Diplomati gjerman në Prishtinë, Reiner Rudolph, ka bërë thirrje për ngritjen pa vonesë të organeve të reja shtetërore në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim është jetik për ruajtjen e stabilitetit politik, funksionimin normal të shtetit dhe avancimin e proceseve kyçe institucionale.
None found
Gjatë një interviste, Rudolph u shpreh se vendi duhet të lëshojë një mesazh të qartë e bindës lidhur me atë se kush do të marrë drejtimin për katër vitet e ardhshme. Sipas tij, qartësia politike dhe ekzistenca e institucioneve legjitime janë të domosdoshme për të forcuar besimin e qytetarëve, partnerëve ndërkombëtarë dhe investitorëve në stabilitetin e vendit.
“Unë mendoj se ajo që nevojitet tani është një sinjal nga Kosova se kush do t’i formojë institucionet e Kosovës për katër vitet e ardhshme. E di që diskutimet dhe procesi janë në vazhdim, por vërtet mendoj se do të ishte mirë që t’i kishim institucionet shumë shpejt dhe të mos hyjmë në një raund tjetër të pasigurt”, deklaroi ambasadori gjerman.
Rudolph vuri në dukje se, edhe pse negociatat për krijimin e institucioneve janë ende në vazhdim, ato duhet të përfundojnë sa më shpejt. Ai paralajmëroi se vonesa mund të sjellë pasiguri të panevojshme politike dhe të frenojë vendimmarrjen për çështjet me interes të lartë shtetëror.
Diplomati gjerman shtoi se krijimi i shpejtë i organeve shtetërore do t’i lejonte Kosovës të fokusohej në prioritetet kryesore, si reformat, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai ritheksoi se stabiliteti institucional është parakusht për përparimin e vendit dhe përballimin me sukses të sfidave të ardhshme.
Publicisti Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka paralajmëruar se vonesa në formimin e institucioneve të Kosovës po e dëmton seriozisht shtetin, po rrezikon marrëdhëniet me aleatët strategjikë dhe po pengon integrimin e vendit, prandaj klasa politike duhet të veprojë pa humbur kohë.
Ai theksoi se deklarata e ambasadorit Rudolph duhet parë si një paralajmërim serioz dhe jo thjesht si një këshillë diplomatike. Sipas tij, ajo është një sinjal i qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve po i shkakton dëme të rënda shtetit të Kosovës.
“Është absurde që një shtet me sfida të mëdha të mbetet pa institucione funksionale. Kosova nuk e ka pasur kurrë këtë luks, as për një ditë, e aq më pak për muaj të tërë. Sot Kosova përballet me rreziqe në shumë drejtime, por më shqetësues është ftohja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, angazhimi i të cilëve ishte vendimtar për çlirimin dhe lirinë e saj. Ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit është përgjegjësi e vetë kosovarëve, ndërsa çdo vonesë në proceset demokratike dhe në integrimin evropian e dobëson pozitën ndërkombëtare të vendit. Pa institucione funksionale, Kosova nuk mund të jetë pjesë e plotë e arkitekturës strategjike të sigurisë rajonale dhe evropian”, u shpreh Zogaj.
Zogaj shtoi se apeli i vazhdueshëm i partnerëve ndërkombëtarë, sidomos i Gjermanisë, për krijimin e shpejtë të institucioneve nuk duhet të shpërfillet, sepse çdo vonesë e dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe e vështirëson rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Pikërisht për këtë arsye, diplomatët e vendeve mike po përsërisin vazhdimisht të njëjtin apel: Kosova duhet t’i ndërtojë pa vonesë institucionet e saj. Çdo ditë e humbur prodhon pasoja politike, diplomatike dhe strategjike. Gjermania, prej kohësh, po e paralajmëron Kosovën të dalë nga ky ngërç institucional. Do të ishte e pafalshme që këto mesazhe të shpërfilleshin. Koha nuk punon në favor të Kosovës dhe çdo vonesë e bën më të vështirë rikthimin e besimit dhe përshpejtimin e rrugës drejt integrimit euroatlantik”, foli publicisti Zogaj për “Bota sot”.
Ndërkaq, njohësi për çështje politike, Eduard Gashi, në një bisedë me “Bota sot”, theksoi se paralajmërimi i ambasadorit gjerman duhet marrë si një sinjal serioz diplomatik, pasi bllokada institucionale po e dobëson pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa klasa politike po i jep përparësi interesave partiake në vend të interesit shtetëror.
Gashi vlerësoi se deklarata e Rudolphit nuk është thjesht një thirrje për formimin e institucioneve, por një sinjal diplomatik, duke nënvizuar se në diplomaci, sidomos kur vjen nga një shtet si Gjermania, fjalët peshohen me kujdes dhe nuk thuhen rastësisht.
Ai paralajmëroi se ngërçi i vazhdueshëm institucional po i dëmton seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ka ambasada dhe konsullata në shumë vende të botës, ku bëhet një punë e rëndësishme diplomatike dhe krijohen kontakte me shtetet mike. Mirëpo, kjo punë duhet të vazhdohet dhe të përmbyllet nga institucionet funksionale dhe legjitime në Prishtinë. Nëse ato nuk funksionojnë, edhe diplomacia më e mirë e humb fuqinë e saj.
Gashi shtoi se shumë aktorë politikë janë të përqendruar më tepër në ruajtjen ose zgjerimin e pushtetit të tyre sesa në interesin shtetëror, duke harruar se politika nuk ekziston për t’u shërbyer partive, por për ta çuar shtetin përpara dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.
Më tej, ai argumentoi se bllokada e zgjatur institucionale po e dobëson besueshmërinë dhe peshën ndërkombëtare të Kosovës, në një kohë kur partnerët perëndimorë kërkojnë shtete funksionale, duke rrezikuar pasoja politike, ekonomike dhe në procesin e integrimit evropian.
“Kosova ndodhet sot në një realitet krejt tjetër gjeopolitik nga ai i viteve të para pas shpalljes së pavarësisë. Evropa po kalon ndryshime të mëdha të sigurisë, ndërsa partnerët perëndimorë kërkojnë shtete që janë të besueshme, të parashikueshme dhe funksionale. Askush nuk pret përsosmëri, por të gjithë presin institucione që marrin vendime dhe zbatojnë politika.
Natyrisht se kjo periudhë e gjatë e bllokadës institucionale do të ketë pasoja. Asnjë shtet nuk mund të përballojë pafundësisht mungesën e funksionimit normal të institucioneve. Kjo nuk është çështje partie, por çështje e pjekurisë politike të shtetit. Në politikën ndërkombëtare nuk kanë rëndësi justifikimet dhe fajësimet. Ajo që vlerësohet janë rezultatet. Arsyetimet mund ta mbushin kohën, por vetëm rezultatet ndërtojnë besimin.
Pikërisht për këtë arsye, Kosova rrezikon të humbasë peshë politike dhe besueshmëri ndërkombëtare. Në diplomaci, besimi është kapital. Një shtet që për një kohë të gjatë nuk është në gjendje të marrë vendime strategjike fillon të shihet jo si pjesë e zgjidhjes, por si pjesë e problemit.
Më e dhimbshme është krahasimi me të kaluarën. Ka pasur një kohë kur udhëheqësit e Kosovës priteshin në Shtëpinë e Bardhë, zhvillonin takime në nivelet më të larta në kryeqytetet evropiane dhe Kosova ishte një nga prioritetet e politikës perëndimore. Sot shohim kryesisht fotografi simbolike me shtrëngime duarsh, ndërsa pesha reale politike e Kosovës në arenën ndërkombëtare është zvogëluar dukshëm.
Kjo do t’i kushtojë Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në procesin e integrimit evropian. Retorika populiste nuk do ta ndryshojë këtë realitet”, shpjegoi Gashi.
Në fund, Gashi nënvizoi se të gjitha forcat politike mbajnë përgjegjësi për të formuar institucione funksionale përmes dialogut dhe kompromisit, pasi vetëm një Kosovë stabile, serioze dhe e besueshme mund ta ruajë mbështetjen e aleatëve dhe ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare.
“As thirrja në respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mjafton. Demokracia nuk nënkupton vetëm fitimin e zgjedhjeve. Demokracia nënkupton edhe aftësinë për të ndërtuar institucione funksionale, për të arritur kompromise dhe për të marrë përgjegjësi për shtetin. Mekanizmat demokratikë janë krijuar për të garantuar stabilitet institucional, jo për të prodhuar bllokada të pafundme.
Përgjegjësi mbajnë të gjitha forcat politike. Fituesi i zgjedhjeve ka një mandat më të fortë demokratik, por pikërisht për këtë arsye mban edhe përgjegjësinë më të madhe. Udhëheqësi i vërtetë nuk matet nga këmbëngulja ideologjike, por nga aftësia për të krijuar shumica, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të gjetur zgjidhje. Në të njëjtën kohë, edhe opozita ka përgjegjësi ndaj shtetit dhe nuk duhet ta shndërrojë mosmarrëveshjen politike në paralizë institucionale.
Kosova nuk duhet të bjerë në iluzionin se mbështetja e aleatëve është e garantuar përgjithmonë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, miqësitë ndërtohen mbi vlera të përbashkëta, por edhe mbi interesa të përbashkëta. Mbështetja nuk është çek i bardhë; ajo fitohet vazhdimisht përmes seriozitetit, stabilitetit dhe besueshmërisë.
Prandaj, Kosova duhet t’i përvjelë më në fund mëngët, të krijojë institucione stabile, t’i mbajë ato funksionale dhe të ecë përpara me punë konkrete e rezultate. Në një botë që po ndryshon me shpejtësi, një shtet që mbetet në vend nuk qëndron aty ku është – ai mbetet prapa. Vetëm duke qenë një shtet funksional, serioz dhe i besueshëm, Kosova mund ta rikthejë peshën e saj ndërkombëtare dhe respektin e partnerëve strategjikë”, përfundoi njohësi për çështje politike, Eduard Gashi për “Bota sot”.
Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht se po zhvillon bisedime për emërimin e Pep Guardiolës si trajnerin e ardhshëm…
Një 25 vjeçar me inicialet M.P, është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy…
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski tha se uji në Gostivar do të lejohet për konsum vetëm atëherë kur të jetë…
Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një prej studiuesve më të rëndësishëm shqiptarë në fushën e…
Italia është përballur me mot ekstrem, ku stuhitë e fuqishme të breshërit sa një top tenisi në disa raste kanë…
Sulmuesi anësor i Milanit, Rafael Leao thuhet se mund të marrë në konsideratë bashkimin me Galatasaray këtë afat kalimtar të…