Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kumtuar se kanë hyrë në fazën finale të negociatave për marrëveshjen e koalicionit qeverisës.
Të dy partitë në negociata, po synojnë që për pikën diskutabile, atë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilën e pretendon ta ketë nën udhëheqje Lidhja Demokratike e Kosovës, të diskutojnë dhe eventualisht të merren vesh para së hënës, më tre shkurt, kur edhe është thirrur seanca për votuar për formimin e qeverisë së re, sipas kërkesës së mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
None found
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një takim, pas të cilit, nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, tha se ka pajtim për shumicën e çështjeve dhe se ka mbetur të definohet vetëm çështja e udhëheqjes së Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se Vetëvendosje do ta këtë nën udhëheqje qeverinë, me mandatarin Albin Kurti, kurse LDK-ja synon ta ketë kuvendin.
“Ne kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha çështjet që na kanë dalluar në një dokument voluminoz, i cili është marrëveshje politike e përgatitur. Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër, t’i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese duke u pajtuar që qeverinë e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje dhe mandatari apo kryeministri në ardhje zoti Albin Kurti. Ndërsa, roli i LDK-së i fokusuar në përgjegjësi të Kuvendit të republikës. Ky është dallimi kryesor dhe i vetëm që ka mbetur të definohet”, tha Haziri.
Haziri, për një qeveri të pakicave, siç thuhet, tha se LDK-ja nuk do ta votojë dhe se sipas tij, qeveritë e tilla nuk janë zgjidhje.
“Qeveria e pakicës nuk ka funksionuar në Kosovë, nuk ka traditë të funksionimit të qeverisjes të pakicës në Kosovë. LDK-ja, duke qenë partia më e vjetër në rajon, pra jo vetëm në republikën tonë është e vetëdijshme se qeveritë e pakicës nuk u japin zgjidhje proceseve të rënda politike”, tha Haziri.
Duke u bazuar në afatet kushtetuese, Kurti i ka kërkuar Kryesisë së kuvendit thirrjen e seancës për të hënën, pasi që atë ditë edhe i skadon koha deri kur ai duhet ta marrë miratimin e kuvendit për qeverinë e re.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e miratoi kërkesën e tij dhe e caktoi seancën për të hënën në orën 11:00.
Deri më tash, Albin Kurti ende nuk ka arritur ta finalizojë marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, çka e bën të paqartë sigurimin e shumicës prej 61 votave në kuvend për formimin e qeverisë së re.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë një paraqitjeje për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë, u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet LDK-së dhe VV-së para datës 3 shkurt.
“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare. Unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti”, tha Konjufca.
Pozita e kryetarit të Kuvendit, të cilën e mban Konjufca, është kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që t’i dorëzohet kësaj të dytës, në mënyrë që të bëhet një ndarje e barabartë e pushtetit përkatësisht që Vetëvendosje ta ketë postin e kryeministrit, kurse LDK-ja atë të kryetarit të Kuvendit. Por, Konjufca tha të premten shkurt se nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve.
Gjatë ditës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se caktimi i seancës së tre shkurtit, është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ai theksoi se i mbetet spektrit politik të bëjë veprimet e duhura për krijimin e institucioneve.
“I mbetet spektrit politik që të shohë mundësit e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që të kemi qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Thaçi, pasi bëri homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
I pyetur se a i duhet Kosovës një qeveri e pakicave, Thaçi tha se Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe efikase.
“Kosovës i duhet një qeveri e respektit e vullnetit qytetar dhe e orientimit euro-atlantik. Pra, të një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, tha Thaçi.
Partitë e tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nisma Socialdemokrate kanë deklaruar se nuk do ta votojnë qeverinë e mundshme Kurti.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi mori ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për postin e kryeministrit.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.
Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosje që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor.
Pas një periudhe të gjatë të ngërçit institucional dhe përplasjeve politike, Kosova duhet të përqendrohet në konsolidimin e institucioneve, zhvillimin…
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, përmes reformës së re territoriale, ka goditur qeverisjen…
Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka marrë pjesë në Balkan Business Forum në Tiranë, ku ka theksuar rëndësinë…
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të punonjësit policor Afrim Syla. Përmes një telegrami…
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, priti në takim Ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, znj. Anne-Lise Cattin…
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka kritikuar mënyrën se si qeveria administron pronat publike, duke kërkuar që marrëveshjet për zhvillimin…