Teksa Maqedonia e Veriut ka hyrë në zgjedhje për parlamentin e ri që do të formohet, ka pasur mesazhe që kanë inkurajuar vendin dhe qytetarët në forma të ndryshme.
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë hapur përmes një video-mesazhi në mbështetje të Ziadin Selës, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Teksa kujton kontributin historik ndër periudha të veçanta, të shqiptarëve të Maqedinisë së Veriut, për shtet-formim dhe në çështjen kombëtare, Albin Kurti ju siguron shqiptarëve atje se do ta kenë mbështetjen e tij dhe të partisë që drejton në çdo kohë dhe se nuk janë të vetëm.
Mesazhi i plotë: Të dashur miq, Zonja e zotërinj, bashkëkombasit e mi shqiptarë, që jetoni si autoktonë në tokën tuaj, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Po ju drejtohem me këtë video, sepse nuk munda t´ju vizitoj në Shkup, siç e pata në plan, për shkak të masave kufizuese që e vështirësojnë kalimin e kufirit gjatë pandemisë.
Nuk mund të takohemi fizikisht, por megjithatë mund të komunikojmë, e të vazhdojmë të jemi pranë njëri-tjetrit, ashtu siç duam, ashtu siç duhet. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonjëri që nuk e di mirë historinë e shqiptarëve, mund edhe të mendojë se janë periferi, provincë e shqiptarisë.
Por, ata kanë qenë në ballë të të gjitha proceseve tona kombëtare. Për lirinë e Kosovës kanë dhënë jetën shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, e pastaj shumë të tjerë luftuan edhe në Maqedoni, bashkë me të rinj nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare, për një ëndërr e cila sot duket sikur është harruar. Mirëpo, ne nuk i harrojmë dëshmorët tanë. As idealet e tyre. Idealet nuk plaken kurrë, idealeve nuk u ikën koha.
Ne që këndojmë këngën e Hajredin Pashës, e dimë historinë e Dervish Carës e të kryengritjes së tij të 1844, e cila i priu me më shumë se tre dekada Lidhjes së Prizrenit. Ata kërkonin autonominë e shqiptarëve në perandori, njësoj siç u ishte dhënë autonomia serbëve dikur. E pra, ky pararendës i pavarësisë, dhe lëvizja e tij, nisi nga rrethinat e Tetovës dhe Dibrës, dhe organizoi anembanë shqiptarët, nga Shkupi e deri në Shkodër.
Mandej erdh Lidhja e Prizrenit. E drejtues i mbledhjes në 18 qershor 1878, ishte Iljaz pashë Çoku, apo Iljaz pashë Dibra. Pastaj, mes shumë pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit që ishin nga Maqedonia e sotme veriore, ishin aty edhe sheh Mustafë Tetova e Jashar bej Shkupi e Hasan pashë Tetova. Pikërisht djali i këtij të fundit, Mehmet pashë Deralla, u angazhua si ndihmës dhe këshilltar i Sylejman Vokshit, dhe luftoi në të gjitha betejat e Lidhjes së Prizrenit e të Besëlidhjes së Pejës. Mehmet Deralla më pas u bë edhe ministri i parë i mbrojtjes, në qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë.
Mandej kemi rilindasit e arsimtarët e parë të shqipes, Said Najdeni, apo hoxhë Voka, siç e njohin, që punoi me rilindasit e mërgatës dhe përhapi me shkolla e me shkrime mësimin e shqipes. Po ashtu Jashar Erebara, nga Shkupi, Ibrahim Temo nga Struga, që ndihmoi botimet shqip në Stamboll, Dervish Hima nga Struga, dhe poeti shqiptar ortodoks i Rilindjes Kombëtare nga Reka e Epërme, Josif Bagëri.
Të mos harrojmë edhe kontributin e shquar të familjes Qiriazi nga Manastiri, Gjerasimi e Gjergji, mësues pionierë të shqipes, por sidomos motrat e tyre, ndoshta gratë më të shquara të Rilindjes sonë: Parashqevi Qiriazi, veprimtare, mësuese e popullit, pjesëmarrëse në Kongresin e Alfabetit në Manastir, themeluese e shoqatës së parë të grave shqiptare, autore e programit arsimor të qeverisë së Ismail Qemalit, dhe diçka e rrallë, e vetmja delegate grua, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Njashtu edhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ndër nismëtaret e para të arsimit të grave, pjesëmarrëse në kongreset e Manastirit e të Elbasanit, bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, e patriote deri në fund.
Shumë prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë, që në fakt ishte projekti për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve kudo, vinin nga Maqedonia e Veriut. Mustafa Baruti, Nuri Sojliu, Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, që e përmendëm, Zyhdi Ohri, e shumë të tjerë iu bashkangjitën më vonë, për shkak se nuk arritën dot në kohë në 28 nëntor.
Ja edhe një kuriozitet tjetër, kryetari i parë i bashkësisë islame të Shqipërisë, menjëherë pas Pavarësisë, ishte Haxhi Vehbi Dibra. Në Vlorë ai ka thënë se «kristianët dhe myslimanët janë vëllezër shqiptarë të pandarë», duke i vënë vulën realitetit tonë kombëtar, të bashkëpunimit mes besimtarëve të feve të ndryshme, vlerë që e duam aq shumë e që mburremi me të.
Alfabetin me të cilin shkruajmë sot shqipen, e kemi nxënë në Manastirin tuaj, në Manastirin tonë. Prej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vijnë shumë shkrimtarë me vlerë për letërsinë shqipe, historikë e bashkëkohorë. Po e përmend për shembull Haki Stërmillin, që me librin «Sikur të isha djalë» çel temën e rëndësishme të vuajtjes e të diskriminimit të gruas, temë për të cilën politika edhe sot ka për detyrë të bëjë shumë.
Mandej edhe piktorë, i madhi Abdurrahim Buza, apo Sabri Fetahu e Omer Kaleshi. E shumë këngëtarë e poetë, profesorë e kritikë, shkencëtarë. Po edhe sportistë. Gjithë bota e di se shqiptari i parë që ka marrë medalje ari në lojëra olimpike, ka qenë Shaban Tërstena, mundësi nga Shkupi. E dyta, Majlinda jonë e artë nga Peja.
E dy nobelistët me të cilët mburret krejt shqiptaria, humanistja, Nënë Tereza, dhe mjeku, Ferid Murati, vijnë prej anëve tuaja. Pra ka shumë potencial te ju. Ju nuk jeni provincë e shqipes, ju, njësoj si shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Kosovës, diasporës, e padyshim edhe Shqipërisë, pa harruar arbëreshët, jeni zemra e kulturës dhe e kombit tonë.
Por, që potenciali i vajzës e i djalit shqiptar të mund të shprehet, ai ka nevojë për disa kushte themelore. Këto kushte nuk realizohen dot aty ku ka diskriminim e pabarazi. Pikërisht duke parë programin e përbashkët të Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës, si pikë të parë të programit dhe si temë tejet të rëndësishme e kanë shtetin për të gjithë dhe barazinë e plotë. Shqiptarët duhet të jenë prezentë kudo, aq sa u takon. Këtë të drejtë ua japin ligjet, nuk duhet lejuar që t´ua mohojë politika e vjetër, apo ajo e korruptuar.
Ne jemi popull paqësor. Por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë, pa drejtësi e nën korrupsion, pa arsim e në injorancë, pa shëndetësi e në ligështi, pa punë e në skamje. Pabarazia duhet luftuar në të gjitha format e saj, tërë kohën, nga të gjithë ne, kudo që jemi e që bëhemi.
Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës. E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë.
Ju uroj suksese në zgjedhjet e 15 korrikut. Le t´i lëmë pas të vjetrat, le të kthehemi kah e reja, se na duhen ndryshime, zhvillim e demokraci. Mbështeteni ndryshimin, dhe më lini t´ua kujtoj edhe një herë, si Albin e si Vetëvendosje: nuk jeni vetëm; jemi bashkë; kurrë nuk do të jeni vetëm.
nga Ersuin Shehu Banka e Shqipërisë vendosi në fillim të këtij muaji të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës…
Dashi Tregohuni sa me diplomate dhe te duruar me partnerin tuaj gjate kësaj dite ne mënyrë qe gjerat te ecin…
Më shumë se një duzinë shtetesh, kryesisht evropiane, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë izraelite për të miratuar ndërtimin…
Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë pasi ka përplasur për vdekje një kalimtar në Tiranë. Agjencia…
“Muaji i mjaltit” në “Big Brother VIP Albania 5” ka përfunduar në kohë rekord. Shtëpia është tronditur pasditen e sotme…
Miri dhe Selin kanë biseduar me njëri-tjetrin për Kristi Lamaj, si banor, teksa përmendën këngën e tij ‘Bajame’. Miri i…