Mbi pesë mijë qytetarë, tifozë dhe pjesëtarë të grupit “Arpagjikët” u mblodhën në stadiumin “Përparim Thaçi”, ku Liria zhvilloi një mbrëmje të veçantë futbolli nën reflektorë. Edhe pse ishte një mbrëmje vjeshte, atmosfera në Prizren kujtonte ditët më të mëdha të këtij sporti.
Liria po shfaqet si klub i organizuar, me objektiva konkrete dhe synim për t’u kthyer në Superligën e Kosovës. Një nga hapat që dëshmon këtë ambicie është vendosja e reflektorëve në stadium, falë së cilës ndeshjet mund të luhen edhe në mbrëmje.
None found
Përballja me Rilindjen 1974 ishte ndeshja e fundit si vendëse për Lirinë në stinorin vjeshtor dhe u kthye në një festë të vërtetë. Stadiumi, që mban emrin e heroit Përparim Thaçi, u mbush me tifozë, ndërsa atmosfera në tribuna ishte e rrallë për këtë nivel të futbollit kosovar.
Liria luajti për herë të parë në shtëpi nën reflektorë dhe qyteti iu përgjigj me një përkrahje të jashtëzakonshme. Mbi pesë mijë tifozë dolën për ta mbështetur skuadrën, ndërsa “Arpagjikët” e shoqëruan mbrëmjen me zërin dhe ngjyrat e tyre.
Kjo ishte më shumë se një ndeshje e Ligës së Parë: një tjetër dëshmi se futbolli zë vend të veçantë në Prizren dhe se Liria është pjesë e rëndësishme e identitetit sportiv të qytetit.
Në fushë, skuadra vendëse e përmbylli mbrëmjen me triumf bindës, duke mundur 3-0 Rilindjen 1974, që llogaritet ndër ekipet e forta të Ligës së Parë.
Niki Likaj zhbllokoi rezultatin me kokë, pas një harkimi nga këndi, duke nisur festën në stadium. Më pas, Albion Kurtaj shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, ndonëse ishte në pozitë mjaft të vështirë.
Kurtaj e kompletoi fitoren me golin e tij të dytë dhe të tretin të Lirisë. Edhe këtë herë realizoi nga goditja e dënimit, pas një reagimi jo të mirë të portierit kundërshtar.
Tri herë në rrjetë, fitore bindëse dhe tribuna në festë: kjo ishte një mbrëmje që tifozët e Prizrenit do ta kujtojnë gjatë.
Rezultatet po e përforcojnë pretendimin e Lirisë për t’u kthyer në elitë. Pas 17 xhirove, skuadra ka 42 pikë, të mbledhura nga 13 fitore, tri barazime dhe vetëm një humbje. Liria është kampione e vjeshtës dhe i ka nëntë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Ferizaj dhe Prishtina e Re.
Pas ndeshjes, trajneri Ismet Munishi dhe kapiteni Fitim Susuri u shprehën të kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe atmosferën në stadium. Munishi tha se lojtarët nuk kishin pasur nevojë për nxitje të veçantë, pasi rëndësia e takimit dhe përkrahja nga tribuna i kishin motivuar.
“Atmosfera ishte fantastike. Nuk kemi pasur nevojë t’i motivojmë fare futbollistët, sepse ishte hera e parë që luanim në këto kushte dhe të gjithë ishin të motivuar nga atmosfera. Për më tepër, Rilindja është një kundërshtar mjaft i fortë. Djemtë vrapuan, ishin në elementin e tyre dhe arritëm një fitore shumë të mirë”, deklaroi Munishi.
Trajneri vlerësoi edhe tifozët dhe lidhjen e qytetit me futbollin, duke thënë se Prizreni po e tregon këtë çdo ditë.
“Sa i përket atmosferës, ne po dëshmojmë çdo ditë se Prizreni është qytet i futbollit. ‘Arpagjikët’ janë tifozë fantastikë, ndërsa Liria është klub shumë i madh. Besoj se kur të rikthehemi në Superligë, do t’i japim edhe më shumë vlerë kampionatit”, shtoi trajneri prizrenas.
Susuri, nga ana e tij, ia atribuoi rezultatet përkushtimit të përbashkët të futbollistëve dhe stafit.
“Që nga fillimi kemi punuar shumë dhe jemi angazhuar maksimalisht, si stafi ashtu edhe futbollistët. Kemi arritur të krijojmë një grup të shkëlqyer dhe besoj se puna e madhe na është shpërblyer”, deklaroi Susuri pas fitores ndaj Rilindjës.
Kapiteni theksoi se titulli i kampionit vjeshtor nuk është synimi përfundimtar i ekipit.
“Nuk do të ndalemi me kaq. Synimi ynë nuk është vetëm të jemi kampionë vjeshtorë, por të rikthehemi në Superligë”, përfundoi ai.
Futbolli po rikthehet me ritëm të madh në Prizren: Liria po fiton, tribunat po mbushen dhe reflektorët e stadiumit “Përparim Thaçi” po ndriçojnë shpresën e përbashkët për rikthimin e klubit në mesin e më të mirëve të futbollit kosovar.
Manchester United dhe Elseid HysajIsh-lojtari i Kombëtares, Ilir Alliu, i ftuar në panelin e emisionit “Mega Sport” në A2 CNN,…
Në një takim me përfaqësues të Komisionit Evropian (DG ENEST) dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, Kryenegociatori Jeton Zulfaj diskutoi…
Një moment i pazakontë në stadiumin “St. James’ Park” është bërë viral në rrjetet sociale, pasi influencuesja belge Celine Dept…
Kërkimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të rikthejnë në vëmendje plagët e…
Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon prej 177 ditësh, ndërsa qytetarët nuk janë ndalur dhe kanë dalë sërish…
Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia, analistët paralajmërojnë për rrjetet politike dhe kriminale Ndalimi i…