Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që brenda pak ditësh të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
None found
Ndërkohë, Albin Kurti, si kryetar i partisë fituese, nuk ka nisur ende bisedime me subjektet politike për një koalicion qeverisës apo për çështjen e presidentit, pasi, sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë procesi i certifikimit.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë po kërkojnë ruajtjen e stabilitetit institucional.
Për këtë zhvillim ka folur për “Bota sot” veprimtari i Diasporës, Agim Aliçkaj.
Sipas tij, qytetarët ia kanë dhënë besimin Albin Kurtit dhe koalicionit të tij për të udhëhequr vendin, ndërsa opozita, siç thotë ai, po pengon funksionimin e rregullt të institucioneve për shkak se nuk po e pranon humbjen politike. Aliçkaj vlerëson se një sjellje e tillë i shkakton dëm Kosovës dhe njëkohësisht ul besimin e qytetarëve ndaj opozitës.
“Populli i Kosovës, me votë të lirë dhe demokratike, e shprehu për të tretën herë radhazi vullnetin e tij që Kryeministri Albin Kurti, së bashku me koalicionin LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK, ta qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, e kanë pranuar rezultatin zgjedhor, i cili pritet të certifikohet këto ditë, por ende nuk po e pranojnë humbjen politike. Deklaratat dhe sjelljet e tyre tregojnë qartë se, meqë nuk e fituan besimin e qytetarëve, do të bëjnë çmos për ta pamundësuar qeverisjen normale të fituesit dhe më pas ta akuzojnë atë për paaftësi dhe keqqeverisje.
Me bllokadat dhe bojkotimin e institucioneve, opozita e ka tejkaluar çdo kufi të përgjegjësisë politike. Shkuarja në zgjedhje të reja, pas tri humbjeve radhazi, do të ishte e dëmshme për Kosovën dhe katastrofike për vetë opozitën. Shumica e qytetarëve janë aq të zhgënjyer dhe të zemëruar me këto veprime, saqë nuk do t’ua besonin votën edhe sikur vendi të shkonte në një numër të pafund zgjedhjesh. Gjetja e arsyetimeve të reja për bllokada, siç është çështja e gazit amerikan, nuk u sjell atyre asnjë përfitim politik”, u shpreh ai.
Më tej, ai theksoi se edhe ndërkombëtarët po kërkojnë stabilitet në Kosovë dhe se klasa politike duhet të shfaqë më shumë përgjegjësi, duke nënvizuar njëherazi rolin e popullit dhe të aleatëve në arritjen e pavarësisë.
“Thirrjet e diplomatëve dhe politikanëve ndërkombëtarë për stabilitet institucional tregojnë se edhe ata janë lodhur nga krizat e vazhdueshme politike në Kosovë. Ata, në mënyrë të kuptueshme, nuk merren me identifikimin e fajtorëve, por kërkesat e tyre janë serioze dhe në funksion të forcimit të shtetit. Është e qartë se janë të shqetësuar nga problemet e panevojshme që burojnë nga interesat personale, grupore dhe partiake.
Kosova është me fat që lirinë dhe pavarësinë e arriti falë rezistencës së popullit të saj, por edhe me mbështetjen vendimtare të botës demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe sikur ta kishte dëbuar vetë okupatorin serb, ekzistonte rreziku real që lufta për pushtet ndërmjet grupeve të ndryshme pas çlirimit të shndërrohej në konflikt vëllavrasës. Fatkeqësisht, përgjegjësia dhe kultura politike shtetformuese në Kosovë ende nuk kanë arritur nivelin e nevojshëm”, shpjegon veprimtari.
Aliçkaj shtoi gjithashtu se faktori ndërkombëtar duhet të ndihmojë në krijimin e institucioneve përmes dialogut dhe presionit diplomatik, por pa prekur sovranitetin e Kosovës, ndërsa përfaqësuesit politikë, sipas tij, duhet të mbrojnë në çdo rast interesat e shtetit.
“Kërkesat publike dhe të paanshme të diplomatëve ndërkombëtarë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve janë të mirëpritura. Megjithatë, do të ishte edhe më e dobishme që ata t’i ftonin në takime të mbyllura përfaqësuesit e të gjitha partive politike, veçmas ose në grupe, t’i dëgjonin argumentet e secilës palë dhe të ushtronin presion diplomatik që të ndërpriten praktikat jodemokratike dhe të mbizotërojë interesi shtetëror dhe orientimi pro-perëndimor i Kosovës.
Një presion i tillë është plotësisht legjitim në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nuk përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Por, kur politikanë të caktuar, sidomos ish-diplomatë ndërkombëtarë, për shkak të interesave personale ose ndikimeve nga armiqtë e Kosovës, si Serbia dhe Rusia, mbështesin ose sulmojnë publikisht individë apo forca politike në Kosovë, qëndrimet e tyre nuk duhet të merren si udhërrëfyese.
Po ashtu, nuk duhet të pranohen në asnjë rrethanë kërkesat për lëshime ndaj Serbisë, kur ato cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pavarësisht se nga kush vijnë. Në raste të tilla, ato duhet të kundërshtohen me maturi, respekt dhe në mënyrë diplomatike, mundësisht në takime të mbyllura. Qeveria dhe të gjithë përfaqësuesit politikë të Kosovës e kanë detyrim të mbrojnë, pa kompromis, interesat e shtetit. Servilizmi i tepruar prodhon një shtet të dobët, të gjunjëzuar dhe të nëpërkëmbur, foli Aliçkaj.
Në fund, ai vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet të ndërtohen në përputhje me vullnetin e qytetarëve, se Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus dhe se çdo bllokadë politike e dëmton shtetin dhe bie ndesh me sakrificën e popullit për liri e pavarësi.
“Konkretisht, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, formimi i institucioneve dhe zgjedhja e Presidentit nuk do të duhej të paraqisnin problem, nëse respektohet vullneti i qytetarëve. Me 53 mandate, të mbështetura nga deputetët e komuniteteve joserbe, pa përfshirë organizatën armiqësore Lista Srpska, Kryeministri Kurti ka mundësi ta sigurojë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë. Një marrëveshje e arsyeshme me ndonjërën nga partitë e tjera, e bazuar në rezultatin real zgjedhor, do ta bënte qeverisjen edhe më të qëndrueshme.
Nga deklaratat e mëparshme të pothuajse të gjithë liderëve politikë del qartë se Presidenti i Kosovës duhet të jetë figurë unifikuese, mbi partitë politike dhe të zgjidhet përmes konsensusit. Tre kandidatë të tillë mund të propozohen edhe nga opozita, ndërsa njëri prej tyre të zgjidhet me votat e shumicës në Kuvend. Pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në seancat për zgjedhjen e Presidentit duhet të konsiderohet obligim moral dhe institucional. Edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim do të ishte i dobishëm.
Përfundimisht, ata që vazhdojnë ta bllokojnë shtetin nuk do të fitojnë kurrë asgjë. Veprimet e tyre bien ndesh me rezistencën shekullore të popullit shqiptar dhe me luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së. Duke vepruar kështu, ata shkelin mbi gjakun e viktimave të gjenocidit serb, si dhe mbi sakrificën e dëshmorëve dhe heronjve të kombit”, përfundoi veprimtari Aliçkaj për “Bota sot”.
Gjatë konferencës për mediat, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka deklaruar se infrastruktura e emergjencave do të përmirësohet falë…
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka denoncuar sot luksin që Edi Rama po ia shton vetes në zyrë, ndërkohë që…
Prokuroria e Beratit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq tre shtetas, pas zbardhjes së një rasti të dyshuar…
Në Kroaci këtë vit punojnë 6.849 shtetas të Maqedonisë së Veriut, tregojnë të dhënat për lejet e qëndrimit dhe të…
Mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, ka folur për herë të parë rreth incidentit me Federico Valverden në qendrën stërvitore…
Vatrat e zjarrit në Europën Jugore kanë vijuar të zgjerojnë perimetrin e tyre, duke detyruar mijëra qytetarë të braktisin banesat,…