Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota një deklaratë në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë, e cila dy javë më parë shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Deputetët serbë nuk morën pjesë në votim.
None found
Në deklaratë shprehet shqetësim i thellë ndaj vendimit të shkallës së parë kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe konsiderohet i papranueshëm përfundimi për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal që u përmend gjatë gjykimit.
Gjithashtu theksohet se respektimi i shtetit të së drejtës nënkupton edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar me mjete ligjore e institucionale një aktgjykim që Kuvendi i Kosovës e vlerëson të padrejtë.
Deklarata, e cila përmban shtatë pika, rikujton se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes UÇK-së lindi në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, në një kohë kur popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij.
Në tekst përmendet po ashtu rëndësia vendimtare e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.
“Asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratë.
Pas vendimit të Hagës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, si dhe hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për bashkërendimin e veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike në mbrojtje dhe afirmim të së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim.
Kuvendi kërkon gjithashtu që Dhomat e Specializuara ta respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale u shqiptoi dënime për krime lufte katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.
Javën e kaluar, Partia Demokratike e Kosovës, e cila në politikën e saj mishëron vlerat e luftës së UÇK-së, i propozoi qeverisë të nisë verifikimin e ndryshimeve të paraqitura në projektligjin për Dhomat e Specializuara, që në opinion njihet si Gjykata Speciale.
Sipas projektligjit, juridiksioni i Gjykatës Speciale kërkohet të kufizohet vetëm në veprat penale që përmenden në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë. Po ashtu, periudha kohore që mbulon kjo gjykatë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, propozohet të ndryshohet në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000. Në projektligj parashihet edhe që dënimet e Gjykatës Speciale të ekzekutohen në Kosovë dhe personat e dënuar të mos përjashtohen nga e drejta e Presidentit të Kosovës për falje. Ligji nuk është miratuar ende, por i është paraqitur qeverisë.
Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se nismat për plotësim dhe ndryshim të ligjit për Dhomat e Specializuara janë tejet komplekse. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaroi për DW-në se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar plotësim dhe ndryshim të ligjit, me kusht që këto ndryshime të mos cenojnë detyrimet që ka marrë Kosova në bazë të amendamentit kushtetues të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës. Sipas tij, çdo plotësim ose ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të marra përsipër nga Republika e Kosovës.
Miftaraj shtoi se çdo plotësim apo ndryshim duhet të bëhet në konsultim dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian apo me SHBA-në, në mënyrë që këto ndryshime të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.
Që nga shpallja e dënimit për ish-krerët e UÇK-së, në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës çdo ditë vazhdojnë të mbahen protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Dhomat e Specializuara, ose siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe e ka selinë në Hagë. Stafi i saj është tërësisht ndërkombëtar.
Gjykata Speciale trajton vetëm rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ajo u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës përmes një neni të posaçëm, i cili u miratua nga dy të tretat e deputetëve të atëhershëm dhe po ashtu nga dy të tretat e deputetëve të pakicave, përfshirë përfaqësuesit në Kuvend të serbëve të Kosovës.
Sipas dy neneve të tjera të Kushtetutës, mandati i Gjykatës Speciale përfundon vetëm kur Këshilli i Bashkimit Evropian e njofton Kosovën për përfundimin e mandatit, duke e bërë atë një mekanizëm mbi të cilin autoritetet kosovare, me ligjin ekzistues, nuk kanë asnjë kompetencë. / DW
Një nënë dhe tre fëmijët e saj, 16, 8 dhe 7 vjeç, kanë humbur jetën në një zjarr tragjik në…
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar emrat e deputetëve për përbërjen e 16 komisioneve parlamentare. Kjo parti do të ketë…
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Deklaratën lidhur me aktgjykimin e…
Parlamenti i Kosovës miratoi me një shumicë prej 99 votash një deklaratë lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës…
Lëvizja Vetëvendosje sot në seancë ka paraqitur emrat e deputetëve që do ta përfaqësojnë grupin parlamentar në komisionet e Kuvendit…
Trajko Bojkovski, i akuzuar për katër vrasje në zonën e Staro Nagoriçane, pranoi në seancën e sotme në Gjykatën Themelore…