Rade Zalad, një prej portierëve të njohur të ish-Jugosllavisë, e kujton me emocione të veçanta sezonin 1985/86, kur ishte pjesë e Prishtinës.
None found
Gjatë karrierës së tij, portieri serb ka luajtur për skuadra të rëndësishme si Partizani i Beogradit dhe Buduçnosti i Podgoricës. Ai e ka vazhduar karrierën edhe në Turqi, ku ka mbrojtur për Eskişehirsporin, Besiktasin dhe Ankaragücünë.
Në një intervistë për Open TV, medium shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Zalad ka folur me nostalgji për periudhën e kaluar në kryeqytetin e Kosovës. Ai e cilësoi si një privilegj të madh mundësinë për të veshur fanellën e Prishtinës.
Ish-portieri riktheu në kujtesë sukseset e skuadrës, mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve dhe futbollistët me të cilët ndau atë periudhë të rëndësishme. Ndër emrat që përmendi ishin Fadil Vokrri, Zoran Batroviq, Skënder Shëngulli, Jusuf Tortoshi dhe Agim Cana.
Vëmendje të veçantë në rrëfimin e tij mori Fadil Vokrri, të cilin Zalad e përshkroi si një lider të madh të Prishtinës së viteve ’80. Ai shprehu gjithashtu dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të legjendës së futbollit kosovar.
“Në vitet 1985–1986 pata kënaqësinë e madhe të luaja për një vit te Klubi i Futbollit Prishtina. Para kësaj, kisha kaluar dhjetë vjet në ekipin e parë të Partizanit. Në sezonin 1984/85 kisha qenë i huazuar te Buduçnosti i Podgoricës dhe e përfundova atë sezon si lojtari më i mirë. Kjo më mundësoi të vija në Prishtinë. Ishte një vit i paharrueshëm dhe edhe sot më rrëqethet trupi kur kujtoj ato momente të mrekullueshme”, ka rrëfyer Zalad.
Ai foli edhe për atmosferën në stadium, ku ndeshjet e Prishtinës zhvilloheshin përpara tribunave të mbushura. Sipas tij, skuadra kishte cilësi të mjaftueshme për të rivalizuar ekipet më të mëdha të ish-Jugosllavisë.
“Stadiumi mbushej plot në çdo ndeshje. Unë isha në një formë të mirë dhe po ashtu kishim një ekip të fortë. Në atë skuadër ishte edhe miku im i dashur, Zoran Batroviqi, një prej shtyllave të Prishtinës, së bashku me të paharruarin Fadil Vokrri”, deklaroi ai.
“Skënder Shëngullin, të cilin e takova pardje pas 40 vjetësh, e përjetova sikur të takoja vëllain tim. Prishtina ishte skuadra e pestë në atë Jugosllavi. Mund ta kuptoni se sa e fortë ishte konkurrenca. Në Prishtinë i mposhtëm të gjitha ekipet e mëdha: fituam ndaj Hajdukut, ndaj Crvena Zvezdës dhe ndaj Partizanit”, shtoi Zalad.
Një prej sfidave që ai kujtoi ishte edhe përballja me Dinamon e Zagrebit, e cila u mbyll në barazim pa gola. Për atë ndeshje, portieri bëri edhe një batutë lidhur me trajnerin e atëhershëm të ekipit kroat, Miroslav Ciro Blazevic.
“Vetëm me Dinamon e Zagrebit, me Ciron në krye, barazuam 0-0. Por mendoj se aty kishte një marrëveshje të brendshme mes Fadil Vokrrit dhe Ćiros”, u shpreh ai me shaka.
Edhe pas kaq vitesh, Zalad vazhdon të mbajë kontakte me ish-bashkëlojtarët e tij. Ai tregoi se komunikon më shpesh me Jusuf Tortoshin, me të cilin kishte luajtur edhe në Turqi, te Eskişehirspori.
“Më së shpeshti flas me Jusuf Tortoshin, sepse kemi luajtur bashkë te Eskişehirspori. Tortoshi është një ish-futbollist i madh i Prishtinës dhe për këtë arsye vazhdojmë të jemi në kontakt”, tha ai.
Ish-portieri përmendi edhe Agim Canën, me të cilin kishte qenë bashkë në ekipet e të rinjve dhe të pionierëve të përfaqësueses.
“Më bëhet qejfi që dëgjova se miku im nga përfaqësuesja, Agim Cana, me të cilin kam luajtur në ekipet e të rinjve dhe të pionierëve, është mirë. E përshëndes dhe i uroj gjithë të mirat”, deklaroi Zalad.
Megjithatë, kujtimi për Fadil Vokrrin mbeti pjesa më prekëse e intervistës. Zalad e vlerësoi atë si një futbollist të jashtëzakonshëm dhe si një figurë me ndikim të madh në ekip, si në dhomën e zhveshjes, ashtu edhe në fushën e lojës.
“Më vjen shumë keq dhe më ka prekur jashtëzakonisht shumë largimi i parakohshëm i Fadil Vokrrit. Ai ishte një prej futbollistëve të jashtëzakonshëm që ka lënë gjurmë jo vetëm në futbollin e Kosovës, por edhe te Partizani, ku luajti për disa vite”, u shpreh ai.
“Fadil Vokrri ishte lider në zhveshtore dhe në fushë. Ai nuk thoshte kurrë ‘Ecim përpara’, por shprehej: ‘Ti vjen pas meje. Unë jam i pari, ndërsa ti vjen pas meje’”, kujtoi Zalad.
Ai theksoi se periudha te Prishtina mbetet ndër kapitujt më të çmuar të karrierës së tij, sidomos për shkak të atmosferës që përjetoi në kryeqytetin e Kosovës.
“Kujtimet e mia më të bukura lidhen të gjitha me atmosferën e mrekullueshme që gjeta në Prishtinë”, përfundoi ish-portieri.
Pas vitit 1986, Zalad u largua nga Prishtina dhe vijoi karrierën në Turqi. Në të njëjtën periudhë, nga klubi u larguan edhe shumë prej yjeve të Prishtinës së Artë, përfshirë Fadil Vokrrin, i cili vazhdoi të luante te Partizani. /Telegrafi/
Presidenti i Getafes, Angel Torres, ka konfirmuar se klubi është në bisedime me Jadon Sanchon dhe nuk e ka përjashtuar…
Aktivistja Eva Pango, e cila po merr trajtim mjekësor, për momentin nuk paraqet indikacion për ndërhyrje kirurgjikale. Sipas informacionit mjekësor,…
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në vend, duke shprehur mbështetje për mesazhin…
Ndryshe nga sa ndodhi dy ditë më parë ku një grup deputetësh të Partisë Demokratike u larguan nga turma e…
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka pranuar Ligjin për Specialen. Kjo është konfirmuar nga Bekim Kupina, këshilltar për media…
Një numër i lartë të rinjsh dhe studentësh janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë, duke tejmbushur Bulevardin në protestën ku…