Categories: showbiz

Dokumentet e reja zbardhin orët e fundit të Liam Payne: Ish-anëtari i One Direction kërkoi 5 gramë kokainë

Dokumente të publikuara rreth dy vite pas vdekjes së Liam Payne hedhin dritë mbi zhvillimet e fundit të jetës së ish-anëtarit të One Direction, i cili ndërroi jetë më 16 tetor 2024, pasi ra nga kati i tretë i hotelit CasaSur Palermo në Buenos Aires.

Të lidhura

None found

Rindërtimi i ngjarjeve është bërë përmes më shumë se 3,000 faqeve me dokumente, dëshmi, mesazhe dhe pamje të kamerave të sigurisë. Materialet tregojnë se situata u përkeqësua hap pas hapi, ndërsa konsumi i alkoolit dhe drogës ndikoi edhe në sjelljen e këngëtarit, e cila sipas dëshmitarëve u bë gjithnjë e më e pakontrollueshme.

Mes të dhënave të reja janë edhe komunikimet që Payne i kishte dërguar njërës prej dy shoqërueseve që e vizituan disa orë para vdekjes.

Në këto mesazhe, ai kërkonte pesë gramë kokainë dhe u kishte propozuar dy grave 5 mijë dollarë në këmbim të shoqërisë së tyre.

Shoqërueset u thanë hetuesve se, në momentin kur hynë në hotel, këngëtari ishte tashmë në një gjendje të rënduar për shkak të alkoolit.

Shqetësimi për sjelljen e tij ishte vërejtur edhe nga personeli i CasaSur. Menaxherja Gilda Martin e kishte cilësuar Payne si një klient “shumë të ndërlikuar” dhe u kishte kërkuar punonjësve të ishin të kujdesshëm gjatë komunikimit me të.

Kur duhej t’i dërgoheshin pesë shishe uiski në dhomë, një prej punonjëseve ishte udhëzuar të mos shkonte vetëm, por të shoqërohej nga një roje sigurie.

Gilda Martin dhe menaxheri i pritjes, Esteban Grassi, u akuzuan në fillim për vrasje të paqëllimshme. Megjithatë, në shkurt 2025, akuzat ndaj të dyve u hoqën.

Materialet hetimore përfshijnë gjithashtu dëshminë e mikut të Payne, Roger Nores, i cili kishte komunikuar me këngëtarin gjatë orëve të fundit.

Nores deklaroi se problemet e Payne me alkoolin dhe drogën ishin të njohura. Ai përmendi gjithashtu atë që e konsideronte si një varësi të këngëtarit nga mesazhet seksuale.

Sipas tij, Payne kishte shprehur frikën se mund t’i kishte dërguar pa vetëdije një fotografi intime një vajze të mitur. Nores sqaroi se nuk kishte parë drejtpërdrejt ndonjë sjellje të tillë.

Situata u tensionua më tej kur erdhi momenti për të paguar shoqërueset. Dëshmitë tregojnë se Payne nuk kishte para të mjaftueshme dhe u ofroi atyre një Rolex.

Pasi ato refuzuan, ai dyshohet se e përplasi orën në mur. Pamjet dhe deklaratat e mbledhura nga hetuesit tregojnë një dhomë të çrregullt dhe një gjendje që po humbiste gjithnjë e më shumë kontrollin.

Pamjet e kamerave të sigurisë përbëjnë një tjetër pjesë të rëndësishme të dokumentacionit të ri.

Rreth orës 03:20 të mëngjesit, Payne shihet jashtë hotelit duke u mbajtur me krahë pas një shtylle, ndërsa trupi i tij ishte pothuajse paralel me tokën.

Disa orë më pas, ai shfaqet në hollin e hotelit në gjendje të rënduar. Pak para orës 17:00, pjesëtarët e stafit e shoqëruan përsëri në dhomën e tij në katin e tretë.

Në orën 17:07 u dëgjua zhurma e rënies së tij nga ballkoni.

Imazhet ku Payne shihet i kapur pas shtyllës kanë sjellë edhe një hipotezë për çastet para tragjedisë.

Një rindërtim i mundshëm sugjeron se ai mund të ketë provuar të ngjitej ose të zbriste nga ballkoni, duke e vlerësuar gabim aftësinë e tij për të përballuar peshën e trupit.

Megjithatë, mënyra e saktë se si ndodhi rënia nuk është përcaktuar përfundimisht. Hetimet në Argjentinë nuk zbuluan prova për ndërhyrje fizike nga një person tjetër dhe as të dhëna që mbështesnin versionin e vetëvrasjes.

Geoff Payne, babai i këngëtarit, e ka mohuar mundësinë që djali i tij të kishte synuar t’i jepte fund jetës.

Ai është shprehur se ishte i bindur që Liam donte të jetonte dhe se, nën ndikimin e substancave, “nuk kishte kontroll mbi atë që po bënte”.

Analizat toksikologjike të kryera pas vdekjes identifikuan alkool, kokainë dhe një ilaç me recetë. Ekspertiza përcaktoi se vdekja erdhi si pasojë e traumave të rënda dhe hemorragjisë së shkaktuar nga rënia.

Në zhvillimet gjyqësore, Roger Nores është liruar përfundimisht nga akuzat.

Ndërsa Braian Nahuel Paiz dhe Ezequiel David Pereyra, të dyshuar për furnizimin e Payne me kokainë, vazhdojnë të jenë pjesë e procesit gjyqësor.

Dokumentet e publikuara nuk ndryshojnë shkakun zyrtar të vdekjes së Liam Payne, por ofrojnë një pasqyrë më të plotë të orëve të tij të fundit dhe të përkeqësimit të shpejtë të situatës përpara tragjedisë.

të fundit

“Të Bashkuar për Shqipërinë”/ Studentët njoftojnë krijimin e një partie të re politike: Do ofrojmë rrugën kushtetuese për shtetin e së drejtës

Një grup studentësh, së bashku me të rinj atdhetarë, profesionistë nga fusha të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës, kanë njoftuar…

19 minutes ago

Zhupa: PS duhet ta zëvendësojë lulen me shkopin e bejsbollit dhe Balla të kujtojë kohën te dyert e KQZ-së

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të mazhorancës socialiste dhe Taulant Ballës gjatë…

27 minutes ago

“Fitore” për studentët në Gjykatë Kushtetuese, pezullohen gjobat për bllokimin e rrugëve gjatë protestave

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve ka pezulluar një nga pikat e paketës anti-dhunë. Konkretisht bëhet fjalë për…

53 minutes ago

Balla nxjerr në pah vandalët dhe hajdutët, akuzon opozitën: Goditën policinë me molotov dhe u strehuan te SHQUP, rast unik në Evropë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar opozitën se po përpiqet të paraqesë protestat si tubime…

1 hour ago

Del në dritë njoftimi i brendshëm i PD-së për protestën e studentëve më 28 nëntor: Kontaktoni me drejtuesit e degëve për organizimin

Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh në grupet e komunikimit me demokratët, ku u bën thirrje anëtarëve të saj të…

2 hours ago

Shqipëria në alarm, 11 qarqe në rrezik për përmbytje: Ja kur rinisin shtrëngatat orët në vijim

Këtë të enjte, Shqipëria po përballet me një situatë të rrezikshme meteorologjike. Reshje të dendura dhe me intensitet të lartë…

2 hours ago