Gjatë viteve, Kupa e Botës ka sjellë episode të rëndësishme edhe për futbollistët me prejardhje shqiptare. Ndonëse kanë luajtur për përfaqësuese të ndryshme, disa prej tyre kanë qenë pjesë e skuadrave që kanë mbërritur në mesin e katër më të mirave në botë, madje edhe kanë zënë vend në podiumin e kompeticionit më të madh të futbollit.
None found
Edhe pse Kosova dhe Shqipëria mungojnë në Kupën e Botës 2026, ndonëse të dyja ishin pranë kualifikimit në eventin e fundit, futbollistët me origjinë shqiptare nuk mungojnë në këtë turne.
Tashmë, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari kanë mundësinë që me Zvicrën të vazhdojnë këtë traditë. Ata ndodhen në çerekfinale kundër Argjentinës dhe janë vetëm pak hapa larg një kapitulli tjetër të rëndësishëm për futbollistët shqiptarë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Xhaka, në rolin e kapitenit dhe liderit të padiskutueshëm të Zvicrës, mban barrën e përvojës dhe të përgjegjësisë në një skuadër që synon të tejkalojë arritjet e saj të deritanishme. Nga ana tjetër, Jashari mishëron gjeneratën e re, si një lojtar që kërkon të ndërtojë historinë e vet me fanellën helvetike.
Nëse Zvicra kalon çerekfinalen dhe siguron një vend në podium, atëherë Xhaka dhe Jashari do t’i shtohen listës së futbollistëve me prejardhje shqiptare që kanë lënë gjurmë në Kupën e Botës.
Ky rrugëtim e ka zanafillën te Ardian Kozniku në Francë, në vitin 1998. Ish-sulmuesi kosovar bënte pjesë te Kroacia në një Botëror historik për atë shtet, që po luante për herë të parë në Kupën e Botës si vend i pavarur.
Kroacia, e drejtuar nga emra të tillë si Davor Suker, Zvonimir Boban, Robert Prosinecki dhe Robert Jarni, e kaloi fazën e grupeve falë fitoreve ndaj Xhamajkës dhe Japonisë. Më pas eliminoi Rumaninë në 1/8 e finales, ndërsa në çerekfinale surprizoi Gjermaninë me shifrat e thella 3-0.
Në gjysmëfinale, kroatët u ndeshën me Francën nikoqire. Skuadra kaloi e para në avantazh me Sukerin, por vendasit e kthyen rezultatin falë dy golave të Lilian Thuram dhe prenë biletën për në finale. Kroacia u kundërpërgjigj në takimin për vendin e tretë, ku mposhti Holandën 2-1 dhe fitoi medaljen e bronztë.
Edhe pse Kozniku nuk mori minuta në atë Botëror, ai ishte pjesë e skuadrës që arriti një prej sukseseve më të mëdha në historinë e futbollit kroat.
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Shkodran Mustafi preku kulmin e mundshëm në futboll. Mbrojtësi me prejardhje shqiptare ishte pjesë e Gjermanisë që në vitin 2014, në Brazil, u kurorëzua kampione e botës.
Skuadra e Joachim Löwit e hapi turneun me një fitore të thellë 4-0 ndaj Portugalisë, më pas barazoi me Ganën dhe fitoi ndaj SHBA-së për ta mbyllur grupin në vendin e parë. Në fazën me eliminim direkt, gjermanët kaluan me vështirësi Algjerinë vetëm pas vazhdimeve, më tej nxorën jashtë Francën në çerekfinale dhe më pas shkruan histori në gjysmëfinale.
Përballë Brazilit vendas, Gjermania regjistroi një nga fitoret më tronditëse në historinë e Kupës së Botës, duke triumfuar 7-1. Në finalen ndaj Argjentinës, ishte goli i Mario Götzes në vazhdime që i dha Gjermanisë titullin e katërt botëror.
Mustafi pati një rol aktiv në fazën e grupeve dhe luajti edhe në 1/8 e finales kundër Algjerisë, përpara se një lëndim ta nxirrte jashtë për pjesën e mbetur të turneut. Sidoqoftë, ai mbetet futbollisti i vetëm me prejardhje shqiptare që e ka fituar Kupën e Botës.
Në Botërorin e Rusisë më 2018, në podium arriti edhe Adnan Januzaj me Belgjikën. “Djajtë e Kuq” e nisën garën me fitore ndaj Panamasë dhe Tunizisë, ndërsa Januzaj u kthye në protagonist në ndeshjen e fundit të grupit përballë Anglisë.
Lojtari me origjinë shqiptare realizoi golin e vetëm të sfidës, duke i dhënë Belgjikës suksesin 1-0 dhe vendin e parë në grup. Ai realizim e veçoi Januzajn si një nga figurat karakteristike të rrugëtimit belg në atë Botëror.
Më pas, Belgjika eliminoi Japoninë në një ndeshje dramatike të 1/8 së finales, ku përmbysi humbjen 2-0 për të fituar 3-2. Në çerekfinale erdhi edhe fitorja e madhe 2-1 kundër Brazilit, rezultat që e çoi Belgjikën në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 1986.
Në gjysmëfinale, Belgjika u ndal nga Franca pas golit të Samuel Umtitit, por ekipi i Roberto Martinez reagoi në ndeshjen për vendin e tretë. Fitorja 2-0 ndaj Anglisë i solli Belgjikës medaljen e bronztë dhe arritjen më të mirë në historinë e saj në Kupën e Botës. Januzaj nuk luajti as në gjysmëfinale dhe as në ndeshjen për vendin e tretë, por mbeti pjesë e skuadrës që u ngjit në podium.
Historia që nisi me bronzin e Koznikut në vitin 1998, vijoi me titullin botëror të Mustafit në vitin 2014 dhe me medaljen e Januzajt në vitin 2018, tani mund të marrë një vazhdim të ri me Granit Xhakën dhe Ardon Jasharin.
Një vatër zjarri e ndezur për shkak të pakujdesisë ka përfunduar me arrestimin e një personi, dëme të mëdha materiale…
Një prokuror publik nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup i paraqiti një kërkesë gjyqtarit kompetent…
Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj Raportit të Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat…
Një lajm i bukur ka ardhur për familjen mbretërore shqiptare. Princ Leka dhe bashkëshortja e tij, Blerta Celibashi, janë bërë…
Shqipëria do të angazhohet fillimisht me oficerë shtabi në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza. Lajmi u bë i ditur nga…
Barcelona ka siguruar një kredi në vlerë prej 210 milionë eurosh për të financuar merkaton e verës dhe për të…