Categories: kosovë

Arjeta Roshaj në paraburgim 30 ditë, zbardhet deklarata e saj për vrasjen e 32-vjeçarit në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar 30 ditë paraburgim Arjeta Roshajt, e cila dyshohet për vrasjen e F.H. në Ferizaj.

Nga vendimi i Gjykatës rezulton se e dyshuara u ka thënë hetuesve policorë se, para ngjarjes, kishte marrë kërcënime nga tashmë i ndjeri përmes rrjetit social Snapchat. Sipas deklarimit të saj, ai i kishte shkruar, mes të tjerash, “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde”, ndërsa kur kishte mbërritur në banesë, e kishte rrahur.

Të lidhura

None found

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Roshajt, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare Genc Kadriu, gjatë seancës dëgjimore ka paraqitur hollësi nga deklarata e klientes së tij dhe ka shpjeguar rrjedhën e rastit.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Roshaj ka thënë gjithashtu se pak para mesazhit me përmbajtjen e kërcënimit, viktima i kishte dërguar edhe një tjetër mesazh me fjalën “qele”.

Në vendim përshkruhet se, në ato çaste, e pandehura kishte parë nga vrima vëzhguese e derës se përballë banesës së saj po qëndronte F.H. Aty theksohet se kjo e kishte futur në gjendje të rëndë shoku, pasi nuk e kishte menduar se ai do të shkonte vërtet te banesa e saj, duke qenë se, sipas saj, edhe në 3-4 raste të tjera e kishte kërcënuar njësoj, por nuk ishte paraqitur asnjëherë.

Vendimi më tej thotë se, pasi F.H. kishte hyrë në banesë, ai e kishte kapur të dëmtuarën për flokësh dhe kishte nisur ta godiste në kokë. Po ashtu, theksohet se e pandehura kishte qenë vazhdimisht nën sulm dhe, në një moment, kishte marrë një shishe qelqi me synim që ta trembte viktimën që të ndalte sulmin. Gjatë kësaj përleshjeje fizike, vetë e pandehura kishte pësuar lëndime trupore.

Sipas vendimit, gjatë gjithë kohës tani i ndjeri e kishte pasur armën në dorë. Në një moment të përleshjes, e pandehura kishte arritur t’ia merrte armën, edhe për shkak se në një dhomë tjetër të banesës ndodheshin prindërit e saj, në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë e keqe. Në çastin kur arma kishte kaluar në dorën e saj, thuhet se viktima ishte kthyer me shpinë nga tavolina dhe pikërisht atëherë arma ishte shkrepur, me pasojë vrasjen e F.H.

Mbi këto rrethana, avokati Kadriu e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke deklaruar se, sipas bindjes së tij, e pandehura kishte vepruar në mbrojtje të nevojshme dhe se nuk kishte pasur qëllim ta privonte me dashje nga jeta tani të ndjerin.

Në seancën dëgjimore, Kadriu ka shtuar gjithashtu se, sipas vlerësimit të mbrojtjes, nuk ekzistojnë kushte për ndikim te dëshmitarët apo për arratisje. Ai e ka arsyetuar këtë me faktin se e pandehura ka bashkëpunuar me organet e hetuesisë dhe, duke pasur parasysh edhe gjendjen e saj emocionale pas ngjarjes, ka propozuar që Gjykata të caktojë ndonjë masë alternative.

Vetë Roshaj e ka mbështetur qëndrimin e avokatit Kadriu, duke deklaruar se i qëndron pranë asaj që ka thënë në Polici, ndërsa para gjykatës ka theksuar se, për shkak të gjendjes emocionale, nuk është në gjendje të deklarohet.

Në vendim thuhet edhe se prokurori i shtetit, Veton Shabani, ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke vlerësuar se kushtet për këtë masë janë përmbushur. Ai ka përmendur rrezikun e ikjes, me arsyetimin se e dyshuara jeton dhe vepron në Francë, ndërsa në Kosovë kishte ardhur për qëndrim të përkohshëm, si dhe faktin që rasti ndodhet në fazën fillestare të hetimeve.

Në fund, gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Bytyqi ka vlerësuar se ekzistojnë bazat për caktimin e paraburgimit, duke konstatuar se masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

të fundit

Roth responds to Dačić over Prizren: This road leads to war, not the EU

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së Ivica Daçiqit se flamuri serb një ditë do të…

22 seconds ago

Radev congratulates Kurti on the new government and invites him on an official visit to Bulgaria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, me rastin e formimit…

52 seconds ago

Lecturer Lush Susaj recounts the story of the student who was held back for taking part in the 2018 protests: “My colleague punished him because he held my…

Pedagogu Lush Susaj ka rrëfyer një episod nga protestat studentore të viteve 2018-2019, duke sjellë në vëmendje rastin e studentit…

2 minutes ago

Riyadh airport attack leaves 12 dead: UN warning and Saudi pledge to retaliate

Një sulm i përgjakshëm ndaj aeroportit ndërkombëtar “King Khalid” në Riad të Arabisë Saudite ka shkaktuar 12 viktima dhe 309…

3 minutes ago

Messi dhe Suarez shënojnë nga dy herë, Inter Miami mposht 4-0 DC Unitedin

Inter Miami ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj DC Unitedit, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në…

9 minutes ago

Kamberi: Vuçiqi shqetësohet nga ndikimi politik i bashkimit të partive shqiptare

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj kritikave të Aleksandar Vuçiqit për bashkimin e partive shqiptare…

12 minutes ago