Categories: sport

Nga mësues edukimi fizik në sfidues të Francës, rrugëtimi i jashtëzakonshëm i “Trajnerit Momo”, ish-ndihmësit të Besnik Hasit

Mohamed Ouahbi nuk ka kaluar nëpër itinerarin e zakonshëm që të çon te drejtimi i një kombëtareje në Kupën e Botës. Ai nuk ka qenë futbollist dhe nuk e ka ngritur emrin e tij duke fituar trofe në majat e futbollit.

Të lidhura

None found

Për shumë vite të jetës së tij, Ouahbi punoi si mësues i edukimit fizik. Në një shkollë të Brukselit, ai u jepte mësim fëmijëve të moshës gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç. Sapo përfundonte orët e mësimit, ai linte klasën dhe shkonte në fushën stërvitore, ku vazhdonte të merrej me atë që e pasiononte më shumë.

Kështu mori jetë rrëfimi i “Trajnerit Momo”, njeriut që tashmë do të drejtojë Marokun ndaj Francës, në duelin ku vendoset një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Ouahbi ka lindur 49 vjet më parë në Bruksel, në një familje me prejardhje marokene, dhe kontaktin me futbollin e pati që në fëmijëri.

Ai e përjetoi nga afër Kupën e Botës 1986, turne në të cilin “Luanët e Atlasit” mbërritën për herë të parë në raundin e 16 më të mirave.

Ajo skuadër kombëtare i krijoi një ndjesi përkatësie që mbeti e fortë ndër vite, edhe pse jeta dhe formimi i tij, si në aspektin personal ashtu edhe profesional, u zhvilluan në Belgjikë.

Nga klasa te stoli i Kupës së Botës

Kur ishte vetëm 21 vjeç, Ouahbi hodhi hapat e parë si trajner te Maccabi Brussels. Ishte nisja e një rruge të qetë, por të qëndrueshme, e cila mori një kthesë të rëndësishme në vitin 2003, kur ai u kontaktua nga Anderlecht.

Te klubi belg, ai mori në dorë ekipin U9 në Neerpede dhe më pas qëndroi plot 17 vjet në akademinë e Anderlechtit.

Me kalimin e kohës, ai avancoi gradualisht në hierarkinë e klubit, derisa u bë një nga figurat më të vlerësuara të akademisë. Në disa periudha, ai punoi edhe si ndihmës-trajner i ekipit të parë, përkrah legjendës shqiptare, Bensik Hasi.

Nëpër procesin e tij të punës kanë kaluar disa prej talenteve më të spikatura të futbollit belg të dy dekadave të fundit.

Mes futbollistëve që janë zhvilluar nën metodën e tij përmenden Romelu Lukaku, Youri Tielemans, Jérémy Doku dhe Dodi Lukebakio.

Stërviti edhe çiklistin e famshëm, ndërsa zbulon edhe rëndësinë e shkollimit për lojtarët

Nën drejtimin e Ouahbit është stërvitur edhe Remco Evenepoel, përpara se të linte futbollin dhe të shndërrohej në një nga çiklistët më të mirë në botë.

“E kishim Remcon te Anderlecht deri në nivelin U19”, kujtoi vetë Ouahbi disa muaj më parë.

Trajneri maroken ka vënë vazhdimisht në dukje peshën që ka arsimi në formimin e një futbollisti, duke e lidhur disiplinën në shkollë me arritjet në sport.

“Kur isha në akademinë e të rinjve të Anderlechtit, e kuptuam se lojtarët që arrinin në ekipin e parë ishin ata që kishin diplomë të shkollës së mesme. Sot, futbolli është shumë i strukturuar. Lojtarët kanë nevojë për disiplinë dhe arsimi i ndihmon shumë në këtë drejtim”, ka shpjeguar Ouahbi.

Kjo ishte një filozofi që ai e kishte ushtruar për vite të tëra në klasë dhe që më vonë e transferoi edhe në dhomën e zhveshjes.

Telefonata që i ndryshoi jetën

Pas një eksperience të shkurtër në Arabinë Saudite, ku bashkëpunoi me Yannick Ferreira te Al-Fateh, erdhi thirrja që do t’i kthente kahun karrierës.

Në vitin 2022, presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, vendosi t’ia besonte atij drejtimin e kombëtares U20 të Marokut. Lekjaa e kishte ndjekur nga afër aktivitetin e Ouahbit në Belgjikë dhe ishte i bindur se ai ishte profili i duhur për të çuar përpara projektin që federata kishte ndërtuar prej vitesh.

Brenda vetëm tre vjetësh, Ouahbi krijoi një ekip të ri, konkurrues dhe me identitet të qartë. Maroku arriti të fitojë Kupën e Botës U20, pasi mundi Argjentinën në finale.

Më pas, pas largimit të Walid Regraguit, federata i dha mundësinë Ouahbit të merrte drejtimin e kombëtares së parë.

Një zgjedhje befasuese, por e suksesshme për Marokun

Për shumë njerëz, ky emërim ishte i papritur. Ai ishte pothuajse i panjohur për publikun e gjerë, pa eksperiencë në drejtimin e një kombëtareje të të rriturve dhe u vendos në detyrë vetëm pak muaj para Kupës së Botës.

Pavarësisht kësaj, Federata Marokene tregoi vendosmëri dhe deri tani rezultatet e kanë justifikuar plotësisht zgjedhjen.

Me një moshë mesatare prej vetëm 26.4 vjeç, Maroku paraqitet si skuadra e tretë më e re e turneut dhe njëkohësisht si një nga përfaqësueset që ka bërë përshtypjen më të madhe.

“Lojtarët e rinj shpesh kritikohen se nuk i dëgjojnë më të vjetrit dhe se ndjekin rrugën e tyre. Por në këtë skuadër është e kundërta. Ata dëgjojnë me shumë kujdes stafin e trajnerëve dhe lojtarët veteranë. Ka një respekt të madh të ndërsjellë”, ka thënë Ouahbi.

Ky transformim në mënyrën e të menduarit përmbledh më së miri edhe profilin e Mohamed Ouahbit.

Tashmë, pengesa e radhës për “Trajnerin Momo” dhe Marokun është Franca, në një sfidë të madhe që mund t’i dërgojë “Luanët e Atlasit” në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

të fundit

Pacolli: Owner of “Dukagjini Lake” faces criminal proceedings after continuing operations

Deputetja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se, pas injorimit të urdhrit të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit për ndërprerjen…

1 minute ago

Aeroplani i Zelenskyt shmang goditjen nga një dron gjatë nisjes nga Moldavia

Aeroplani që transportonte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Oslo për funeralin e Mbretit Harald  për pak u godit nga një…

10 minutes ago

Afros 2100 fluturime të anuluara në Britani; shefit të Nats i vihet afat njëjavor për shpjegime

Shefi ekzekutiv i Nats, Martin Rolfe, ka një javë kohë për të raportuar mbi defektin teknik që shkaktoi kaos në…

14 minutes ago

Araujo mahnit tifozët e Liverpoolit me asistimin spektakolar ndaj Atletico Madridit

Liverpooli e ka barazuar rezultatin në derbin ndaj Atletico Madridit, në kuadër të xhiros së parë për fazën e ligës…

15 minutes ago

Giggs rrëfen si Manchester Unitedi nuk e besoi Mbappen dhe humbi mundësinë për ta transferuar

Manchester Unitedi kishte një mundësi konkrete për ta transferuar Kylian Mbappen shumë përpara se sulmuesi francez të bëhej një prej…

27 minutes ago

Pas fjalimeve, protestuesit kalojnë në marshim dhe bllokojnë akset kryesore të Tiranës

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë ndryshuar skenarin e protestës, duke nisur marshimin në bulevardet e Tiranës. Qytetarët…

31 minutes ago