Për shkak të rritjes së kërkesës dhe rënies të ofertës nga kriza e Covid-19 vjet në tregjet e huaja çmimi i shitjes së grurit nuk po ndal rritjen.
Në muajin tetor 2020, çmimi i grurit të zhdoganuar, sipas kompanive kryesore të blojës, arriti 220 dollarë/ton dhe çmimi i miellit ishte 48 lekë /kg. Një vit më pas, nga fundi i shtatorit – fillimi i tetorit, çmimi i grurit të zhdoganuar arriti 340 dollarë/ton dhe çmimi i miellit në treg 55 deri 58 lekë/kg. Çmimi i grurit të zhdoganuar në harkun e një viti është shtrenjtuar 63%.
None found
Kompanitë e blojës në vend pohojnë se çmimi i grurit para 3 ditësh shënoi rritje prej 20 dollarë/ton, apo rreth 6%. Aktualisht çmimi i miellit ka mbetur i pandryshuar, vazhdon të shitet me 58 lekë/kg.
Administratori i kompanisë “Bloja”, z. Adi Haxhiymeri, tha për “Monitor” se prej tre ditësh, 1 ton grurë po zhdoganohet me çmimin e 360 dollarëve. Sipas tij, pritet që çmimi të rritet edhe më shumë. “Rritja është e pashmangshme, pasi edhe sikur në tregjet e huaja të mos ketë rritje të çmimit të grurit (rritja e grurit aktualisht në tregjet e huaja është e shpeshtë) rritja e çmimit të naftës dhe energjisë do të japin efektet e tyre.
Rusia vazhdon të rrisë çdo muaj taksën e eksportit në 10 deri 12 dollarë, edhe nëse çmimi nuk ndryshon, pasi shteti është i detyruar të ruajë tregun e brendshëm. Për shkak të këtyre faktorëve, rritja e çmimit të grurit do të jetë e pandalshme”.
Si do të reflektojë në tregun vendas
Shtrenjtimi i çmimit të miellit me gati 10 lekë/kg, rritje me 21% në harkon kohor të një viti (në tetor të 2020 çmimi i miellit u shit 48 lekë/kg dhe shtator-tetor 2021 u shit 55-58 lekë/kg) u reflektua me rritje të çmimit të bukës në treg. Në fillim të muajit shtator, për shkak të rritjes së çmimit të miellit, por edhe produkteve të tjera të përgatitjes të bukës si: vaji, margarina, gjalpi etj., nga furrat e bukës çmimi u rrit nga 70 në 80 lekë, shtrenjtim prej 14%.
Administratori i kompanisë “Bloja”, Adi Haxhiymeri, nuk parashikon konkretisht se sa do të jetë rritja e çmimit të miellit, por sipas tij çmimet janë duke u rritur kudo, si ai i grurit, transportit, naftës dhe energjisë. “Sot çmimi i miellit po shitet me grurin e furnizuar në fillim të muajit gusht-shtator. Ngarkesat e kryera me çmimet e reja shiten në treg në periudhën fundi i muajit tetor-fillimi i nëntorit. Gjendja rezervë e miellit në treg nuk është asnjëherë më shumë se një muaj e gjysmë. Jemi në një situatë ku ka rritje të gjitha çmimeve, veçanërisht të transportit”.
Më herët, edhe operatorë të tjerë të tregut vlerësuan se në rritjen e çmimit të bukës, nuk ndikoi vetëm ndryshimi i çmimit të miellit, por edhe i produkteve të tjera të bukës. “Mendojmë se nuk është mielli faktori i vetëm për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të tjera të brumit. Aty ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të produkteve të tjera, si vaji, margarina, gjalpi, sheqer dhe paketimi.
Por, faktori kryesor i rritjes së çmimit të bukës mendojmë se është kosto e rritur e fuqisë punëtore dhe procesi i fiskalizimit. Sot një furrxhi dhe një pastiçier nuk punojnë me pagat e para dy viteve, por kërkojnë dyfishin e pagës, pasi nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar”, pohoi më herët për “Monitor”, administratori i kompanisë “Miell Tirana”, Roland Hysa. /Monitor
Argjentina u kualifikua në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës pas fitores ndaj Kepit të Gjelbër, sensacionit…
Argjentina ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës, pasi mposhti Kepin e Gjelbër pas…
Ndeshja e Kupës së Botës ndërmjet Anglisë dhe Meksikës do të zhvillohet sipas orarit të planifikuar fillimisht, pavarësisht paralajmërimeve se…
Argjentina nuk arriti ta mbyllë ndeshjen brenda 90 minutave ndaj Kepit të Gjelbër, pasi dueli përfundoi 1-1 në kohën e…
Edhe pse Real Madrid ka mohuar zyrtarisht interesimin për Michael Olise, emri i sulmuesit të Bayern Munich vazhdon të lidhet…
Një nga detajet e modës për të cilat do të mbahet mend Kupa e Botës 2026 është padyshim pushtimi i…