Platforma Google Earth ka prezantuar një veçori të re të inteligjencës artificiale që i lejon çdokujt të gjenerojë skena të rreme duke shtuar objekte apo ndryshuar peizazhe mbi hartat satelitore.
None found
Gjeneratori i imazheve Nano Banana 2 është integruar tashmë në Google Earth, duke u dhënë mundësi përdoruesve të ndërtojnë skenarë fiktivë përmes udhëzimeve tekstuale mbi pamjet reale satelitore, ajrore ose tredimensionale. Këto krijime mund të ruhen dhe të përhapen lehtësisht në rrjete të tjera sociale.
Specialistët shprehin shqetësimin se ky funksion mund të bëhet armë për fushatat e dezinformimit, duke qenë se imazhet e prodhuara ruajnë stilin dhe autoritetin vizual të hartave të Google. Ata theksojnë se individë apo grupe me qëllime të liga mund ta shfrytëzojnë këtë risi për të ndikuar perceptimin publik.
Në eksperimentet e zhvilluara nga BBC Verify, u arrit të prodhoheshin foto të rreme si shembja e Kullës Eiffel, një hon i stërmadh që gëlltiste Piramidën e Madhe në Giza, si dhe autoblinda ruse të pozicionuara në zemër të Kievit. Ky funksion hyri në përdorim të enjten.
Google nuk dha një reagim të menjëhershëm ndaj gjetjeve të BBC Verify, por në një njoftim në platformat sociale theksoi se “e trajton me seriozitetin maksimal çështjen e dezinformimit” dhe se “nuk lejon krijimin e përmbajtjeve me tema të dëmshme, duke përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme mekanizmat e sigurisë”.
Henk van Ess, ekspert i inteligjencës artificiale dhe dezinformimit, vuri në pah rreziqet e kësaj veçorie duke fabrikuar imazhe të një centrali atomik inekzistent në Iran, një kampi refugjatësh në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe një spitali fiktiv në Gaza me një krater bombe në afërsi.
Ai argumentoi se Google po mundëson që pamjet e “sajuara” të vendosen mbi koordinata gjeografike të vërteta dhe të kombinohen me pamje autentike satelitore.
“Një falsifikim nuk ka pse të jetë bindës në vetvete. Ai merr besueshmëri nga harta ku mbivendoset,” u shpreh Van Ess.
Kompania nënvizon se të gjitha materialet e prodhuara nga veglat e saj të AI-së mbajnë filigranë dixhitalë të padukshëm, të cilët sinjalizojnë se imazhi është modifikuar ose gjeneruar artificialisht. Gjithashtu, Google shton se perdoruesit që dyshojnë mund ta kontrollojnë një imazh nëpërmjet aplikacionit Gemini ose përmes Google Lens.
Provat e BBC Verify treguan se këto instrumente verifikimi funksionojnë në pjesën dërrmuese të rasteve, por gjithashtu u zbulua se barrierat e sigurisë mund të kapërcehen dhe se Gemini mund të mashtrohej duke i cilësuar si të vërteta disa nga fotot e falsifikuara në Google Earth.
Madje, as disa softuerë të palëve të treta për identifikimin e materialeve të krijuara me AI nuk ia dolën t’i dallonin këto imazhe si të manipuluara.
Henry Ajder, studiues në fushën e zbulimit të përmbajtjeve me AI, i tha BBC Verify se fabrikimi i pamjeve të rreme në zonat e luftës mund të jetë veçanërisht shkatërrues, sidomos në momente kur situata ndryshon me shpejtësi dhe burimet e informacionit janë të pakta.
“Një gazetar mund ta verifikojë imazhin para se ta publikojë, por jo çdokush do ta ndërmarrë këtë hap,” tha ai.
Google ngul këmbë se modeli i saj i inteligjencës artificiale përmban direktiva që bllokojnë krijimin e imazheve me përmbajtje të dëmshme. Sidoqoftë, BBC Verify zbuloi se duke bërë ndryshime të lehta në mënyrën e formulimit të kërkesës, këto masa mbrojtëse mund të anashkalohen.
Për ilustrim, një urdhër për të gjeneruar një skelë ekzekutimi pranë Parlamentit britanik u refuzua, por një përshkrim më i zbutur i të njëjtit koncept u pranua dhe imazhi u krijua.
Në një rast tjetër, platforma nuk lejoi krijimin e një fotografie ku mbi lëndinën e Shtëpisë së Bardhë ishte shkruar me bar emri “Trump”, por pranoi të gjeneronte një kopsht komunitetesh në të njëjtin vend.
Sipas Ajder, në epokën ku interneti po vërshohet nga përmbajtje të prodhuara nga inteligjenca artificiale, platformat që mbaheshin si burime të sigurta dhe të paprekura nga AI marrin një peshë të jashtëzakonshme, veçanërisht për reporterët dhe ekipet që veprojnë në terrene krizash.
“Është shqetësuese sepse tani edhe një burim tjetër historikisht i besueshëm vihet në pikëpyetje nga mundësia që përmbajtja të jetë prodhuar me AI,” u shpreh ai.
Për miliona njerëz, Google Earth shërben si porta kryesore për të parë pamjet satelitore publike dhe përdoret rëndom për të vëzhguar zona të izoluara ose të paarritshme.
Bill Greer, analist gjeohapësinor dhe bashkëthemelues i entit jofitimprurës Common Space, deklaroi për BBC Verify se kjo aftësi e re teknologjike mund të minojë rëndë besimin e opinionit publik, ngaqë fotografitë satelitore janë parë tradicionalisht si një prej burimeve më të sakta të informacionit.
Ai shtoi se imazhet satelitore të falsifikuara janë shfrytëzuar edhe në të shkuarën për të ushqyer dezinformimin dhe paralajmëroi se, teksa shtetet po e kufizojnë gjithnjë e më tepër aksesin në të dhënat reale, ka të ngjarë të hasim një shtim të figurave të rreme dhe një rënie të pamjeve autentike, çka do ta gërryejë edhe më shumë besimin e njerëzve.
Halil Geci ka shprehur mbështetje për ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke vlerësuar se me drejtimin e saj…
Gushti ka nisur me nisur me masa ajrore të nxehta, duke sjellë dhe temperatura të larta në të gjithë vendin.…
Presidenti amerikan Donald Trump ka autorizuar një sulm të ri ndaj Iranit, i cili mund të nisë këtë fundjavë, sipas…
Në muajt e parë të vitit, Shqipëria kishte energji për të shitur. Në verë, po paguan 41.5 milionë euro për…
Veprimtari shqiptar nga SHBA, Ramzan Bekteshi ka reaguar ndaj vendimit për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke akuzuar…
Natasha Kandiq paralajmëron se Policia Serbe kishte dijeni për krimin që nga dita e vrasjes, por në vend që ta…