Vllaznia do të përballet të dielën me Laçin, në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të “Abissnet Superiore”. Takimi do të luhet në stadiumin e Kurbinit dhe do të nisë në orën 16:00. Në prag të kësaj sfide, për mediat ka folur kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta.
None found
Mbrojtësi ka vlerësuar forcën e Laçit, ka analizuar situatën e Vllaznisë pas tri javëve të para dhe është ndalur gjatë te sezoni i kaluar, “Final Four” dhe mënyra se si Egnatia fitoi titullin. Gurishta ka folur gjithashtu për Elseid Hysajn, i cili prej disa ditësh stërvitet me Vllazninë, ndërsa pret një mundësi të re në Evropë.
“Ndeshja me Laçin do të jetë padyshim shumë e vështirë. Ata vijnë pas humbjes në shtëpi ndaj Durrësit, ndërsa ne pas disfatës në fushën tonë kundër Partizanit. E dimë se Laçi është një ekip i fortë, veçanërisht kur luan në shtëpi, ndaj do të përpiqemi të japim maksimumin.
Dy pikë në tri ndeshje janë shumë pak për Vllazninë, sidomos duke pasur parasysh se dy takime i kemi luajtur në shtëpi dhe vetëm një jashtë. Nëse e analizojmë situatën në mënyrë profesionale, mendoj se kemi merituar më shumë. Megjithatë, nuk kanë rëndësi as mendimet e mia dhe as ajo që ka ndodhur deri tani. Të vlefshme janë pikët dhe pozita në renditje. Duhet të reagojmë dhe të marrim përgjegjësitë.
Ekipi dhe mundësitë ekzistojnë. Që nga ndeshja e radhës duhet të synojmë maksimumin dhe më pas të mendojmë për sfidën pasuese. Kemi humbur shumë lojtarë në të gjitha repartet dhe nuk është e lehtë të luash me futbollistë që për herë të parë aktivizohen së bashku. Atyre u duhet kohë për t’u harmonizuar. Nga ndeshjet e kaluara kemi evidentuar gabimet dhe do të përpiqemi t’i eliminojmë, duke qenë më të përqendruar në momentet vendimtare. Shpresoj që të mos i përsërisim më”, u shpreh Gurishta.
Ai vlerësoi edhe kundërshtarin e radhës, duke theksuar se përballjet mes Laçit dhe Vllaznisë kanë qenë gjithmonë të luftuara. “Ndeshjet në Laç zakonisht janë të dyluftuara. Këtë sezon ata meritojnë vlerësim maksimal, pasi kanë lojtarë të rinj dhe dëshirë të madhe për të luftuar. Kanë gjithashtu një trajner shumë të mirë, Qatim Osmanin. Ne e respektojmë Laçin, por do të shkojmë për të kërkuar maksimumin e pikëve.
Sezonin e kaluar kishim një ekip shumë të mirë, këtë e kemi pranuar të gjithë. Megjithatë, gjërat shkuan siç shkuan dhe kampionatin e humbëm në fund, në “Final 4”. Më pas u larguan shumë lojtarë. Ndoshta situata do të ishte ndryshe nëse do të ishim shpallur kampionë dhe disa prej tyre do të kishin qëndruar. Tani futbollistëve të rinj u duhet kohë për t’u përshtatur. Është ende herët dhe vetëm koha do të tregojë se ku e meriton të shkojë Vllaznia. Nga loja, mendoj se kemi ardhur në rritje nga java e parë deri në të tretën.
Ndaj Elbasanit dhe Partizanit kemi merituar më shumë, por kemi gabuar në çastet vendimtare. Ajo që të jep besim është se loja po përmirësohet dhe besoj se edhe pikët do të vijnë. Vllaznia futet gjithmonë në garë me objektiva madhorë, pasi vetë emri i klubit e kërkon këtë. Është herët të flasim për një objektiv të përcaktuar, edhe pse Vllaznia synon gjithmonë trofetë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shpresojmë që fitoret të vijnë, sepse ato janë më motivuese.
Duhet të hyjmë në fushë me mentalitet fitues. Nëse fokusohemi te gabimet e ndeshjeve të kaluara, do të krijojmë presion mbi veten. Presioni është pjesë e futbollit, por duhet të shërbejë si motivim dhe të na bëjë më të përgjegjshëm. Nëse zbatojmë kërkesat e stafit teknik, jam i bindur se mund të marrim tri pikët. Për veten time jam mirë. Në fillim ishte e nevojshme të luaja me maskë, por tani jam 100% i gatshëm”, deklaroi kapiteni shkodran.
Gurishta u ndal edhe te momenti i shumëdiskutuar i sezonit të kaluar dhe te bërryli që, sipas tij, ndikoi në garën për titullin. “Nuk dua të hap polemika, por besoj se të gjithë e kanë parë qartë se një moment i vetëm i ndeshjes ndryshoi gjithçka. Më vjen mirë që Egnatia është në grupet e Ligës së Konferencës, sepse kjo i rrit vlerat edhe kampionatit shqiptar. Por, po të mos ishte ai bërryl ndaj meje, mendoj se kampione e Shqipërisë do të ishte Vllaznia ose Elbasani.
Ai episod na la me pasoja dhe bëri që Egnatia të shpallej kampione. Ashtu siç gabojmë ne futbollistët, edhe arbitrat mund të gabojnë herë pas here. Por tashmë që ekziston VAR-i, gabimet duhet të jenë shumë më të pakta. Nëse gjyqtari në fushë, Enea Jorgji, nuk e sheh qartë një bërryl dhe jep vetëm karton të verdhë, arbitri i VAR-it duhet të ndërhyjë dhe të japë karton të kuq. Kështu ndodhi në Elbasan. Nuk e kuptoj përse arbitri i VAR-it mund ta anulonte atë gol.
Nëse gjyqtari kryesor gabon, atëherë përse shërben VAR-i? Arbitrat që janë në dhomën e VAR-it e shohin aksionin nga disa kënde dhe kanë mundësi të shohin përsëritjet, ndaj gabimet duhet të jenë pothuajse zero. Duhet të ketë më shumë përgjegjshmëri në arbitrim, sepse pasojat prekin punën e të gjithë lojtarëve. Gjërat grumbullohen, futbollistët humbasin qetësinë dhe krijohen problematika të tjera. Edhe ne duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos qëndrojmë te ajo që ka kaluar. Nëse e mbajmë mendjen te gabimet, i vendosim presion çdo lojtari dhe nuk mund të japim maksimumin. Përgjegjësia duhet të jetë si e jona, ashtu edhe e arbitrave. Në fund duhet të fitojë ai që e meriton.
Kur Egnatia ka ardhur në Shkodër dhe ka fituar 4 me 0, i gjithë stadiumi e ka duartrokitur. Megjithatë, vitin e kaluar mendoj se ekipet më të mira ishim ne dhe Elbasani. Egnatia hyri rastësisht në “Final 4”, pasi ishte e dorëzuar dhe përfitoi nga gabimi ynë ndaj Dinamos. Ne ishim me një këmbë në greminë, ndërsa në ndeshjen me Egnatian, edhe episodet e arbitrimit na shtynë me të dyja këmbët drejt saj. Kështu Egnatia u rikthye në garën për titull.
Gjatë sezonit të kaluar, Egnatia luajti katër ndeshje me ne dhe nuk fitoi asnjërën. Edhe në katër përballjet me Elbasanin nuk mori asnjë fitore. Në pjesën e titullit kampion ishte e dorëzuar, por u rikthye në garë pasi ne gabuam me Dinamon. Ai ishte gabimi ynë dhe i pafalshëm. Si pasojë e gabimeve tona dhe e episodeve të arbitrimit, Egnatia doli kampione. Gjithsesi, uroj më të mirat për ta. Ata janë në grupe dhe kanë rritur vlerën e kampionatit. Një moment i vetëm mund të ndryshojë gjithçka.
Në lidhje me Elseid Hysajn, Gurishta tha se mbrojtësi është në kontakt të vazhdueshëm me skuadrën dhe se e ardhmja e tij pritet të vendoset së shpejti. “Ne komunikojmë çdo ditë me Elseid Hysajn. Ai është një djalë i shkëlqyer dhe i uroj më të mirën. Ka një periudhë jo të vogël që stërvitet me ne, ndërsa pret disa lëvizje nga jashtë. Nga informacionet dhe komunikimi që kam, besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohet jashtë Shqipërisë. Ka mundësi të luajë në nivele të larta dhe nuk besoj se e ardhmja e tij do të jetë në Shqipëri.
Më vjen keq që Vllaznia prej shumë vitesh lufton për titullin dhe nuk e ka fituar. Për mua ky është viti i 12-të te Vllaznia dhe dua ta realizoj ëndrrën për t’u shpallur kampion me skuadrën time, me ekipin ku jam rritur dhe ku jam bërë futbollist. Kemi qenë shumë pranë, por nuk ia kemi dalë. Në momentet vendimtare duhet të jemi më të përgjegjshëm, si ne, ashtu edhe arbitrat, në mënyrë që t’i jepet e drejta atij që e meriton.
Në vitin e parë kur Egnatia u shpall kampione, ndeshja përfundoi 0 me 0 dhe si pasojë ajo kaloi në finale. Një vit më pas, kur Egnatia na mundi 4 me 0 në finale, pas ndeshjes nuk kishim shumë të drejtë të flisnim për arbitrimin, sepse një rezultat 4 me 0 ta mbyll gojën. Por, nëse e shohim takimin me përsëritje, në kohën kur arbitronte një gjyqtar polak, ndeshja ishte 1 me 0 dhe nuk na u dha një penallti 100% e sigurt. Mund ta nxjerr edhe videon. Nëse nga 10 specialistë të arbitrimit, dy deklarojnë se nuk ishte penallti, unë që nesër e lë futbollin.
Takimi mund të shkonte 1 me 1 dhe rrjedha do të ishte tjetër. Më pas, në gjysmëfinalen e vitit tjetër kundër Egnatias, ne do të ishim në finale me Elbasanin dhe titullin do ta fitonim ne ose Elbasani. Për shkak të gabimit të arbitrave, përfitoi Egnatia dhe u shpall kampione. Ishim shumë pranë dhe duhet të vazhdojmë të besojmë. Herët ose vonë, Vllaznia do të marrë atë që meriton. Është shumë për një klub si Vllaznia të qëndrojë gjithë këto vite pa titull kampion. Në vitet e fundit e kemi merituar të shpallemi kampionë dhe shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt.
Në fund, Gurishta foli edhe për tifozët shkodranë. “Tifozeria në Shkodër është shumë e ndjeshme dhe jeton me rezultatet. Ndoshta i kemi zhgënjyer dhe me të drejtë mund të jenë mërzitur me ne. Megjithatë, ata kanë qenë gjithmonë mbështetja jonë, edhe pa thirrjen time. E di se presin më shumë prej nesh. Në çdo ndeshje do të japim maksimumin për këto ngjyra”, përfundoi Erdenis Gurishta.
Një grua që dëshmoi kundër babait të saj pas vrasjes brutale të nënës nga mafia italiane dyshohet se i ka…
Paraditen e sotme, një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Trojas, ku një 32-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, ka humbur…
Policia greke ka gjetur njërën prej dy makinave që dyshohet se është përdorur nga bashkëpunëtorët e të burgosurit shqiptar, i…
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rikthehet sot në Shqipëri pas vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,…
Flamuj kuq e zi, simbole kombëtare dhe qytetarë të shumtë janë parë këtë të shtunë në lagjen Ulpiana të Prishtinës,…
Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi i ndodhur në derën e banesës së Mariglen Lalës, 36 vjeç, në Kamëz.…