“Djali im i keq”, Aurela Gaçe sjell baladën e vjeshtës dhe emocionoi publikun (VIDEO)

Asgjë nuk na ngushëllon e emocionon më shumë në vjeshtë se një baladë dhe këtë e dinë shumë mirë artistët. Aurela Gaçe ka sjellë një nga baladat më të bukura të kësaj stine dhe si gjithnjë na vodhi zemrat menjëherë. Kënga mban titullin “Djali im i keq” dhe është një dedikim i ndjerë dashurie. Tekstin e ka shkruar Aurela së bashku me Pandi Laçon kurse muzika është punuar nga Kledi Bahiti.

Dëgjuesit kanë shprehur në sektorin e komenteve gjithë emocionet e marra nga kjo këngë. Videoklipi i këngës është xhiruar në kryeqytet dhe kalanë e Tiranës teksa Aurela ka ardhur këtë herë me flokë kaçurrela dhe ky look është pëlqyer shumë nga fansat e saj.

“Djali im i keq” është kënga e gjashtë e albumit të ri që po sjell Aurela. Deri tani ajo ka publikuar “Veten duan gjallë”, “Lento-lento”, “Një pikë”, “Çupa nga Vlora” dhe “S.F.L”. Kujtojmë se S.F.L u publikua pak javë më parë dhe është një bashkëpunim me Stine dhe Dr. Florin. Deri tani Aurela nuk ka publikuar ende datën zyrtare të lançimit të albumit por mezi po presim.


Shtuar 29.10.2021 08:58