Elbasani është në prag të sfidës së parë europiane, teksa në Conference League do të përballet me BATE Borisov. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, të mërkurën në orën 20:09, në një ndeshje të rëndësishme për nënkampionët e Superiores, të cilët synojnë të nxjerrin maksimumin për një rezultat pozitiv përpara duelit të kthimit që do të luhet në Bjellorusi.
None found
Në prag të kësaj përballjeje të veçantë, që shënon edhe kthimin e skuadrës pas 20 vitesh në arenën europiane, drejtori sportiv i verdhebluve, Elton Guranjaku, ka folur ekskluzivisht për “Newsport.al”. Ai është ndalur te objektivat e ekipit në këtë aventurë, situata brenda grupit dhe projektet për sezonin e ri në “Abissnet Superiore”.
Lidhur me gjendjen aktuale të skuadrës pas fazës përgatitore, Guranjaku theksoi se ekipi e ka përfunduar këtë mini-periudhë pune dhe është gati për ndeshjen ndaj BATE. Sipas tij, stafi ka bërë një punë të mirë, pavarësisht vështirësive që kanë ardhur nga ndryshimet e shumta në përbërje, dhe ai beson se skuadra do të jetë gati të martën në mbrëmje.
Për pritshmëritë nga kjo sfidë, drejtori sportiv u shpreh se ato janë të mëdha, pasi vetë rikthimi në Europë pas 20 vitesh për qytetin përbën një emocion të veçantë. Ai sqaroi se trajneri nuk është fokusuar vetëm te kthimi i futbollistëve në formën më të mirë fizike, por edhe te harmonizimi i grupit, që sipas tij mbetet pjesa më e vështirë në një kohë kaq të kufizuar përgatitjesh.
Sa i takon momentit jo të mirë të BATE Borisov, që vjen pas 12 ndeshjeve pa fitore, Guranjaku tha se Elbasani do të japë maksimumin në fushë. Megjithatë, ai nënvizoi se verdheblutë nuk kanë eksperiencë në këto nivele, pasi janë rikthyer në Superligë vetëm dy vite më parë, ndaj nuk e konsideron një shans të artë përballjen me një emër si BATE Borisov, pavarësisht formës së dobët të rivalit.
Guranjaku bëri të ditur gjithashtu se kundërshtari është analizuar. Ai vuri në dukje se BATE po luan javën e 14-të të kampionatit të vet dhe se stafi elbasanas ka parë ndeshjet e fundit të skuadrës bjelloruse. Sipas tij, avantazhi më i madh i kundërshtarit lidhet me ritmin dhe intensitetin e lartë, pasi ndodhet në kulmin e sezonit. Ai shtoi se fizikisht është një skuadër që vrapon shumë dhe që di si të administrojë ndeshje të tilla, por Elbasani ka marrë masat e veta dhe shpreson që ato të japin efekt në fund.
Duke u ndalur te merkatoja, ai pranoi se afrimet janë përqendruar kryesisht në repartin ofensiv, ndërsa largimet e shumta kanë sjellë edhe shqetësim te tifozët. Guranjaku u shpreh se forca e skuadrës në sezonin e kaluar ishte ruajtja e të njëjtit grup për dy vite. Sipas tij, ndryshimet e shumta nuk i bëjnë mirë ekipit, por klubi ka një buxhet të kufizuar dhe nuk mund të dalë jashtë tij. Ai shpjegoi se është e vështirë të negociohet me lojtarë që kërkojnë 3/4 herë më shumë se sa përfitonin më parë, ndërsa theksoi se në ekip kanë ardhur futbollistë që ai personalisht i vlerëson cilësorë. Problemi i vetëm, sipas tij, ka qenë koha e shkurtër në dispozicion për përgatitjen e kësaj ndeshjeje.
Në lidhje me sezonin e ri në Superiore dhe formatin e ri të kampionatit, Guranjaku u shpreh se, edhe pse forma ka ndryshuar, në fund çdo ndeshje vlen për 3 pikë. Ai tha se është kurioz të shohë se si do të funksionojë ky format, por nënvizoi se ai është i njëjtë për të gjithë dhe nuk sjell diferenca. Duke folur për objektivat, ai theksoi se të bësh më mirë se sezoni i kaluar do të thotë të shpallesh kampion, pasi Elbasani e humbi titullin vetëm për shkak të golavarazhit më të dobët. Gjithsesi, ai shtoi se fillimisht synimi është të ndërtohet edhe një herë skuadra, çka nuk është e lehtë, e më pas të shihet se si do të ecin gjërat.
Për rivalët në sezonin e ardhshëm, drejtori sportiv deklaroi se për Elbasanin të gjithë janë rivalë. Ai vlerësoi se shumë skuadra po investojnë dhe se kampionati i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë se ai i kaluar. Megjithatë, sipas tij, duke parë investimet, Egnatia duket një hap përpara skuadrave të tjera.
/Ermal SPAHIU/
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele pranë Plazhit të Vjetër në Vlorë, ku një 19-vjeçar…
Të hënën e ardhshme, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan…
Nga Artan Fuga Ndërgjegja kolektive e fyer dhe e revoltuar Më vjen një ndjenjë neverie dhe mjerimi për disa analistë,…
Katari dhe Irani kanë bërë të ditur se tregtia detare mes porteve të tyre ka rifilluar, pasi për një periudhë…
Gjatë ceremonisë mortore të mbajtur në Teheran, tre prej djemve të liderit të ndjerë iranian, Ajatollah Ali Khamenei, u panë…
Pak më shumë se një vit pasi ka filluar punën, CEO i Nissan, Ivan Espinosa, ka bërë ndryshime rrënjësore në…