Më 26 qershor përkujtohet dita e themelimit të gazetës kombëtare “Bota sot”, e krijuar në Cyrih të Zvicrës nga Xhevdet Mazrekaj bashkë me veprimtarë të tjerë të diasporës shqiptare.
Këtë vit, “Bota sot” shënon 31-vjetorin e saj, duke vazhduar prej më shumë se tre dekadash të mbetet pranë lexuesve si një burim i rëndësishëm informacioni për zhvillimet në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
None found
Pas luftës në Kosovë, më 1999, gazeta e shtriu aktivitetin me themelimin e redaksisë qendrore në Prishtinë. Por periudha e pasluftës do të bëhej edhe kapitulli më i rëndë i historisë së saj, pasi “Bota sot” renditet ndër mediat që kanë humbur më së shumti gazetarë dhe bashkëpunëtorë në rrethana tragjike.
Vitet 2000–2005 rezultuan veçanërisht të rrezikshme për stafin e gazetës. Për shkak të shkrimeve të guximshme, vijës editoriale të afërt me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si edhe kritikave ndaj strukturave të caktuara politike dhe kriminale, disa prej gazetarëve dhe kolumnistëve më të njohur të saj u vranë në atentate që ende nuk janë zbardhur.
Më 23 nëntor 2000 u vra Xhemajl Mustafa, një nga intelektualët, shkrimtarët dhe politikanët më të spikatur të Kosovës. Ai ishte këshilltar i lartë politik i Rugovës dhe bashkëpunëtor i afërt i gazetës “Bota sot”. Vrasja ndodhi në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, në një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe që shënoi nisjen e serisë së vrasjeve politike të pasluftës.
Më 19 tetor 2001, një vit më pas, u vra Bekim Kastrati, gazetar investigativ dhe raportues i rregullt i gazetës. Ai njihej për trajtimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me krimin e organizuar dhe zhvillimet politike. Kastrati u ekzekutua në një pritë të armatosur në fshatin Laushë, ndërsa ndodhej në veturë me dy persona të tjerë.
Ndërsa më 25 qershor 2005, pas plagëve të marra në atentatin e 3 qershorit të atij viti, ndërroi jetë Bardhyl Ajeti. Ai ishte redaktor, gazetar dhe kolumnist i njohur i “Bota sot”, i veçuar për shkrimet kritike në rubrikën “Pa dorëza”, ku trajtonte pa kompromis dukuritë negative në shoqërinë kosovare. Pas disa javësh në gjendje kome, ai vdiq në një spital në Milano të Italisë.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe hetimet janë zhvilluar fillimisht nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i dhe institucionet vendore të drejtësisë, asnjëra nga këto vrasje nuk është zbardhur plotësisht. Autorët dhe urdhëruesit vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë.
Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës, gazetari Nebi Ajeti, njëherësh nip i Bardhyl Ajetit, ka kujtuar me nderim kolegët që humbën jetën në ushtrimin e profesionit.
Sipas tij, sakrifica dhe kujtimi i gazetarëve të vrarë mbeten detyrim për brezin e sotëm të gazetarëve që të vazhdojnë rrugën e gazetarisë së lirë, profesionale dhe të pavarur.
“Në 31-vjetorin e themelimit të gazetës ‘Bota sot’, përkulemi me respekt para kujtimit të kolegëve tanë që humbën jetën në ushtrimin e misionit të tyre gazetaresk. Sakrifica e tyre mbetet një dëshmi e fuqishme e përkushtimit ndaj së vërtetës, lirisë së shprehjes dhe informimit të drejtë të publikut. Edhe pas shumë vitesh, moszbardhja e plotë e vrasjeve të tyre vazhdon të perceptohet si një plagë e hapur, jo vetëm për gazetën dhe familjet e tyre, por edhe për shoqërinë dhe drejtësinë në vend. Kujtimi i tyre na obligon që të vazhdojmë me integritet, profesionalizëm dhe guxim rrugën e gazetarisë së pavarur. Nderimi më i madh për ta është të mos harrohen kurrë dhe të vazhdohet kërkimi i së vërtetës, ashtu siç bënë ata gjatë gjithë jetës së tyre”, thotë Ajeti për “Bota sot”.
Ajeti shpreh gjithashtu zhgënjim për moszbardhjen e rasteve të vrasjes së gazetarëve, duke thënë se kjo ka lënë vend për shumë dyshime e pikëpyetje në opinionin publik.
“Njëkohësisht, nuk mund të fshehim zhgënjimin tonë të thellë ndaj institucioneve përgjegjëse. Për më shumë se dy dekada, qeveri të ndryshme kanë premtuar zbardhjen e këtyre rasteve dhe vënien e drejtësisë në vend, por rezultatet kanë munguar. Kjo vonesë e gjatë dhe mungesa e përgjigjeve konkrete kanë lënë hapësirë për dyshime dhe pikëpyetje të shumta në opinionin publik. Ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet të plotë institucional, pa ndikime politike dhe pa kalkulime të interesave të ditës. Vetëm një hetim i pavarur, i paanshëm dhe i plotë mund të sjellë drejtësi për viktimat, familjet e tyre dhe për vetë shoqërinë. Deri atëherë, plagët mbeten të hapura dhe përgjegjësia për të kërkuar të vërtetën mbetet obligim moral dhe profesional i yni”, përfundon gazetari.
Në këtë përvjetor, gazetarët e vrarë i ka kujtuar edhe kryeredaktorja e “Bota sot”, Mimoza Lakna, e cila thotë se përpjekja për drejtësi nuk është ndalur asnjëherë.
Lakna thekson se “Bota sot” nuk ka bërë kompromis me të keqen.
Sipas saj, është dashur shumë guxim për të hulumtuar dhe publikuar realitetin me të cilin përballej Kosova, sidomos në vitet e para pas luftës.
“Gazeta kombëtare “Bota sot” asnjëherë nuk ka bërë kompromis me të keqen dhe kjo, për fat të keq, i ka kushtuar edhe me vrasjen e gazetarëve të saj. Mos të flasim pastaj për sulmet dhe kërcënimet e vazhdueshme me të cilat janë përballur themeluesit dhe i gjithë stafi nga ata që i pengonte ajo që shkruhej e thuhej guximshëm vetëm në “Bota sot”. Misioni i shenjtë i gazetarisë merrte kuptim në shkrimet që publikoheshin çdo ditë në gazetën “Bota sot”. Duhej shumë guxim për ta hulumtuar dhe plasuar gjendjen reale me të cilën përballej Kosova, sidomos në vitet e para të pasluftës. Por edhe “pasojat” ishin të rënda. Atyre që kishin për mision përvetësimin e çdo gjëje të mirë e pozitive në Kosovën e pasluftës, u ishin bërë “halë në sy” gazetarët tanë”, thotë Lakna.
Sipas saj, të gjitha mizoritë e ushtruara ndaj kombëtares “Bota sot” nuk arritën ta shuajnë zërin kritik të gazetës.
Ajo shton se këto ngjarje vetëm sa e forcuan më shumë vendosmërinë për të shkuar deri në fund në kërkimin e së vërtetës.
“Mizoria ndaj kombëtares “Bota sot” vijoi në vitin 2000 me vrasjen e Xhemail Mustafës, bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, kolumnistit të rregullt dhe njeriut më të afërt të Presidentit Rugova. Një vit më vonë u vra edhe gazetari Bekim Kastrati, e më pas, në vitin 2005, edhe Bardhyl Ajeti. Këto ngjarje të rënda nuk arritën ta shuajnë zërin kritik të gazetës “Bota sot”. Madje, arsyeja për t’i shkuar të vërtetës deri në fund vetëm sa u forcua. Përvjetorët e vrasjeve të gazetarëve ndër vite janë shënuar me shkrime dhe kërkesa për zbardhjen e tyre dhe kapjen e kriminelëve, ani pse vetë drejtësia në Kosovë, për shumë vite, ishte e kapur nga politika, e mbase edhe nga vetë vrasësit e gazetarëve të gazetës “Bota sot” dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë politikë të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova”, shprehet kryeredaktorja.
Në fund, Lakna thotë se “Bota sot” ka qenë dhe vijon të mbetet zëri i familjeve që kërkojnë drejtësi dhe se nuk do të ndalet.
“Tridhjetë e një vjet pas themelimit, vrasjet e gazetarëve, përkatësisht moszbardhja e tyre, mbeten plaga më e rëndë e “Bota sot”. Ne, si staf i gazetës, asnjëherë nuk kemi reshtur së kërkuari drejtësi për vrasjet e gazetarëve, por edhe për vrasjet e tjera me motive politike. Gjatë gjithë këtyre viteve, drejtësia e kapur heshti, ndërsa politikanët i përdorën vrasjet politike për t’i larë hesapet e tyre elektorale. Por “Bota sot” ishte dhe vazhdon të jetë zëri i familjeve që kërkojnë drejtësi dhe besoj se nuk do të ndalemi derisa drejtësia ta thotë fjalën e saj përfundimtare”, përfundon Lakna.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka bërë një tjetër denoncim lidhur me projektin…
Në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj Vullnet Gashit i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet në lagjen…
Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, deklaroi se Izraeli nuk ka alternativë tjetër veç largimit të pakushtëzuar nga territoret libaneze që…
Gjatë një aktiviteti të dedikuar mjedisit në Pallatin e Shën Jakobit, Mbreti Charles u gjend përballë të nxehtit të fortë…
Botërori gjithnjë konsiderohet si një trampolinë për karrierën e futbollistëve. Është skena më prestigjioze e futbollit ku japin spektaklin e…
MPB Maqedoni njofton se dje (25.06.2026), rreth orës 18:00, në Koçan, nëpunësit policorë të Ekipit Mobil në Njësitin Mobil për…