sport

Fillim i vështirë për Samuel Eto’o në rolin e ri

Më pak se një muaj para fillimit të turneut mediat sociale ishin të shfrenuara me hamendjet për shtyrjen e Kupës së Kombeve të Afrikës me urdhër të klubeve më të mëdha të futbollit evropian.

Elita e Evropës është e shqetësuar se me pandeminë e koronavirusit të përhapur më shumë se kurrë yjet si golashënuesi më i mirë i Premier Leagues, Mohamed Salah (Egjipt), rrezikojnë të humbasin edhe më shumë ndeshje përtej turneut njëmujor të AFCON-it.

Të lidhura

None found

Është gjithashtu e vërtetë që klubet janë të shqetësuara për grindjet në rajonin anglishtfolës të Kamerunit, ku grupet separatiste kanë luftuar forcat qeveritare gjatë katër vjetëve të fundit.

Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) megjithatë menjëherë i hodhi poshtë aludimet rreth shtyrjes së turneut duke i quajtur si “lajme të rreme”. E në prag të turneut që do të mbahet në Kamerun, presidenti i sapozgjedhur i Federatës së Futbollit të Kamerunit, ish-sulmuesi Samuel Eto’o, është nën presion të madh. Sipas tij, përparësia kryesore është garantimi i sigurisë për lojtarët dhe tifozët.

Eto’o në krye

Për presidentin e ri të FECAFOOT-it, akronimi francez i Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o, nuk kishte periudhë muaji të mjaltit në rolin e tij të ri. Katër herë futbollisti afrikan i vitit u votua për një mandat katërvjeçar të shtunën e shkuar, duke e mundur presidentin e përkohshëm Seidou Mbombo Njoya me 43 vota pro dhe 31 kundër në asamblenë e përgjithshme të federatës. Dy herë fituesi i turneut AFCON dhe tri herë i Ligës së Kampionëve me 118 paraqitje dhe 56 gola për Përfaqësuesen e Kamerunit, Eto’o e quajti zgjedhjen e tij “një nga momentet më krenare” të jetës së tij.

“Çdo votë”, tha Eto’o, “përfaqëson energjinë dhe ambicien e familjes sonë të futbollit për ta çuar sportin tonë të dashur në një nivel që nuk e kemi parë kurrë më parë”. Eto’o paraqiti kandidaturën e tij vetëm disa javë përpara votimit të vitit 2021, duke thënë se “Unë do të jem presidenti i ardhshëm i federatës, pavarësisht të gjitha mashtrimeve”. Në sytë e Eto’o-s paraardhësi i tij Njoya, zgjedhja e të cilit u anulua nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për Sport në vitin 2018, kishte “dështuar keq” si president.

40-vjeçari mori miratime nga kandidatë të tjerë presidencialë, të cilët tërhoqën ofertat e tyre, si dhe yje botërorë të futbollit si ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Lionel Messi dhe kamerunasi Roger Milla.

Një start i ri për Kamerunin

Fushata e drejtuar nga Eto’o u përqendrua në promovimin e futbollit të femrave dhe eliminimin e korrupsionit në futbollin e Kamerunit. Përtej Kupës së Kombeve të Afrikës shumë të dukshme, akuzat për korrupsion kanë qenë një çështje dominuese brenda Federatës së Futbollit të Kamerunit.

“Gjatë fushatës Eto’o tha se ditët kur lojtarët paguajnë për të luajtur në ekipin kombëtar, do të marrin fund”, tha gazetari kamerunas Moki Edwin Kindzeka. “Ata që meritojnë të luajnë në ekipin kombëtar do të thirren të luajnë”.

Keqmenaxhimi dhe lufta e brendshme kanë pllakosur gjithashtu FECAFOOT-in. Në gusht të vitit 2017, FIFA, organi qeverisës i futbollit botëror, krijoi një “komitet normalizimi” afatshkurtër për të drejtuar punët e përditshme në federatë, ashtu siç kishte bërë katër vjet më parë në përpjekje për të korrigjuar punët brenda kësaj federate. Kameruni fillimisht duhej të priste Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2019, por më 30 nëntor të 2018 iu hoq organizimi i këtij turneu për shkak të vonesave në ndërtimin e infrastrukturës, si dhe shqetësimit për dhunën në rajonin “anglofon”. Ish-zyrtarët e federatës kamerunase nuk kanë dashur të flasin për këto çështje duke thënë se tashmë është presidenti i ri, i cili ka premtuar përmirësime në çdo aspekt.

Kredencialet e dobëta

Eto’o mban statusin e yllit në Kamerun, por konsiderohet një administrator i pa dëshmuar.

“Kompania e tij e telekomit u shkatërrua. Ai u fut në prona të paluajtshme dhe kjo u shkatërrua”, tha gazetari Kindzeka, “duke ngritur frikën se legjenda e futbollit mund të jetë një menaxher i keq”.

Megjithatë shumë që ndjekin futbollin në Kamerun janë inkurajuar nga zgjedhja e Eto’os.

“Në përgjithësi, njeriu në rrugë e do Eto’on, pavarësisht se ata nuk dinë asgjë për aftësitë e tij menaxheriale”, shtoi Kindzeka.

Ndikimi pozitiv i zgjedhjeve u nënvizua gjithashtu me raportet që sugjeronin se mbrojtësi i Liverpoolit, Joel Matip po konsideron t’i japë fund pensionit të tij ndërkombëtar për të përfaqësuar edhe një herë Kamerunin. Eto’o si futbollist ka një karrierë të jashtëzakonshme pasi në vitin 1996 u largua nga Kameruni për ta vazhduar karrierën në Evropë, ku ka luajtur për Real Madridin, Leganesin, Espanyolin, Barcelonën, Interin, Anzhin, Chelsean, Evertonin, Sampdorian, Antalyasporin e Konyasporin. Ai karrierën e mbylli në vitin 2019 te skuadra Qatar SC. Gjatë karrierës së tij Eto’o ka regjistruar 587 paraqitje dhe ka shënuar 293 gola në nivel klubesh.

Nisja e punës

Ndërsa nisja e planifikuar për Kupën e Kombeve të Afrikës po afrohet, Eto’o do të jetë një njeri shumë i zënë. Ai thuhet se do të takohet rregullisht me përfaqësuesit e CAF-it, dhe thuhet se do të takohet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantinon, në ditët në vijim. Shqetësimet e koronavirusit nuk kanë gjasa të zhduken dhe i takon Eto’os, federatës së tij dhe CAF-it, të garantojnë sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve. Shoqata Evropiane e Klubeve, e cila përfaqëson klubet e futbollit në të gjithë Evropën, ka thënë se ka “shqetësime të thella” për shëndetin e lojtarëve përpara turneut AFCON pasi shëndeti publik “vazhdon të përkeqësohet në një mënyrë alarmante”. Këto shqetësime nuk lehtësohen nga fakti që AFCON synon të përdorë gjashtë stadiume të shpërndara në pesë qytete në të gjithë Kamerunin. Kjo përfshin ndeshjet në ato rajone ku flitet gjuha angleze, ku separatistët kanë luftuar forcat qeveritare për katër vjetët e fundit. Eto’o duket se e di që presioni është i lartë. Organizimi i këtij turneu do të jetë testi i parë i madh i presidencës së tij. Pavarësisht nëse ngjarja e futbollit të Afrikës do të zhvillohet siç është planifikuar apo jo, është e qartë se ndryshimi po ndodh në FECAFOOT.

të fundit

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria firmosin marrëveshje për kontrolle dhe pika të përbashkëta kufitare

Në Peshkopi, Shqipëri, është nënshkruar sot marrëveshja për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontrolleve të përbashkëta mes Maqedonia…

4 minutes ago

LDK-ja në Rahovec kërkon proces zgjedhor të brendshëm në të gjitha nivelet

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec përmes një komunikate të lëshuar në Facebook, ka kërkuar që partia…

14 minutes ago

Kepi i Gjelbër hyn në histori, Vozinha: Me zemër të madhe presim sfidën me Argjentinën

Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka shkruar histori në futbollin botëror, duke u bërë vendi më i vogël që arrin…

15 minutes ago

Lëkundje tërmeti në Shqipëri, ja sa ishte magnituda dhe epiqendra

Një tërmet me magnitudë 3 [...]Read More...

16 minutes ago

Buzhala kërkon verifikim për të gjithë veteranët, jo vetëm për Goxhajn

Analisti Viktor Buzhala ka reaguar pasi në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është dorëzuar një padi për verifikimin e rolit të…

25 minutes ago

Berisha tall Ramën për bluzën me flamingo: Vendos Ballukun, dy Lindat, Agaçin, Gysin dhe Arubën, jo flamingot

Kryetari i PD, Sali Berisha, ironizoi kryeministrin Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, duke komentuar bluzën…

26 minutes ago