Categories: kosovë

Analistët zbërthejnë mesazhin e Daçiqit për Prizrenin dhe synimet e Serbisë

Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër i Serbisë, ka thënë se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, një deklaratë që rikthen në qendër të vëmendjes retorikën nacionaliste dhe aspiratat e vazhdueshme të Beogradit ndaj Kosovës.

Të lidhura

None found

Deklarata të ngjashme nga zyrtarë serbë nuk janë të rralla, pasi Serbia vijon të përdorë gjuhën politike për të shprehur pretendimet e saj ndaj Kosovës, megjithëse realiteti ka ndryshuar që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka reaguar ndaj fjalëve të Daçiqit, duke nënvizuar se synimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës nuk janë thjesht një relike e së kaluarës.

Sipas tij, deklarata e bërë nga Daçiq gjatë një tubimi zgjedhor këtë javë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit vijojnë të shfaqen përmes retorikës politike.

“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dolën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, një qytet në jug të Kosovës. Retorika e tillë tregon se synimet territoriale të Beogradit janë larg së qeni çështje e mbyllur”, ka thënë Konjufca.

Sipas analistëve, deklarata e Daçiqit reflekton retorikë nacionaliste dhe qëllime elektorale brenda Serbisë. Ata vlerësojnë se fjalë të tilla dëmtojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Haziri: Ëndrrat për flamurin serb në Prizren u shkatërruan në 1999 dhe 2008

Analisti politik Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, e sheh deklaratën e Daçiqit si mesazh për konsum të brendshëm politik dhe si përpjekje për qëllime elektorale në Serbi.

Haziri ka theksuar se deklarata të tilla nuk duhet të vlerësohen domosdoshmërisht si kërcënime serioze për Kosovën.

“Çdo deklaratë që vjen nga zyrtarët e Serbisë, veçanërisht ato që bëhen gjatë fushatave zgjedhore, mendoj se nuk duhet konsideruar si kërcënim serioz ndaj Kosovës, përfshirë këtë të Daçiqit. Nuk mund t’i kontrollojmë ëndrrat e Daçiqit apo të ndonjë zyrtari tjetër serb, sepse as vetë Daçiqi nuk beson në atë që thotë”, ka deklaruar ai.

Ai shton se qëllimi i deklaratës është mobilizimi i votuesve serbë të zhvendosur nga Kosova në Serbi, ndërsa pretendimet për flamurin serb në Prizren janë hedhur poshtë nga vetë historia.

“Bëhet fjalë thjesht për një deklaratë për konsum politik të brendshëm dhe për qëllime elektorale, sepse pasardhësi i Millosheviqit në Partinë Socialiste synon të mobilizojë votuesit serbë me origjinë nga Kosova që jetojnë në Serbi. Flamuri serb mbi Prizren dhe ëndrrat e tjera të Daçiqit e të tjerëve morën përgjigje në vitin 1999 dhe u thyen përfundimisht më 17 shkurt 2008”, ka nënvizuar ai.

Haziri ka kërkuar gjithashtu një reagim të prerë nga Brukseli, duke vlerësuar se retorika e tillë mund të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.

“A ndikojnë deklaratat e tilla në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje? Mendoj se po, dhe për këtë arsye Brukseli duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur në reagimin e tij si ndërmjetës, duke sanksionuar politikanë si Daçiqi”, ka thënë Haziri.

Gashi: Deklarata e Daçiqit është sfidim i hapur i sovranitetit të Kosovës

Analisti politik Eduard Gashi vlerëson se fjalët e një zyrtari të lartë shtetëror serb nuk mund të trajtohen thjesht si retorikë nacionaliste apo provokim politik, por duhen parë edhe në kontekstin historik dhe të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Deklarata e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri i Serbisë “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, nuk mund të trajtohet si një provokim i thjeshtë elektoral apo si retorikë e zakonshme nacionaliste. Kur një deklaratë e tillë vjen nga një përfaqësues i nivelit më të lartë të shtetit serb, ajo merr një peshë krejt tjetër politike dhe diplomatike.

Ivica Daçiq nuk është një figurë e rastësishme në politikën serbe. Ai është një politikan me rrënjë të thella në strukturat politike të epokës së Slobodan Millosheviqit. Prandaj, deklaratat e tij duhen analizuar edhe në kontekstin historik të politikave që sollën luftë, dëbime masive, krime dhe vuajtje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës.

Shqetësuese është se Beogradi vazhdon ta përdorë Kosovën si instrument mobilizimi nacionalist, në vend që të përballet me realitetin politik dhe historik të krijuar pas vitit 1999.

Republika e Kosovës nuk është një territor që pret të kthehet nën administrimin e Serbisë. Ajo është një shtet i pavarur, i shpallur më 17 shkurt 2008, me institucione demokratike, me sovranitet dhe me të drejtën e patjetërsueshme për të vendosur vetë për të ardhmen e saj.

Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillimor të vitit 2010, konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare”, ka shpjeguar ai.

Gashi bën dallimin mes vlerësimit juridik të deklaratës së Daçiqit dhe pasojave të mundshme politike e të sigurisë, duke theksuar se kjo retorikë mund të perceptohet si sfidë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Në kuptimin juridik, deklarata nuk përbën automatikisht një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e forcës ushtarake. Megjithatë, në kuptimin politik dhe të sigurisë, ajo mund të interpretohet si një mesazh kërcënues ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Në një rajon që ka përjetuar pasojat tragjike të nacionalizmit dhe luftërave, fjalët e zyrtarëve të lartë nuk janë kurrë të parëndësishme.

Serbia ka të drejtë të mbrojë interesat legjitime të komunitetit serb në Kosovë, por nuk ka të drejtë ta përdorë këtë si justifikim për pretendime territoriale apo për të sfiduar sigurinë e një shteti fqinj.

Prizreni nuk është simbol i një projekti të papërfunduar territorial të Beogradit. Prizreni është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës, qytet i historisë, kulturës, bashkëjetesës dhe trashëgimisë sonë kombëtare”, ka shtuar ai.

Gashi ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë t’i kushtojnë vëmendje deklaratave të tilla, duke theksuar se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të mbështeten në respektimin e sovranitetit dhe në shmangien e retorikës që nxit tensione.

“Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë duhet t’i trajtojnë me seriozitet deklaratat e tilla, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi kërcënime, pretendime territoriale dhe mohimin e realitetit shtetëror të Kosovës.

Paqja kërkon përgjegjësi politike, respekt të ndërsjellë dhe gatishmëri për të hequr dorë nga retorika e së kaluarës.

E ardhmja e Ballkanit nuk mund të ndërtohet mbi ëndrrat për rikthimin e kufijve të së kaluarës, por mbi respektimin e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit evropian.

Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe integrimit euroatlantik. Kjo rrugë nuk mund të përcaktohet nga deklaratat nacionaliste të politikanëve në Beograd”, ka përfunduar Gashi.

të fundit

Prekazi luajti për Lirinë pas humbjes së babait, Munishi vlerëson sakrificën e mbrojtësit

Mbrojtësi Arbër Prekazi ka dëshmuar karakterin e fortë për të zhvilluar ndeshje të plotë për Lirinë e Prizrenit ndaj Dinamo…

1 minute ago

VIDEO/ Kacurri spikat në Angli me një shpëtim vendimtar, pas mungesës në Kombëtaren e Maranit

Maldini KacurriNë javën e 10-të të “League Two” në Angli, liga e 4-të për nga rëndësia, mbrojtësi i Shqipërisë, Maldini…

8 minutes ago

Power bank-u merr flakë në avion, pasagjerët përfshihen nga paniku dhe fluturimi ulet emergjentisht në Indi

Panik në bordin e një avioni të kompanisë ajrore indiane IndiGo, pasi një pajisje elektronike portative, e njohur si power…

13 minutes ago

Alarm sigurie në Poloni, kërcënime ndaj Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes

Mblidhen me urgjencë policia dhe agjencitë e sigurisë pas informacioneve për një sulm të mundshëm ndaj dy zyrtarëve të lartë.…

13 minutes ago

Tragjedia në rafinerinë greke, ndërron jetë edhe shqiptari i dytë, arrestohen 4 persona

Ka ndërruar jetë edhe shqiptari tjetër i cili u plagos rëndë pak ditë më parë pas një shpërthimi në një…

13 minutes ago

Haxhiu: Pezullimi i gjashtë policëve për dhunën në Saraj është hap drejt drejtësisë

Deputetja e VLEN-it, Feride Haxhiu, ka reaguar pas suspendimit të gjashtë policëve të përfshirë në rastin e dhunës ndaj dy…

14 minutes ago