Categories: sport

MLS hap hetim ndaj Inter Miamit për transferimin e Casemiros

Major League Soccer (MLS) ka nisur një hetim ndaj Inter Miamit vetëm pak çaste pasi klubi nga Florida zyrtarizoi afrimin e mesfushorit brazilian Casemiro.

Të lidhura

None found

Të mërkurën, Inter Miami bëri të ditur se kishte nënshkruar me 34-vjeçarin, i cili u largua nga Manchester United në përfundim të sezonit të kaluar.

Marrëveshja e Casemiros me klubin amerikan zgjat deri në fund të sezonit 2027 të MLS-së dhe përmban mundësinë e rinovimit deri në qershor 2029.

Menjëherë pas prezantimit të futbollistit, liga njoftoi përmes një deklarate se po shqyrton dyshimet për shkelje të rregullave të negociimit, të njohura si “tampering”, nga ana e Inter Miamit.

“Liga po mbledh të gjitha informacionet e nevojshme dhe nuk do të japë komente të tjera deri në përfundimin e hetimit”, thuhet në komunikatën e MLS-së.

Në qendër të verifikimeve janë të ashtuquajturat “discovery rights”. Ky rregull i veçantë i MLS-së i siguron një klubi përparësinë për të zhvilluar negociata me një lojtar, nëse ai vendos të kalojë në kampionatin amerikan.

Sipas këtij sistemi, secila skuadër mund të përfshijë deri në pesë futbollistë në listën e saj të “discovery rights”, duke pasur të drejtën e parë të bisedimeve përpara klubeve të tjera.

Për Casemiron, këto të drejta ishin në pronësi të LA Galaxy. Inter Miami deklaroi se kishte arritur marrëveshje me klubin kalifornian për marrjen e tyre, ndërsa MLS po kontrollon nëse çdo rregull është zbatuar gjatë këtij procesi.

LA Galaxy e konfirmoi gjithashtu marrëveshjen me Inter Miamin për “discovery rights” të brazilianit. Hollësitë financiare të operacionit do të publikohen vetëm pas mbylljes së hetimit nga liga.

Casemiro kishte bërë të ditur në janar se do t’i jepte fund qëndrimit te Manchester United pas sezonit 2026/27, pasi të dyja palët vendosën të mos e zgjasnin kontratën.

Ai u largua nga “Old Trafford” me një bilanc prej 160 ndeshjesh, 26 golash dhe 14 asistimesh. Gjatë periudhës me “Djajtë e Kuq”, mesfushori fitoi Kupën FA dhe Kupën e Ligës, të njohur si EFL Cup.

Përpara eksperiencës në Angli, Casemiro la gjurmë te Real Madridi, me të cilin triumfoi pesë herë në Ligën e Kampionëve. Këtë verë, ai ishte gjithashtu pjesë e kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës.

“Motivimi im më i madh është të vazhdoj të fitoj dhe të rritem si futbollist”, deklaroi Casemiro gjatë prezantimit.

Transferimi u mirëprit edhe nga bashkëpronari i Inter Miamit, David Beckham, i cili vlerësoi karrierën dhe mentalitetin fitues të lojtarit brazilian.

“Ai është një fitues që ka arritur gjithçka në futboll. Pas një karriere të jashtëzakonshme te Real Madridi dhe Manchester United, jam shumë i lumtur që ka zgjedhur Miamin si destinacionin e tij të radhës”, u shpreh Beckham.

Në skuadrën e Inter Miamit, Casemiro do të ketë si bashkëlojtarë emra të njohur, mes të cilëve Lionel Messi dhe Rodrigo De Paul. Ai do të ribashkohet edhe me Sergio Reguilón, me të cilin ka luajtur më parë te Real Madridi dhe Manchester United.

Për Inter Miamin, kjo nuk është hera e parë që çështjet e transferimeve sjellin hetime dhe ndëshkime nga MLS.

Në vitin 2021, liga e dënoi klubin me një gjobë prej 2 milionë dollarësh për shkeljen e rregullave financiare gjatë transferimit të Blaise Matuidit nga Juventusi.

Sipas konstatimeve të MLS-së, mesfushori francez kishte marrë një pagë mbi kufirin e lejuar. Për pasojë, Inter Miami rezultonte me katër “Designated Players”, megjithëse rregullorja lejon jo më shumë se tre.

Ky mekanizëm njihet si “Rregulli Beckham” dhe u vendos në vitin 2007, pas kalimit të David Beckhamit te LA Galaxy.

të fundit

Lutfi Dalipi përfshihet në formacionin e javës në Zvicër

Pas shkëlqimit ndaj Lausanne-Sport, Lutfi Dalipi ka zënë një vend edhe në formacionin më të mirë të javës në Zvicër.Ylli…

6 minutes ago

BDI kërkon llogari për bursat: vetëm 80 nga 817 për nxënës shqiptarë, VLEN dhe Driton Sulejmani nën përgjegjësi

Rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027 nxjerrin në pah një përfaqësim tejet të…

8 minutes ago

Zelensky: Ukraina fundosi korvetën ruse në Libi me shtatë dronë detarë, u godit edhe një anije mallrash

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit me dronë detarë ndaj një anije ushtarake ruse në…

17 minutes ago

VIDEO/ Ekzekutimi i Selami Hasanit në Fier, Policia rrethon zonën! Pamje nga vendi i ngjarjes

Mëngjesin e sotëm, një atentat me armë zjarri është regjistruar në lagjen “1 Maji” në Fier, ku ka mbetur i…

20 minutes ago

Ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare Molly Meldrum, ikona e muzikës australiane

Legjenda e industrisë muzikore australiane, Molly Meldrum, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, ka raportuar…

28 minutes ago

Trabzonspori vendos vlerën e kartonit të Ernest Muçit

Paraqitjet e mira të Ernest Muçit te Trabzonspori kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave tjera evropiane, të cilat po synojnë transferimin…

30 minutes ago