Faton Seferi ka dhënë dorëheqje nga detyra e nënkryetarit të FC Drenicës, ndërsa ka bërë të ditur edhe largimin nga marrëveshja që kishte për qëllim privatizimin dhe zhvillimin e klubit.
None found
Në një letër të gjatë me tone emocionale, drejtuar qytetarëve të Drenicës, tifozëve, futbollistëve, stafit dhe bashkëpunëtorëve, ai shpjegon se ky vendim ka ardhur pas një viti të mbushur me përkushtim, sakrifica, sfida dhe zhgënjime, por edhe me dashuri të madhe për klubin dhe këtë rajon.
Seferi ka sqaruar se angazhimi i tij në FC Drenica nisi pasi miku i tij Betim Dajaku i kërkoi në Gjermani që ta ndihmonte klubin. Më pas, përmes Betim Dajakut, u organizua një takim me nënkryetarin e atëhershëm të Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, dhe Kryetarin e atëhershëm Fadil Nura, ku iu paraqit gjendja e klubit dhe iu kërkua ta merrte përsipër këtë sfidë.
Ai tregon se në të njëjtën periudhë edhe partneri i tij, Dr. Thomas Wüstefeld, kishte shfaqur interes për të investuar në futbollin e Kosovës dhe dëshironte të kishte një Klub Futbolli, pasi vinte nga ajo fushë, kishte qenë edhe bashkëpronar tek HSV Hamburg dhe me të pritej të vinin sponsorë me emër të madh si Adidas etj.
Seferi thekson se vendosi të vijë në Kosovë, por jo për shkak të futbollit. Sipas tij, kthimi kishte të bënte me dëshirën për të jetuar në vendin e tij, pranë familjes, për të investuar në ekonomi dhe për të ndërtuar jetën në Kosovë, ndërsa futbolli, siç shprehet ai, erdhi krejt papritur.
Ai pranon se kur mori përgjegjësinë për FC Drenicën nuk ishte njeri i futbollit dhe nuk kishte përvojë në menaxhimin e një klubi, por shton se kishte vullnet për të punuar me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për vendin e tij, Kosovën.
Sipas Seferit, me kalimin e muajve u bë e qartë se vështirësitë e klubit nuk ishin vetëm sportive. Ai nënvizon se Drenica ka nevojë për shumë më tepër investime dhe se futbolli kosovar kërkon mbështetje shumë më të madhe.
Ai sqaron se marrëveshja fillestare parashihte që të merrte përsipër deri në 400.000 euro borxhe, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohej nga Komuna. Mirëpo, pas auditimeve të gjata, doli se detyrimet financiare ishin dukshëm më të mëdha sesa ishte thënë në fillim, çka e bëri shumë të vështirë zbatimin e marrëveshjes.
Pavarësisht kësaj, Seferi thotë se nuk u ndal dhe investoi para nga xhepi i tij. Ai shkruan se shleu një pjesë të konsiderueshme të borxheve të vjetra dhe financoi komplet klubin pa e pasur në pronësi, pasi ishte koha e zgjedhjeve komunale dhe Komuna nuk mundi ta vendoste në asamble për votim.
Në të njëjtën kohë, ai priste që partneri i tij të niste investimet e premtuara dhe që Komuna ta fillonte procesin e privatizimit. Më pas, sipas tij, u kuptua se marrëveshja juridikisht nuk mund të realizohej në atë moment, sepse sipas ligjit privatizimi i një klubi mund të bëhej vetëm gjatë muajit qershor. Ai thotë se këtë nuk e kishte sqaruar më herët, pasi kishte menduar se, përderisa komuna e kishte shkruar në marrëveshje që klubi privatizohet brenda 120 ditësh, atëherë kjo ishte e lejueshme me ligj, ndërsa ai e mori klubin më 1 korrik 2025.
Kjo, sipas tij, nënkuptonte edhe një vit tjetër pritje. Seferi shkruan se një vit të tërë ia kushtoi FC Drenicës, jo familjes, jo bizneseve të tij dhe jo jetës private.
Ai shton se kur partneri i tij nuk iu përgjigj thirrjes për të investuar sipas marrëveshjes dhe nuk ishte më në gjendje ta bënte këtë, ndërsa pa edhe se institucionet nuk kishin mundësi reale për ta çuar përpara projektin, e kuptoi se kjo nuk ishte fusha e tij.
Megjithatë, Seferi thotë se nuk u largua në atë moment. Ai shkruan se qëndroi, sepse ndërkohë Drenica ishte bërë pjesë e zemrës së tij dhe kishte më së shumti nevojë për të. Ai përmend lojtarët, trajnerët, kryesinë, tifozët, familjet dhe qytetarët, duke thënë se të gjithë e bënë të ndihej si njëri prej tyre.
Në fund të sezonit, sipas tij, u arrit diçka që pak kush e besonte: FC Drenica mbeti në Superligë. Ai vlerëson sidomos pjesën e dytë të kampionatit si dëshmi të asaj që mund të arrijë një klub kur ka organizim, disiplinë dhe zemër.
Seferi kujton gjithashtu përmbytjen që, siç shprehet ai, e shkatërroi fushën e klubit për herë të dytë. Sipas tij, asokohe ministri Çeku i premtoi nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe Sportit se shteti do të ndërhynte menjëherë dhe se nuk duhej të investonin më.
Për këtë arsye, ai shkruan se ndeshjet si vendas i zhvilluan në Malishevë, ku humbën energji, para dhe pikë. Kur pa se ndihma nuk po vinte, Seferi thotë se vendosi sërish të investojë nga mjetet e tij për restaurimin e fushës, në mënyrë që FC Drenica të mund të luante në shtëpinë e vet.
Ai falënderon ministrin e ri të Sportit për premtimin për renovimin e zhveshtoreve dhe objekteve përcjellëse sipas projektit të përgatitur, duke shtuar se beson sinqerisht që ky premtim do të mbahet dhe se Drenica nuk do të lihet më pas dore.
Po ashtu, Seferi falënderon Federatën dhe Kryetarin Agim Ademi, për të cilin thotë se ishte gjithmonë pranë klubeve dhe i qasshëm në çdo kohë. Ai shton se është porositur ndriçimi për stadiumin e Drenicës dhe se Drenica do të jetë njëra ndër stadiumet e para që do të përfitojë nga projekti për ndriçimin e fushave të futbollit. Gjithashtu, sipas tij, pas vërshimeve u premtua ndihmë nga UEFA dhe ai shpreson që ajo ndihmë të vijë tani për Drenicën, pasi të gjitha pajisjet janë shkatërruar nga vërshimet.
Në letrën e tij, Seferi shprehet se gjithmonë ka ndier se Drenica ka merituar më shumë. Ai thekson se kjo trevë ka dhënë jashtëzakonisht shumë për Kosovën dhe se historia e saj është histori sakrifice. Sipas tij, vetëm familja Jashari është simbol i lirisë së këtij shteti, prandaj Drenica meriton më shumë investime, më shumë vëmendje dhe më shumë mbështetje.
Ai shkruan se mund të jetë futur në këtë rrugëtim për shkak të disa miqve, por nuk qëndroi për ta. Sipas tij, ai qëndroi për lojtarët, tifozët dhe për të mos e lënë klubin në mes të rrugës.
Seferi thotë se po largohet vetëm sepse ka arritur në përfundimin se nuk mund të japë më atë që klubi ka nevojë. Ai përsërit se nuk është njeri i futbollit dhe se FC Drenica meriton njerëz që mund ta çojnë edhe më larg.
Pavarësisht dorëheqjes, ai premton se çdo zotim personal që u ka dhënë lojtarëve, stafit apo kujtdo tjetër do ta mbajë dhe se edhe në të ardhmen, sa herë të ketë mundësi, do ta ndihmojë FC Drenicën.
Në fund, Seferi falënderon familjen e tij, për të cilën thotë se sakrifikoi një vit të tërë të jetës së tyre, si dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë, futbollistët, trajnerët, sponsorët dhe tifozët që nuk e humbën asnjëherë besimin.
Ai falënderon edhe Komunën e Skenderajt, e cila, sipas tij, pavarësisht vështirësive, në fillim kishte vullnet të mirë për ta ndihmuar klubin.
Seferi shprehet i bindur se pas konstituimit të institucioneve të reja do të gjenden zgjidhje për borxhet historike të të gjitha klubeve sportive ndaj ATK-së dhe për investimet që, sipas tij, futbolli kosovar i meriton.
Ai shton gjithashtu se beson që vizioni i përgatitur për FC Drenicën nuk do të ndalet dhe shpreson që ata që do të vijnë pas tyre do ta vazhdojnë atë rrugë.
Në përmbyllje, Seferi shprehet se po largohet nga funksioni, por jo nga zemra e Drenicës, duke shtuar se Drenica do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës së tij. Ai i falënderon të gjithë për besimin, respektin dhe dashurinë që i kanë dhënë gjatë këtij viti.
Eurodeputetja Christina Guarda la qenë sot e pranishme në protestën para Kryeministrisë. Guarda falënderoi protestuesit dhe tha se ata iu…
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit verifikoi në terren denoncimet mbi kryerjen e aktivitetit të paligjshëm në shtratin e lumit…
Partia opozitare LSDM akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e shkatërron në mënyrë sistematike sistemin pensional në…
Gjermania dhe Paraguai kanë publikuar formacionet zyrtare për përballjen e vlefshme për fazën e eliminimit direkt në Kupën e Botës…
Në protestën masive përpara Kryeministrisë ka marrë fjalën edhe eurodeputetja gjermane, Jutta Paulus, e cila ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta…
Një situatë tensioni është krijuar brenda ambienteve të Universitetit Politeknik, ku një grup studentësh hynë në ambientet e tij dhe…