Categories: sport

Xhaka pranoi gabimin – dënimi i lehtë dhe kthimi i shpejtë në kombëtaren e Zvicrës

Prokuroria Publike e Luzernit ka nisur hetime ndaj kapitenit të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, për shkak të dyshimeve se ai bleu një certifikatë vaksinimi gjatë pandemisë.

Të lidhura

None found

Në pamje të parë, kjo çështje ngjan me atë të ish-trajnerit të hokejit mbi akull të Zvicrës, Patrick Fischer, por ndryshimi është thelbësor: Fischer përdori një dokument të falsifikuar për të siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, ndërsa Xhaka, sipas të dhënave të deritanishme, nuk ka pasur asnjë përfitim sportiv nga certifikata e tij e rreme.

Për opinionin shqiptar, që ka shumë paqartësi rreth kësaj çështjeje, më poshtë vjen një shpjegim i plotë, që nga shpërthimi i skandalit të premten e kaluar e deri më sot.

Të premten që lamë pas u bë e ditur se Prokuroria Publike e Luzernit kishte filluar hetimet kundër Granit Xhakës. Arsyeja e hetimit është “përvetësim i mundshëm i një vërtetimi të rremë ose/dhe falsifikim dokumentesh”, çka në Zvicër përbën vepër penale dhe nuk është aspak diçka e parëndësishme.

Sipas dyshimeve, certifikatën e falsifikuar të Covidit e ka lëshuar një mjeke nga Luzerni. Kjo mjeke nuk gëzon reputacion të mirë; në vitin 2023, ordinanca e saj u kontrollua nga organet e rendit.

Lajmi u prit në mediat zvicerane me bujë të madhe, siç edhe pritej. Kjo nuk është e habitshme, sepse Granit Xhaka është lojtari më i mirë i kombëtares së Zvicrës, kapiten dhe lider i ekipit.

Reagimi i parë i Xhakës ndaj lajmit ishte ndoshta i natyrshëm nga ana njerëzore, por jo shumë i mençur: ai mohoi gjithçka dhe deklaroi se nuk kishte blerë asnjë certifikatë. Madje angazhoi edhe një ekspert për marrëdhënie me publikun. Megjithatë, brenda tre ditësh strategjia e tij mbrojtëse dështoi.

Një nga arsyet e dështimit ishte se eksperti i ngatërroi datat e pretenduara të vaksinimit. Xhaka qëndroi në versionin e tij me gjasë deri të dielën në mbrëmje, kur e njoftoi Federatën e Futbollit për gabimin. Të hënën në mëngjes ai e pranoi mashtrimin përmes një storjeje në Instagram. Dhe veproi mirë që e bëri këtë.

Ky pranim i hap rrugë drejtësisë që ta përshpejtojë procedurën dhe të japë dënimin, i cili, sipas parashikimeve, do të jetë i lehtë – një urdhër ndëshkimor penal dhe gjobë.

Në Zvicër ka kritika ndaj Xhakës, por jo një fushatë e organizuar kundër tij. Kritika konsiderohet e ligjshme: si kapiten i kombëtares, ai duhet të shërbejë si shembull për të tjerët. Një gazetar kërkoi që Xhakës t’i hiqet shiriti i kapitenit, ndërsa një tjetër shkroi të kundërtën – se për këtë gabim Federata e Futbollit nuk duhet ta ndëshkojë. Pas postimit të tij në Instagram, Federata Zvicerane e Futbollit shpërndau një njoftim për mediat.

Presidenti i Federatës, Peter Knäbel, deklaroi: “Granit Xhaka na informoi mbrëmë rreth gjendjes së fakteve dhe njëkohësisht na tha se do të prononcohet publikisht për këtë dhe do të marrë përgjegjësi”.

Gjithashtu u bë e ditur se Xhaka nuk do të udhëtojë me ekipin kombëtar në kampin stërvitor në Belek të Turqisë. Atje skuadra e trajnerit Murat Yakin po përgatitet për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, Skocisë dhe Sllovenisë. Federata nënvizoi se vendimi që Xhaka të qëndrojë përkohësisht larg ekipit ishte “marrë bashkërisht gjatë një bisede ndërmjet Xhakës dhe udhëheqjes së Federatës”.

Tërheqja e Xhakës nga kombëtarja nuk u bë temë as në Federatën e Futbollit, as në media. Përkundrazi, presidenti Knäbel theksoi se Zvicrës i duhen lojtarë me temperament si Xhaka. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Pierluigi Tami, drejtor i ekipit kombëtar, i cili tha se të gjithë bëjnë gabime, por e rëndësishme është që ato të pranohen. “E vlerësoj shumë reagimin e tij”, shtoi Tami.

Të mërkurën, për “rastin Xhaka” foli edhe trajneri Murat Yakin. Në gazetën bulevardeske “Blick”, Yakin u shpreh: “Graniti vepron për të mirën e ekipit”. Ai e lavdëroi lojtarin për marrjen e përgjegjësisë. Kështu, janë tre drejtues të futbollit zviceran që vazhdimisht po mbështesin Granit Xhakën.

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” shkroi të enjten: “Në të vërtetë, pothuajse çdo fjali e krerëve të Federatës së Futbollit ishte e konceptuar për një riintegrim të shpejtë të Xhakës (në ekip). Për këtë ka arsye të forta. Qoftë vetëm fakti se nga historia me certifikatën e falsifikuar të vaksinimit nuk rrjedh domosdoshmërisht përfundimi se Xhaka nuk mund të jetë më kapiten. Dhe pastaj vijnë edhe argumentet sportive. Xhaka është lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Zvicrës. Epoka e tij si kapiten përkon me periudhën më të suksesshme në historinë e futbollit vendës. Se çfarë do të ndodhë me ekipin kombëtar kur Xhaka të mos jetë më aty, është një nga pyetjet e mëdha të së ardhmes”.

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, Federata nuk e kritikoi solidarizimin e Xhakës me krerët e ish-UÇK-së. Pierluigi Tami, drejtori i ekipit kombëtar, i cilësoi deklaratat e Xhakës për Hashim Thaçin dhe të tjerët si “çështje private”. Në shumicën e mediave zvicerane, kjo mbështetje e Xhakës për ish-luftëtarët e gueriles kosovare u raportua si lajm, por pa komente të ashpra, me përjashtim të një reviste ekstreme të djathtë.

Ekziston mundësia që deri në mes të tetorit drejtësia t’i japë drejtim çështjes dhe, sipas të gjitha gjasave, Xhaka do të kthehet në kombëtaren e Zvicrës. Megjithatë, duhet theksuar se gabimi i tij nuk ishte vetëm sigurimi i certifikatës së falsifikuar. Gjatë pandemisë, kur gazetarët e pyetën nëse ishte vaksinuar, Xhaka u përgjigj “po” – me arsyetimin “që ju (gazetarët) të mos keni çfarë të shkruani”. Le ta themi kështu: Granit Xhaka mund të ishte përgjigjur më mençur. Thelbi i çështjes është se në Zvicër nuk ka ndonjë fushatë agresive kundër tij; përkundrazi, si Federata ashtu edhe zëra publikë kërkojnë që kjo çështje të mbyllet brenda një afati të arsyeshëm.

E vërteta është se Xhaka ka shkelur ligjin. Si shtetas zviceran, ai i nënshtrohet ligjit dhe askush nuk është mbi të. Ashtu siç nuk pati tolerancë ndaj ish-trajnerit të kombëtares zvicerane të hokejit mbi akull, Patrick Fischer, nuk do të ketë as ndaj Xhakës, edhe pse rastet nuk mund të krahasohen.

të fundit

Kosova–Irlanda: krahasimi i vlerës së ekipeve, lojtarëve më të shtrenjtë, renditjes në FIFA dhe formës në 10 ndeshjet e fundit

Kosova dhe Irlanda përballen sonte (e enjte) në “Fadil Vokrri”, në një duel ku përveç rëndësisë sportive, dallimet mes dy…

5 minutes ago

Jozefina Topalli i drejtohet Peleshit: Je numri 2 i Republikës dhe nuk flet një fjalë për ish-shefen e SHISH, të sugjeroj dorëheqjen

Ditën e sotme, nga foltorja e Kuvendit, deputetja Jozefina Topalli, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për indiferencën e…

13 minutes ago

Një person humb ndjenjat gjatë protestës, qytetarët i ofrojnë ndihmën e parë

Qytetarët në protestën e paraditës së sotme kanë shkëmbyer vazhdimisht përplasje me forcat e policisë.  Pas një marshimi, një i…

18 minutes ago

Begaj thërret në takim ministrin e Brendshëm, kreun e Policisë dhe drejtuesin e SHISH-it

Këtë të enjte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të institucioneve të rendit dhe…

22 minutes ago

CIA paralajmëron Evropën: Rusia mund të sulmojë me dronë objektiva në Itali, Francë e Spanjë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar disa vende europiane për një skenar të mundshëm të përshkallëzimit rus, që përfshin sulme me…

25 minutes ago

VLEN: Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara dhe procesi i zgjerimit të BE-së mbeten prioritare për rajonin

Nga VLEN në një njoftim për media thonë se nga Uashingtoni në Nju Jork, zëvendëskryeministri i parë dhe sekretari i…

25 minutes ago