Rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale po shton presionin mbi burimet natyrore, pasi qendrat e të dhënave që e mbështesin kërkojnë gjithnjë e më shumë energji dhe ujë për funksionimin dhe ftohjen e pajisjeve.
None found
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, një pyetje e bërë te një chatbot harxhon 10 herë më shumë energji se një kërkim në Google. Ndërkohë, zgjerimi i vazhdueshëm i qendrave të të dhënave po rrit jo vetëm konsumin e energjisë elektrike, por edhe përdorimin e ujit.
Një vlerësim i publikuar në qershor nga Universiteti i Kombeve të Bashkuara (UNU) në Tokio tregon se, deri në vitin 2030, sasia e ujit e nevojshme për inteligjencën artificiale mund të arrijë nivelin e konsumit të të gjithë Afrikës Sub-Sahariane. Kjo do të nënkuptonte konkurrencë me nevojat e 1.3 miliardë njerëzve.
Rystad Energy, kompani e pavarur kërkimore dhe e inteligjencës energjetike, parashikon se qendrat e të dhënave mund ta trefishojnë deri në atë vit sasinë e ujit që përdorin për ftohje, nëse nuk realizohen përmirësime të rëndësishme në efikasitet.
Një pjesë e konsiderueshme e ujit të konsumuar gjatë këtij procesi shndërrohet në avull dhe nuk mund të ripërdoret. Studiuesit e lidhin këtë rritje të kërkesës me zgjerimin “masiv” të kapacitetit të qendrave të të dhënave dhe me “përhapjen në rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme”.
Studiuesit e UNU-së thonë gjithashtu se qendrat e të dhënave që lidhen me inteligjencën artificiale pritet të konsumojnë pothuajse tre herë më shumë elektricitet se Pakistani, Bangladeshi dhe Nigeria të marra së bashku.
Për të zbutur pasojat mbi rezervat ujore dhe furnizimin me energji, ekspertët mjedisorë të UNU-së u bëjnë thirrje përdoruesve që t’i përdorin chatbotët “sipas qëllimit”.
Mes rekomandimeve janë përdorimi i pyetjeve të thjeshta me tekst, në vend të krijimit të panevojshëm të imazheve ose videove me inteligjencë artificiale, zgjedhja e modeleve më të lehta që kërkojnë më pak burime dhe përdorimi i motorëve tradicionalë të kërkimit për pyetjet bazë.
Sasia e ujit që i duhet një qendre të të dhënave për ftohje përcaktohet nga teknologjia e përdorur, klima dhe vendndodhja, shpjegoi Rystad. Sipas kompanisë, qendrat e ndërtuara në zona më të ftohta kanë nevojë për më pak ujë.
Ndikimi mbi burimet ujore varet edhe nga pozicioni i qendrës, karakteristikat e pellgut lokal të ujit dhe kërkesat për ujë të sektorit bujqësor në zonat përreth.
Rystad deklaroi se “operatorët kryesorë të qendrave të të dhënave, përfshirë kompanitë e mëdha të teknologjisë, si AWS, Google, Microsoft dhe Meta, janë zotuar ta përdorin ujin në mënyrë më të qëndrueshme”. Megjithatë, studiuesit theksuan se efektet e këtyre angazhimeve do të varen nga vendndodhja dhe shkalla e stresit ujor në secilin rajon./DPA News
Emir Sahiti ka gjetur klubin e ri dhe do të vazhdojë karrierën te Hannover 96. Sulmuesi anësor i Kombëtares së…
VLEN akuzon BDI-në se po krijon panik lidhur me projektin për bulevardin “Hasan Prishtina”, duke thënë se vetë e kishte…
Rajoni i Himalajeve përballet me një rrezik serioz nga përmbytjet e shkaktuara nga liqenet akullnajore, paralajmëroi një zyrtare e lartë…
Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi pranë një stacioni policie në verilindje…
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së për Çështjet…
Prokurorët spanjollë kanë raportuar një rritje të rasteve të sulmeve seksuale në Ceuta pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku…