Ndeshja mes Elbasanit dhe Vllaznisë, e luajtur mbrëmjen e djeshme në kuadër të javës së dytë të “Abissnet Superiore”, përfundoi në barazim 1-1. Pas sfidës u raportua se presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi, kishte goditur me grusht arbitrin anësor Ergys Spahiu.
FSHF-ja e konfirmoi lajmin përmes një deklarate zyrtare. Menjëherë pas qëndrimit të Federatës, Vllaznia reagoi duke i mohuar raportimet për dhunë nga ana e Xhaferit ndaj gjyqtarit.
None found
Klubi i Futbollit Vllaznia tha se, pas ngjarjeve të lidhura me ndeshjen AF Elbasani – KF Vllaznia, e sheh të nevojshme t’i drejtohet opinionit publik dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi situata sipas tij ka kaluar përtej asaj që ndodhi në fushën e lojës.
Pak orë pas përfundimit të takimit, zyrtari i FSHF-së, Klajdi Kola, deklaroi në një dalje televizive në RTSH se presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, kishte goditur një prej zyrtarëve të ndeshjes. Sipas klubit, ai e paraqiti këtë si një “lajm të konfirmuar”, ndonëse provat nuk ishin administruar ende, palët nuk ishin dëgjuar dhe nuk kishte një vendim të organit disiplinor kompetent.
Vllaznia e konsideron edhe më shqetësues faktin që, disa orë më vonë, FSHF-ja publikoi në faqen zyrtare një qëndrim ku përmendej me emër presidenti i klubit dhe akuza ndaj tij paraqitej si fakt i kryer. Në të njëjtën deklaratë, Federata njoftonte se organet disiplinore do të vijonin procedurat dhe do të vendosnin “në pavarësi të plotë”.
Sipas klubit shkodran, pikërisht kjo ngre një problem institucional: si mund të ruhet pavarësia e organit disiplinor kur institucioni ku ai bën pjesë ka përcaktuar publikisht, para vendimmarrjes, autorin, veprimin dhe përgjegjësinë?
Vllaznia thekson se dënon pa rezerva çdo akt dhune në futboll, qoftë ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo çdo personi tjetër. Për klubin, dhuna nuk mund të pranohet në asnjë rrethanë.
Megjithatë, klubi nënvizon se po aq e papranueshme është që një skuadër të ndihet vazhdimisht e dëmtuar nga vendime arbitrale që prekin drejtpërdrejt punën e saj. Pas çdo ndeshjeje, sipas Vllaznisë, qëndrojnë investimet e presidentit dhe klubit, puna e stafit, përkushtimi i futbollistëve dhe pasioni i mijëra tifozëve kuq e blu. Për këtë arsye, qetësia dhe respekti ndaj klubeve duhet të shoqërohen me drejtësi, përgjegjësi dhe standarde të njëjta nga arbitrat dhe institucionet që i mbikëqyrin.
Për KF Vllaznia, çështja ka një rëndësi të veçantë pasi bëhet fjalë për klubin që përfaqëson Shkodrën, qytetin ku lindi futbolli shqiptar, si dhe një prej traditave më të mëdha sportive në vend. Klubi sqaron se respekti për këtë histori nuk nënkupton kërkesë për privilegje, por vetëm trajtim të drejtë dhe të barabartë në fushë.
Vllaznia shprehet gjithashtu se mbron parimet e procesit të rregullt, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për t’u dëgjuar. Sipas saj, institucionet sportive kanë detyrimin të mos paragjykojnë çështje që duhet të shqyrtohen nga organet kompetente.
Klubi shkodran vlerëson se FSHF-ja nuk duhet të kthehet në një mekanizëm ku deklaratat individuale të zyrtarëve të saj marrin karakter institucional dhe përdoren për të zhvilluar një gjykim publik ndaj presidentit të një klubi anëtar, përpara përfundimit të procedurave.
Federata Shqiptare e Futbollit, vijon deklarata, është mbi të gjitha federata e klubeve të saj anëtare. Roli i saj është të mbrojë integritetin e garës, të sigurojë zbatimin e barabartë të rregulloreve, paanshmërinë e administratës dhe organeve të saj, si dhe respektin institucional për çdo klub. Sipas Vllaznisë, mbrojtja e arbitrave dhe zyrtarëve nuk duhet të bëhet duke cenuar këto parime ose duke përcaktuar përgjegjësinë e një pale pa u shqyrtuar faktet.
Për këtë arsye, KF Vllaznia i kërkon publikisht presidentit të FSHF-së, Armand Duka, të ndërhyjë në mënyrë institucionale për të ndalur klimën e gjykimit publik të krijuar nga zyrtarë të Federatës. Klubi kërkon gjithashtu që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse.
Vllaznia kërkon që çdo material filmik, raport zyrtar apo provë tjetër që lidhet me ngjarjen të administrohet dhe të vlerësohet nga organet kompetente. Në këtë proces, sipas klubit, duhet të garantohen e drejta e Vllaznisë dhe e presidentit të saj për t’u dëgjuar, si dhe mundësia për t’u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çdo përgjegjësi.
Duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve brenda familjes sportive, KF Vllaznia kërkon drejtësi, paanshmëri, etikë institucionale dhe respekt të barabartë si klub anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka propozuar zhvillimin e një takimi trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir…
Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për më shumë se 3 mijë persona të raportuar të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën…
Sot në Malishevë do të mbahen homazhe në nderim të policit Altin Kryeziu, i cili humbi jetën pas plagëve të…
Ylli i futbollit Lionel Messi, ka dhuruar një tjetër mbrëmje magjike në MLS. Ylli argjentinas shënoi katër gola dhe asistoi…
Fotomontazh: Klajdi Kola - Një nga golat që iu anulua VllaznisëElbasani dhe Vllaznia barazuan mbrëmjen e djeshme 1-1, mes shumë…
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se AAK-ja nuk do të qëndrojë në sallë gjatë votimit të presidentit. Ndaj…