maqedoni

Nisma e Bujar Osmanit për dalje nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

Maqedonia e Veriut do ta shqyrtojë largimin nga nisma Ballkani i Hapur, pasi tashmë ka informacione se Serbia ka qenë e përfshirë në incidentin në Banjskë të Kosovës, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, më 24 shtator, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Të lidhura

None found

Osmani tha se Serbia ka vepruar në kundërshtim me synimet e kësaj nisme, përfshirë pajtimin për të krijuar parakushte për mbylljen e kontestit Kosovë-Serbi dhe për njohjen reciproke dhe liberalizimin e tregut rajonal.

“Kur ndodhi sulmi në Banjskë të Kosovës, unë pata një deklaratë dhe thashë se nëse ka përfshirje të drejtpërdrejtë të Serbisë në Banjskë, atëherë duhet të rishikohet pjesëmarrja në nismën Ballkani i Hapur. Meqenëse tani kam më shumë informacion se çfarë ka ndodhur në Banjskë, planifikoj ta informoj Qeverinë në një seancë të mbyllur dhe ajo do të vendosë se si do të veprohet”, ka deklaruar Osmani.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thanë të enjten se “në Qeveri ende nuk ka arritur një kërkesë e tillë nga MPJ-ja për t’u diskutuar nga ekzekutivi”.

Deklarata e Osmanit pason një reagim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, të hënën më 15 prill.

“Disa ditë pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit që na vrau heroin Afrim Bunjaku, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pati deklaruar se Serbia duhet të dëshmojë se nuk kishte përfshirje shtetërore, përndryshe Maqedonia e Veriut do të rishqyrtonte pjesëmarrjen në nismën Ballkani i Hapur. Ndodhi e kundërta. U dëshmua përfshirja e Serbisë, por Bujar Osmani nuk e rishqyrtoi pjesëmarrjen në Ballkan të hapur”, ka shkruar deputetja Bunjaku në Facebook.

Përplasjet e tilla po ndodhin në kohën e fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut.

Bujar Osmani është kandidat për president nga radhët e Frontit Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Reagimi i VV-së ka të bëjë me faktin se ajo tashmë mbështet kandidatin e opozitës së bashkuar shqiptare për president, Arben Taravari.

Lidhur me paralajmërimin e Osmanit, ka reaguar edhe Taravari duke akuzuar atë dhe BDI-në për “lidhje me Serbinë dhe Rusinë”.

Por, paralajmërimi i Osmanit që të rishikohet nga Qeveria pjesëmarrja e mëtejmë e Maqedonisë së Veriut në nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar edhe reagime tjera, përfshirë atë të Lidhjes Social-Demokrate që është pjesë e Qeverisë.

“Kemi insistuar që kjo nismë të mbetet e hapur dhe ka mbetur e hapur. Dhe, përderisa ka pasur dhe ka mbështetje nga partnerët tanë strategjikë, ne duhet të marrim pjesë në të dhe të fokusohemi në përfitimet konkrete pa tema të mëdha politike, sepse ato tema të mëdha politike bllokuan proceset e tjera rajonale dhe nuk sollën asgjë të mirë. Ne i shohim si pozitive Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur dhe të gjitha iniciativat tjera dhe ne duhet të marrim maksimumin prej tyre”, ka deklaruar Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane.

Nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut thanë për Radion Evropa e Lirë se, “nuk janë konsultuar për mundësinë e largimit nga nisma Ballkani i Hapur, siç nuk janë konsultuar as për vendimin e Osmanit që Maqedonia e Veriut të jetë bashkësponsore e Rezolutës për Srebrenicën në OKB”.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, më parë i ka dhënë mbështetje iniciativës, por ka theksuar sfidat me të cilat përballet pasi në të nuk janë përfshirë të gjitha shtetet e rajonit.

Deklaratat e Osmanit për Ballkanin e Hapur, vendimi për Srebrenicën dhe çështje të tjera, nga njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare, thuhet se janë funksion të fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale.

Ish-diplomati maqedonas, Lupço Arsovski, beson se Osmani me paraqitjet e tij si shef i diplomacisë, ka shfrytëzuar foltoren në MPJ për të përfituar në fushatën presidenciale.

“Si ministër del nga kuadri i zakonshëm i dikasterit që përfaqëson politikën e shtetit. Shpall procedura që ende nuk i ka paraqitur në Qeveri në mënyrë që ekzekutivi t’i miratojë ato. Pra, ai del nga korniza e Qeverisë dhe mbi të gjitha nga Kuvendi, i cili ka marrë vendimet e duhura për të gjitha këto çështje. Kjo sjellje nuk është aspak diplomatike”, thotë Arsovski.

Njohësi i çështjeve politike, Besim Nebiu, thotë se ndërrimi brenda “natës” i qëndrimit të zyrtarëve të BDI-së, flet se ata nuk udhëhiqen nga “ndonjë vizion i madh politik”.

“Osmani dhe shefi i tij, Ali Ahmeti, [kryetar i BDI-së] ishin promotorët kryesorë të Ballkanit të Hapur gjatë gjithë këtyre viteve dhe e bindën opinionin se ky është një projekt evropian. Ndryshimi i qëndrimit të përmasave kaq drastike, brenda natës, tregon për qëndrimin e tyre ndaj politikës – se nuk udhëhiqet nga ndonjë vizion i madh politik, siç pretendojnë ata”, thotë Besim Nebiu, njohës i çështjeve politike.

Nisma Ballkani i Hapur, që fillimisht quhej Mini Shengeni Ballkanik, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë./ REL

të fundit

Konflikti Rama-Veliaj/ BIRN: Përdorim i pushtetit ekzekutiv për presione politike! Kërkohet hetim i pavarur nga SPAK

Me transferimin e beftë të Erion Veliajt në burgun e Fierit, një konflikt mes tij dhe kryeministrit Edi Rama doli…

3 minutes ago

Zgjedhjet në SHBA/ Demokrati Adam Hamilton i jep fund dominimit 94-vjeçar republikan në Kansas, siguron mandatin në Senat

Një rezultat historik është regjistruar në shtetin e Kansasit, ku demokrati Adam Hamilton ka mposhtur senatorin republikan Roger Marshall, duke…

14 minutes ago

Sonte mposhtëm Goliathin”, demokrati James Talarico thyen dominimin republikan në Teksas pas 38 vitesh

Demokrati James Talarico ka shënuar një fitore historike në Teksas, duke mposhtur kandidatin republikan Ken Paxton dhe duke i dhënë…

15 minutes ago

Këmbimi valutor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Këtë të mërkurë, një dollar amerikan, blihet me 80.7 lekë dhe shitet me 81.7 lekë. Euro, blihet me 90.6 lekë…

16 minutes ago

Rritja e çmimeve do t’i sjellë buxhetit 5.4 miliardë lekë të ardhura shtesë në 2027

Rritja e çmimeve po bëhet një burim i konsiderueshëm i të ardhurave shtesë në buxhetin e shtetit. Sipas parashikimeve të…

19 minutes ago

Costa: Reformat mund t’i çojnë më shpejt Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën drejt BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina mund të shënojnë…

19 minutes ago