Categories: maqedoni

Ekspertiza urbanistike: Objekti “Puls” në Koçan ishte kthyer në diskotekë në mënyrë të paligjshme

Dokumentacioni urbanistik i Qytetit të Koçanit, nga viti 1998 e deri më sot, si dhe Ligji për ndërtim, nuk lejonin që objekti industrial në lokacionin ku funksiononte diskoteka/kabare “Puls” të ridestinohej për veprimtari gastronomike. Megjithatë, investuesi kishte nisur që në vitin 2012 ta përdorte një pjesë të tij si diskotekë/kabare, në kundërshtim me PHU-në dhe legjislacionin për planifikim urbanistik dhe ndërtim. Këtë e deklaroi ekspertja Dushica Tërpçevska Angellkoviq në seancën e sotme për zjarrin në diskotekën e Koçanit, të zhvilluar në sallën e gjykatës në “Idrizovë”. Nga tragjedia humbën jetën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë.

Të lidhura

None found

Në hapje të seancës, prokurori Darko Jakimovski bëri të ditur se ekspertiza ndërtimore është hartuar duke përfshirë disa fusha. Shqyrtimi vijoi me çështjet që lidhen me urbanizmin dhe me dëshminë e Dushica Tërpçevska Angellkoviq, pjesëtare e ekipit që punoi në përgatitjen e ekspertizës ndërtimore.

Sipas shpjegimit të ekspertes për planifikimin urbanistik, zona G10 e Qytetit të Koçanit, në të cilën ndodhet diskoteka, e ka ruajtur të njëjtin destinim. Si Plani i parë i hollësishëm urbanistik, i paraqitur në vitin 1998, ashtu edhe plani i fundit në fuqi, i miratuar më 2013, e përcaktojnë këtë zonë për industri të lehtë dhe ekonomi të vogël.

Ekspertja iu referua nenit 97 të Ligjit për ndërtim, sipas të cilit çdo objekt duhet të përdoret vetëm për qëllimin për të cilin është projektuar dhe ndërtuar. Në Planin urbanistik të vitit 2013, objekti ka destinacionin G3 – servise, ndërsa si destinacione kompatibile renditen B1, B2, B4, D2, D3, D4, G2, G4 dhe E2. Në këtë listë nuk përfshihet destinacioni B3, i cili ka të bëjë me objektet e mëdha hotelierike, ku klasifikohen edhe diskotekat dhe klubet kabare.

Për hapjen e ligjshme të diskotekës, sipas ekspertes, fillimisht duhej të dorëzohej në Komunën e Koçanit një nismë për ndryshimin e PHU-së, me qëllim që destinacioni B3 të përcaktohej si bazë ose si kompatibil. Më pas duhej të paraqitej në komunë kërkesa për ridestinimin e objektit në kategorinë B3 dhe të hartohej projekti themelor për këtë ndryshim. Në projekt duhej të përfshiheshin të gjitha kërkesat për kushtet minimale teknike që objekti ishte i detyruar t’i plotësonte sipas Ligjit për veprimtari hotelierike. Mundësia tjetër ishte që diskoteka të hapej në një objekt të ndryshëm, të vendosur në një zonë me destinacion B3.

E pyetur nëse Komuna e Koçanit kishte mundësi të ndërhynte pasi në objekt tashmë zhvillohej veprimtari hotelierike, ekspertja shpjegoi se Ligji për ndërtim përcakton, ndër të tjera, edhe mënyrën e përdorimit të objekteve. Ajo tha se bëhej fjalë për një objekt të kategorisë së dytë, pra me rëndësi lokale, për të cilin lejet lëshohen nga komuna. Për këtë arsye, komuna duhej të vepronte brenda kompetencave të saj dhe të verifikonte nëse objekti përdorej në përputhje me lejet e dhëna për ndërtim dhe përdorim.

Në lidhje me pyetjen nëse licenca e dhënë për diskotekë/kabare i pengonte shërbimet inspektuese komunale të reagonin, Dushica Tërpçevska Angellkoviq sqaroi se këto dy çështje nuk kushtëzohen nga njëra-tjetra.

Prokurori kërkoi gjithashtu shpjegim se si ishte e mundur që në afërsi të ndodhej një hotel. Ekspertja u përgjigj se në PHU ekziston një parcelë me destinacionin B5 – hotel, por rubrika e destinacioneve kompatibile për atë parcelë është e zbrazët.

Në seancën e mëparshme kishte dëshmuar eksperti gjyqësor dhe profesori në Fakultetin e ndërtimtarisë pranë USHCM, Goran Markovski. Ai, në kohën kur po përgatitej ekspertiza ndërtimore, mbante postin e dekanit të Fakultetit të ndërtimtarisë. Markovski deklaroi se gjetjet e ekspertizës tregonin pa asnjë dyshim se në rastin e “Puls”-it kishin dështuar plotësisht sistemi, institucionet dhe individët, ndërsa nuk ishin zbatuar standardet, rregullat dhe procedurat.

Markovski tha se ekipi i ekspertëve të Fakultetit të ndërtimtarisë kishte konstatuar me keqardhje se në objektin ku ndodhej diskoteka “Puls” nuk ishte zbatuar asnjë masë për mbrojtje nga zjarri. Numri i daljeve të rregullta për evakuim ishte zero. Duke u bazuar në sipërfaqen e objektit, kapaciteti i lejuar ishte 363 mysafirë, ndërsa natën kritike brenda tij ndodheshin mbi 600 persona.

Sipas paralajmërimeve, me këtë fazë pritet të mbyllet paraqitja e provave nga Prokuroria.

Procesi gjyqësor drejtohet nga gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip i përbërë prej 15 prokurorësh publikë.

Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë koncertit të grupit DNK. Në këtë ngjarje humbën jetën 63 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Tragjedia konsiderohet ndër më të rëndat në historinë më të re të vendit.

të fundit

Salianji: Revolta e ka humbur Ramën nga legjitimiteti, kryeministri do të mbetet në “koshin e historisë”

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, në një prononcim për News24 tha se kryeministri Edi Rama sot është i izoluar, pasi…

1 minute ago

Serbia glorifikon Korpusin e Prishtinës, ndërsa hesht për krimet e luftës në Kosovë

Me dokumentarë që glorifikojnë ushtrinë serbe dhe anashkalojnë krimet e luftës në Kosovë, Serbia po vazhdon propagandën kundër UÇK-së. Promovimi…

5 minutes ago

Flick krenar për Barcelonën: Gjermani synon fitoren e 100-të në krye të skuadrës

Hansi Flick ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e Barcelonës nën drejtimin e tij, teksa është pranë arritjes së një momenti…

10 minutes ago

Tension pranë qendrës së Tiranës, policia shoqëron me forcë të rinj dhe protestues

Disa shoqërime të paprecedenta kanë ndodhur pranë qendrës së Tiranës. Policia ka hyrë dhe pranë lokaleve dhe ka nisur të…

26 minutes ago

Muhamed Zekiri sentenced to 1 year and 7 months in prison

Gjykata e Apelit e dënoi me 1 vjet e 7 muaj burg ish sekretarin e Qeverisë Muhamed Zekiri në lëndën…

27 minutes ago

Përparim Rama: I believe I will run for LDK leadership

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se është i gatshëm të përfshihte në garë për kryetar të LDK-së. Këtë paralajmërim…

28 minutes ago