrohej në qeveri të përkohshme për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kosova shkon në zgjedhje. Në një situatë të tillë, nuk ka arsye që të votohet një kabinet i ri qeveritar. Rendi normal është zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, pastaj e presidentit ose presidentes dhe në fund formimi i qeverisë. Ndërkohë, krijimi i komisioneve parlamentare është një çështje e thjeshtë”, deklaroi ai.

Sipas Bytyçit, opozita mund të kërkojë që menjëherë pas zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit të nisë procedura për formimin e qeverisë së re. Ai mendon se një veprim i tillë do të përdorej më shumë për përplasje politike dhe për të krijuar përshtypjen se opozita mund t’i imponojë vullnetin e saj Kurtit.

“Opozita do të këmbëngulë që pas zgjedhjes së kryesisë të vazhdohet me formimin e qeverisë. Këtë do ta bëjë për sfidë, për të dhënë mesazhin se mund t’i imponohet Albin Kurtit dhe për të ndërtuar imazhin e rremë se është faktor vendimmarrës. Mbetet për t’u parë nëse do të arrijë vërtet të imponohet”, u shpreh profesori.

Ai e quan të domosdoshme zgjedhjen e kryesisë së re të Kuvendit, sidomos në rast se vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja. Bytyçi argumentoi se institucionet duhet të kenë drejtues funksionalë gjatë kësaj periudhe.

“Zgjedhja e kryesisë është e domosdoshme. Nëse Kosova shkon në zgjedhje, kryetarja aktuale e parlamentit e tejkalon afatin kushtetues të qëndrimit në detyrën e presidentit. Për këtë arsye duhet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e re e Kuvendit, e cila mund të jetë sërish Albulena Haxhiu. Ky drejtues do të vazhdonte ushtrimin e detyrës së presidentit të Republikës deri në përfundimin e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Bytyçi.

Një tjetër çështje e ndërlikuar, sipas tij, është qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së në procesin e zgjedhjes së presidentit. Bytyçi nuk pret një kompromis të lehtë, por nuk përjashton mundësinë që ata të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë kundër kandidatit.

“Nuk besoj se opozita dhe gjashtë grennellistët e LDK-së do të binden lehtësisht për të bërë kompromis rreth zgjedhjes së presidentit. Këta gjashtë deputetë nuk kanë deklaruar nëse do të qëndrojnë në sallë gjatë votimit të fundit për kandidatin presidencial. Ata mund të qëndrojnë dhe të votojnë kundër. Një veprim i tillë do të mund të konsiderohej kompromis, pasi do të ruanin qëndrimin e tyre dhe njëkohësisht do t’i mundësonin Kosovës të kishte presidentin e saj. Uroj që kjo të jetë formula më e besueshme”, deklaroi profesori.

Në përfundim, Enver Bytyçi foli edhe për zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kohët e fundit janë evidentuar përçarje të forta lidhur me krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

“Në Lidhjen Demokratike duket se ekziston një çarje e madhe. Nëse kjo përplasje do të vinte thjesht për shkak të parimeve të ndryshme ose të kundërta mes palëve, situata do të ishte e kuptueshme. Por është parë se në këtë konflikt ka ndërhyrë dhe ka pasur ndikim ambasadori Grenell. Kjo e bën edhe më të ndërlikuar situatën”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

të fundit

Platforma “Liria ka Emër” zhvillon sot një aksion 30-minutësh para EULEX-it

Aktivistë të platformës “Liria ka Emër” do të zhvillojnë sot, në orën 11:00 një aktivitet simbolik dhe demokratik para objektit…

3 minutes ago

SHBA synon të reduktojë forcat në Lindjen e Mesme pas një çerek shekulli angazhimi

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të pranisë së tyre ushtarake dhe të inteligjencës në Lindjen e Mesme,…

5 minutes ago

Real Madridi mbyll derën për Bastonin, çmimi dhe hapësira në skuadër penguan marrëveshjen

Real Madridi ka hequr dorë nga ideja për të transferuar mbrojtësin italian, Alessandro Bastoni, pavarësisht se ai ishte një nga…

7 minutes ago

Dy sfida në program sot për javën e pestë të Albi Mall Superligës

Java e pestë e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot (e martë), me dy përballje interesante, të cilat mund…

19 minutes ago

Zjarri në Tërbun të Pukës ende i pakontrolluar, rrezikohen një banesë dhe stacioni i ujit

Zjarri në zonën e Tërbunit në Pukë vijon prej tre ditësh, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi të ndihmuara edhe…

22 minutes ago

Nis faza e ligës në Champions, sonte vëmendja përqendrohet te supersfida në Madrid

Pritjes i erdhi fundi. Sonte (e martë) nis faza e ligës së Ligës së Kampionëve dhe nata e parë sjell…

23 minutes ago