Gërmimet arkeologjike nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem kanë zbuluar gjurmë të një zone të lashtë varrimi, e cila përkon në disa aspekte me përshkrimet e Dhiatës së Re për vendin ku, sipas traditës së krishterë, u varros Jezu Krishti.
None found
Ekipi italian i arkeologëve ka identifikuar varre të skalitura në shkëmb, hapësira të kultivuara, një gurore të braktisur dhe shenja të një kopshti të hershëm. Megjithatë, studiuesit nënvizojnë se këto të dhëna nuk mjaftojnë për të provuar se aty ndodhet varri i Jezusit.
Përfundimet e para të studimit janë botuar në revistën arkeologjike të Jerusalemit, Liber Annuus.
“Kemi zbuluar dëshmi të një peizazhi të lidhur me varrimet”, deklaroi për Daily Mail drejtuesja e ekspeditës, Francesca Romana Stasola, nga Universiteti i Romës “La Sapienza”.
Hulumtimi në Kishën e Ringjalljes, e njohur gjerësisht edhe si Kisha e Varrit të Shenjtë, nisi në vitin 2022. Punimet u zhvilluan si pjesë e projektit për restaurimin e dyshemesë së tempullit.
Objekti fetar, i ndërtuar në shekullin e IV, ndodhet mbi vendin ku tradita e krishterë beson se Jezusi u kryqëzua, u varros dhe u ringjall. Sot, kisha përbën një nga qendrat kryesore të pelegrinazhit të krishterë, me rreth katër milionë vizitorë çdo vit.
Në fazat e fundit të punës, gjatë vitit 2025, arkeologët dokumentuan një peizazh të lashtë me një gurore të lënë pas dore, toka bujqësore, varre të hapura në shkëmb dhe gjurmë të një kopshti.
Interesi për këto zbulime lidhet edhe me përputhjen e tyre me një pasazh të Ungjillit të Gjonit. Në të thuhet se pranë vendit ku Jezusi u kryqëzua kishte një kopsht dhe se në kopsht ndodhej një varr i ri.
Gjatë periudhës së Jezusit, guroret gjendeshin jashtë mureve të Jerusalemit. Disa pjesë të tyre arrinin në një thellësi prej rreth gjashtë metrash, ndërsa më vonë u mbuluan me dhe. Ky ndryshim tregon se hapësira mund të jetë shfrytëzuar edhe për veprimtari bujqësore.
Mes dëshmive të tjera janë edhe gjurmët e kultivimit të ullinjve dhe hardhive, të cilat i përkasin periudhës kur besohet se Jezusi vdiq, rreth vitit 33 pas Krishtit.
“Ungjilli flet për një hapësirë të gjelbër mes Golgotës dhe varrit, ndërsa ne kemi gjetur këto toka të kultivuara”, tha Stasola për Times of Israel.
Varret e zbuluara përbëjnë një tjetër tregues të rëndësishëm, pasi janë punuar drejtpërdrejt në masivin shkëmbor. Sipas arkeologëve, kjo dëshmon se zona ka shërbyer si hapësirë varrimi.
Ky element përkon me rrëfimet e Ungjijve të Mateut, Markut dhe Lukës, ku varri i Jezusit përshkruhet si i gdhendur në shkëmb.
Megjithatë, gjatë gërmimeve nuk janë gjetur mbetje njerëzore që mund të lidhen me Jezusin.
Studiuesit po analizojnë edhe një dhomë varrimi, e cila ishte mbuluar nga një strukturë romake e ngritur në shekullin e II pas Krishtit, gjatë sundimit të Perandorit Hadrian.
Afërsisht dy shekuj më pas, në kohën e Perandorit Kostandin, ndërtesa romake u shemb dhe zona iu nënshtrua një tjetër procesi gërmimi, duke e nxjerrë sërish në pah varrin.
Arkeologët mendojnë se më vonë varri u veçua nga hapësirat e tjera mortore. Rreth tij u krijua një zonë e posaçme pelegrinazhi, ku të krishterët mund të mblidheshin dhe të luteshin.
Edhe pse disa prej gjetjeve përputhen me përshkrimet biblike, ekspertët theksojnë se ato nuk përbëjnë dëshmi përfundimtare se ky ishte varri i Jezu Krishtit.
Megjithatë, ruajtja e vendit dhe shndërrimi i tij në një qendër të rëndësishme pelegrinazhi që në shekujt e parë të krishterimit mund të tregojnë se njohuritë për rëndësinë e tij janë përcjellë brez pas brezi.
Francesca Romana Stasola vlerëson se rëndësia e këtij kërkimi nuk kufizohet vetëm te përpjekja për të verifikuar një rrëfim biblik.
“Ajo që po nxjerrim në dritë si pasuria më e madhe është historia e njerëzve që e shndërruan këtë vend në atë që është, duke shfaqur këtu besimin e tyre”, u shpreh ajo.
Sipas Stasolës, pavarësisht nëse një person beson ose jo se Varri i Shenjtë ka karakter historik, vetë fakti që breza të tërë kanë besuar në të përbën një të dhënë historike. Në një masë të madhe, historia e këtij vendi është njëkohësisht edhe historia e Jerusalemit dhe e adhurimit të Jezu Krishtit.
Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e djeshme në Gjoricë të Poshtme në Bulqizë, ku një vajzë 7-vjeçe u…
Në seancën gjyqësore ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës, mbrojtja ka hequr dorë nga marrja në pyetje e…
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e…
Seanca për Ergys Agasin, që sapo kishte nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për…
Qendra Memoriale e Srebrenicës kërkon përjashtimin e përhershëm të Crvena Zvezdës nga garat e UEFA-s për shkak të lavdërimit të…
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur pasditen e djeshme në Gjoricën e Poshtme, në Bashkinë Bulqizë, ku një…