I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, zhvilloi një vizitë të paprítur në Prishtinë, ndërsa qëndrimet e Kosovës dhe BE-së mbeten të ndara për çështjen e rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë.
None found
Gjatë qëndrimit të tij, Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, por nuk bëri asnjë deklaratë për mediat.
Në një njoftim të lëshuar nga zyra e tij pas takimit, Kurti i tha Sorensenit: “Dorëheqjet masive të katër viteve më parë në veri të Ibrit synonin pikërisht të minonin përbërjen shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tashmë, rruga përpara duhet të përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, gjë që për sistemin gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumëllojshmërisë etnike, por edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë.”
Analisti politik Faton Mehmeti, në një bisedë për “Bota sot”, shprehu vlerësimin se kërkesa për rikthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë është pasojë e presioneve të Serbisë. Sipas tij, ata ishin larguar nga institucionet kosovare nën ndikimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe nuk duhet të lejohen të kthehen.
Ai shtoi se kjo duhet të shërbejë si një mesazh për serbët e tjerë që t’u besojnë institucioneve të Kosovës dhe jo Beogradit.
Mehmeti deklaroi: “Natyrisht, zoti Sorensen ka ardhur pas trysnisë së Serbisë, me pretekstin se prokurorët dhe gjyqtarët serbë po përndiqen etnikisht në Kosovë, prandaj ai thjesht erdhi për të përmbushur rolin e tij dhe për të qetësuar, si të thuash në mënyrë figurative, shqetësimin e Serbisë se këta nuk janë përndjekur. Pra, këto janë lojërat e Serbisë; prokurorët, gjyqtarët dhe kushdo që ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës nuk duhet të lejohet të kthehet më, sepse ata e kanë kryer këtë veprim si rezultat i ndikimit të Vuçiqit. Këta prokurorë dhe gjyqtarë kanë qenë vegla të Vuçiqit, të urdhëruar prej tij për t’u larguar, dhe natyrisht nuk duhet të ketë kthim për njerëzit e Vuçiqit në institucionet e Kosovës. Në këtë kuptim, ky është edhe një mesazh për serbët e tjerë që t’i drejtohen institucioneve të Kosovës, pra Prishtinës, e jo Beogradit, sepse kushdo që kthehet nga Beogradi kështu do të përfundojë.”
Mehmeti nënvizoi se institucionet e Kosovës nuk duhet t’u nënshtrohen presioneve politike, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, dhe se refuzimi i rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimi i duhur. Sipas tij, kjo do të provonte pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe do të jepte një mesazh të qartë se Kosova vendos vetë për institucionet e saj.
“Prandaj, institucionet e Kosovës nuk duhet të bien viktimë e presioneve vendore apo ndërkombëtare, por thjesht duhet të vazhdojnë punën e tyre dhe çdo vendim tjetër përveç pranimit të dorëheqjes së tyre dhe mospranimit të tërheqjes së saj do të ishte skandaloz. Besoj se gjyqësori i Kosovës do ta marrë vendimin përfundimtar duke refuzuar pranimin e dorëheqjes për këta gjyqtarë dhe në këtë mënyrë do t’u dërgohet një mesazh edhe serbëve të tjerë. Pra, edhe zoti Sorensen duhet ta kuptojë se, pavarësisht se Kosova është shtet i pavarur, ajo nuk duhet të bjerë pre e trysnive ndërkombëtare. Le të imagjinojë vendin nga vjen zoti Sorensen që dikush të ndërhyjë në gjyqësor për të përcaktuar se kush duhet të jetë prokuror apo gjykatës. Prandaj, e vlerësoj shumë qëndrimin e zotit Kurti në këtë rast”, përfundoi ai.
Ndërkohë, analisti Artan Nimani theksoi se vizita e Peter Sorensen është pjesë e angazhimit të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi dhe se zhvillimi i takimit pa praninë e mediave tregon ndjeshmërinë e kësaj teme. Në një prononcim për “Bota sot”, ai tha se rikthimi i ish-zyrtarëve serbë duhet të trajtohet vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ai deklaroi për “Bota sot”: “Vizita e Peter Sorensen duhet kuptuar si pjesë e angazhimit të Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi dhe çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit. Fakti që takimi u mbajt pa ekspozim publik flet më shumë për ndjeshmërinë e temës sesa për ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje të veçantë. Duhet theksuar se prokurorët, gjyqtarët dhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje vullnetarisht nga institucionet e Republikës së Kosovës në vitin 2022, si rezultat i vendimeve politike të Serbisë dhe jo si pasojë e ndonjë vendimi diskriminues të institucioneve kosovare. Për këtë arsye, çdo çështje që lidhet me kthimin e tyre duhet të trajtohet ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke respektuar procedurat ligjore dhe pavarësinë institucionale.”
Nimani shtoi se Kosova duhet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë pa cenuar sovranitetin e saj, duke theksuar se integrimi në institucione duhet të bazohet vetëm në respektimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve.
“Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, por pa cenuar sovranitetin e saj kushtetues. Integrimi në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë rezultat i marrëveshjeve politike, por i respektimit të ligjit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve. Ky duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo hapi që do të ndërmerret pas takimit Kurti–Sorensen”, përmbylli ai për gazetën.
Rikujtojmë se mijëra pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, Policinë e Kosovës, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022. Ky veprim erdhi si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale serbe me targa të Republikës së Kosovës.
Një “bishë” që tërheq vetura dhe çdo gjë që i del përpara. Kilogramët për të janë vetëm numra dhe asgjë…
Një nga momentet më të diskutueshme të çerekfinales së Kupës së Botës mes Zvicrës dhe Argjentinës ka marrë një zhvillim…
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën. Pesë foshnja të porsalindura janë gjetur të pajeta brenda një banese në qytetin…
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar sërish nërpërmjet një postimi në Facebook për zhvillimet e fundit në vend, duke…
Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (DPT) i është bashkuar zyrtarisht koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet, duke i…
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm,…