Categories: sport

Scaloni përballë sfidës së re te Argjentina, rinovimi i skuadrës mund të jetë çelësi për lamtumirën ideale të Messit

Lionel Scaloni ka ndërtuar një bilanc thuajse perfekt në drejtimin e Argjentinës. Në tre kompeticione madhore, ai ka ngritur tre trofe, duke e çuar “La Albiceleste” te triumfi në Kupën e Botës 2022, mes dy sukseseve në Copa America në vitet 2021 dhe 2024.

Për një teknik që mori frenat e kombëtares në përvojën e tij të parë si trajner kryesor, ajo që ka arritur mbetet e jashtëzakonshme.

Të lidhura

None found

Synimi i radhës, megjithatë, është edhe më i madh: ruajtja e titullit botëror në Kupën e Botës 2026.

Vetëm Italia në vitet 1934 dhe 1938, si edhe Brazili i udhëhequr nga Pele në vitet 1958 dhe 1962, kanë mundur të fitojnë dy Botërorë njëri pas tjetrit. Pikërisht për këtë, Argjentina synon të futet në histori.

Tradita e këtij turneu tregon se mbrojtja e kurorës është ndër detyrat më të vështira në futboll. Gjermania u ndal që në fazën e grupeve në vitin 2018, Spanja në 2014, Italia në 2010 dhe Franca në vitin 2002.

Skuadra e vetme që, si kampione në fuqi, arriti deri në finale ishte Franca e Didier Deschamps në Katar 2022.

Sidoqoftë, zgjerimi i formatit në 48 ekipe dhe një short relativisht i favorshëm i japin Argjentinës një shans real për të shkuar sërish larg.

Që kjo të ndodhë, Scaloni mund të detyrohet të bëjë diçka që nuk e ka aplikuar shpesh: të mbështetet më shumë te brezi i ri.

Argjentina ka mbërritur në Botërorin 2026 me një grup që ngjan shumë me atë që fitoi trofeun në Katar.

Nga 26 futbollistët e grumbulluar, 17 ishin pjesë e skuadrës kampione të vitit 2022. Madje, nga formacioni titullar që nisi finalen ndaj Francës, mungon vetëm Angel Di Maria, i cili u largua nga kombëtarja pas suksesit në Copa America 2024.

Kjo vazhdimësi ka qenë një prej pikave më të forta të Scalonit. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë bashkë prej më shumë se pesë vitesh dhe kanë krijuar një lidhje të fortë brenda grupit.

Por ekziston edhe një rrezik i qartë: koha nuk kursen askënd.

Mosha po kthehet në një çështje për këtë përfaqësuese. Nëntë lojtarë të skuadrës aktuale janë mbi 30 vjeç, mes tyre emra të rëndësishëm si Emiliano Martinez, Rodrigo De Paul dhe natyrisht Lionel Messi, i cili gjatë këtij Botërori do të mbushë 39 vjeç.

Në krahun tjetër, vetëm tre futbollistë janë nën 25 vjeç: Giuliano Simeone, Valentin Barco dhe Nico Paz.

Kjo hendek i madh mes brezave ka sjellë pikëpyetje nëse Argjentina ka bërë mjaftueshëm për të përgatitur zëvendësuesit e gjeneratës së artë.

Debatet janë shtuar edhe më shumë nga mungesa në listë e talenteve si Franco Mastantuono dhe Alejandro Garnacho.

Një tjetër shqetësim lidhet me konsumin fizik të shumë lojtarëve kryesorë. Copa America, Botërori 2022, sezonet e gjata me klubet dhe angazhimi në Kupën e Botës për Klube kanë lënë pasoja.

Që nga fillimi i sezonit 2024/25, Enzo Fernandez dhe Julian Alvarez kanë luajtur nga 121 ndeshje për klubet dhe kombëtaren.

Alvarez pati probleme fizike në fund të sezonit me Atletico Madridin, ndërsa ekzistojnë dyshime nëse ky ritëm i lartë mund të ndikojë edhe te futbollistë të tjerë gjatë turneut.

Rast më vete është Alexis Mac Allister. Mesfushori i Liverpoolit ka regjistruar 119 paraqitje në dy sezonet e fundit dhe shumë analistë mendojnë se lodhja ka ndikuar në rënien e formës së tij.

Ish-lojtari i Liverpoolit, Jermaine Pennant, e kritikoi publikisht për paraqitjet e tij gjatë sezonit.

“Pas dëmtimit që pati, duket sikur ka humbur energjinë. Në disa ndeshje dukej sikur thjesht po vraponte pa ndikim në lojë”, deklaroi Pennant.

Pikërisht për këto arsye, Scaloni mund të detyrohet të përshpejtojë kalimin drejt brezit të ri që gjatë vetë turneut.

Lojtarë si Nico Paz, Valentin Barco dhe Giuliano Simeone shihen si e ardhmja e kombëtares, ndërsa tifozët vazhdojnë të kërkojnë më shumë minuta edhe për talente të tjera të reja.

Nëse Argjentina synon të mbrojë titullin botëror dhe t’i japë Lionel Messit një lamtumirë të paharrueshme në Kupën e tij të gjashtë dhe të fundit, atëherë ndërthurja mes përvojës së kampionëve dhe energjisë së brezit të ri mund të rezultojë vendimtare.

Scaloni ka ngritur një nga periudhat më të suksesshme në historinë e futbollit argjentinas. Tashmë, prova e tij më e madhe mund të jetë gjetja e çastit të duhur për t’ia kaluar stafetën brezit të ardhshëm, pa humbur mundësinë për një tjetër triumf historik.

të fundit

Range Rover Electric debuton me 536 kilometra autonomi dhe performancë në nivelin e V8

Range Rover ka prezantuar më në fund versionin tërësisht elektrik të SUV-it të tij ikonik, duke sjellë një kombinim të…

4 minutes ago

Around 120 Fushë-Arrëz residents suspected of being poisoned by contaminated drinking water

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit dyshohet se janë helmuar nga ndotja e ujit të pijshëm. Mësohet se ata janë paraqitur…

13 minutes ago

Oliger Torba Appointed New Director of Tirana Police

Oliger Torba, është emëruar drejtues i Policisë së Tiranës. Oliger Torba, në prrill të këtij viti u emërua zëvendësdrejtor i…

13 minutes ago

Bulqiza, two wildfires still active; aerial intervention requested

Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Bulqizë. Njëra ndodhet mbi fshatin Vajkal, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, ndërsa tjetra…

13 minutes ago

Shasivari: Bashkëpunimi rajonal, i domosdoshëm për luftën ndaj krimit të organizuar

Në Konferencën Rajonale "Krimi i Organizuar në Burgje - Forcimi i Integritetit, Kapaciteteve të Inteligjencës dhe Bashkëpunimit në Evropën Juglindore",…

14 minutes ago

New EU Ambassador Presents Credentials, President Begaj: By the End of Your Term, Albania Will Be a Member

Këtë të mërkurë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia…

14 minutes ago